Beselidhja e VjeterJeremia: Gjykim përmbledhës mbi Sedecinë
- 1 Sedecia, biri i Jozisë, u bë mbret në vend të Konisë, birit të Joakimit. Sedecinë e vuri mbret Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, në tokën e Judës.
- 2 Por as ky, as shërbëtorët e tij, as populli i vendit nuk i dëgjuan fjalët e Zotit që i foli nëpërmjet gojës së profetit Jeremi.Sedecia këshillohet me Jereminë për ndërprerjen e rrethimit në vitin 588
- 3 Mbreti Sedeci dërgoi Jukalin, djalin e Selemisë, edhe priftin Sofoni, djalin e Maasisë, te Jeremia profet me këtë porosi: Lutju për ne Zotit, Hyjit tonë!
- 4 Jeremia asohere shkonte e vinte nëpër popull i lirë; ende nuk e kishin burgosur.
- 5 Ndërkaq, ushtria e faraonit po depërtonte nga Egjipti e, kaldenjtë, që e rrethonin Jerusalemin, posa e morën këtë lajm, u larguan nga Jerusalemi.
- 6 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar profetit Jeremi:
- 7 Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Kështu thuajini mbretit të Judës që ju dërgoi të më pyetni: Ja, ushtria e faraonit që ju erdhi në ndihmë, do të kthehet në vendin e vet, në Egjipt.
- 8 Atëherë do të kthehen kaldenjtë dhe do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta pushtojnë dhe do ta djegin me zjarr.
- 9 Kështu thotë Zoti: Mos e rreni vetveten duke thënë: `Shkuan kaldenjtë e na e morën të ligën`, sepse ata nuk do të largohen.
- 10 Po edhe sikur t`ia dilni ta shpartalloni tërë ushtrinë e kaldenjve që luftojnë kundër jush e nëse mbesin edhe vetëm disa të plagosur, ata do të çohen prej çadrave të tyre dhe do ta djegin me zjarr këtë qytet!Burgimi i Jeremisë. Përmirësimi i fatit të tij
- 11 Kur ushtria e kaldenjve u largua nga Jerusalemi për shkak të ushtrisë së faraonit,
- 12 Jeremia doli nga Jerusalemi për të shkuar në tokën e Beniaminit me qëllim që të rregullojë një çështje ndarjeje të pronës me të vetët. Mirëpo,
- 13 kur arriti te dera e Beniaminit, në derë ishte një farë Jerie, biri i Selemisë, të birit të Hananisë, rojtar i derës. Atëherë e kapi profetin Jeremi e tha: Ti po ikën te kaldenjtë!
- 14 Jeremia iu përgjigj: Është gënjeshtër! Unë nuk po shkoj te kaldenjtë! Por ai s`deshi të marrë vesh, por Jeria e kapi Jereminë dhe e çoi te paria.
- 15 Paria u hidhëruan kundër Jeremisë, e rrahën dhe e burgosën në shtëpinë e shkruesit Jonatan: sepse atë e kishin shndërruar në burg.
- 16 Kështu Jeremia u fut në një steë me hark në dhe; aty Jeremia ndenji për shumë ditë.
- 17 Mbreti Sedeci dërgoi për ta marrë dhe, fshehtas, në shtëpinë e vet e pyeti: A kemi ndonjë fjalë prej Zotit? Jeremia iu përgjigj: Ka!, dhe vazhdoi: Do të biesh në dorën e mbretit të Babilonit!
- 18 Pastaj Jeremia i tha mbretit Sedeci: Ç`gabim paskam bërë unë ndaj teje, ndaj shërbëtorëve të tu dhe ndaj këtij populli që më hodhët në burg?
- 19 Ku janë profetët tuaj që ju profetizonin dhe ju thonin: `Mbreti i Babilonit nuk do t`ju sulmojë as ju as këtë vend?`
- 20 Tashti po të lutem, më dëgjo Imzot, o mbret, merre parasysh lutjen time dhe mos më rikthe në shtëpinë e Jonatanit, shkruesit, që të mos vdes atje.
- 21 Këndej mbreti Sedeci urdhëroi të çohet Jeremia në oborrin e burgut, t`i jepet çdo ditë një bukë ndore e sjellë nga rruga e Furrtarëve derisa të mos ketë më bukë në qytet. Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut.