Beselidhja e VjeterJeremia: biri i Natanisë
- 1 Dhe të shtatin muaj erdhi Ismaeli, biri i Natanisë, të birit të Elisamës, nga fara mbretërore dhe një nga mbarështuesit e lartë të mbretit, dhe me të edhe dhjetë burra, te Godolia, biri i Ahikamit në Masfë. Aty edhe hëngrën bukë së bashku në Masfë.
- 2 Por Ismaeli, biri i Natanisë, dhe dhjetë burrat, që ishin me të, u ngritën, e goditën me shpatë Godolinë, birin e Ahikamit, të birit të Safanit; e vranë atë që mbreti i Babilonit e kishte bërë të parin e vendit.
- 3 Ismaeli i vrau gjithashtu edhe të gjithë judenjtë që ishin me Godolinë në Masfë, si dhe kaldenjtë që u gjendën aty e ishin ushtarë.
- 4 Të nesërmen, pasi u vra Godolia dhe askush ende nuk e dinte,
- 5 erdhën disa njerëz nga Sikemi, nga Siloja e nga Samaria, tetëdhjetë burra, me mjekërr të rruar, me petka të shqyera, me gërvishtje në trup, sillnin në duar kushte e kem për t`i flijuar në Shtëpinë e Zotit.
- 6 Ismaeli, biri i Natanisë, doli nga Masfa për t`i takuar. Ecte rrugës duke qarë. Kur u takua me ta, u tha: Ejani te Godolia, biri i Ahikamit.
- 7 Kur ata arritën në mes të qytetit, Ismaeli, biri i Natanisë, i preu, dhe ai, me njerëzit që ishin me të, i hodhi në steë.
- 8 Ndër ta u gjetën dhjetë vetë që i thanë Ismaelit: Mos na mbyt, sepse kemi në ara ushqime rezervë të fshehura: grurë, elb, vaj e mjaltë. Ai atëherë hoqi dorë e nuk i vrau ata as vëllezërit e tyre.
- 9 Stea, në të cilën Ismaeli i kishte hedhur kufomat e njerëzve, që i vrau, është stea e madhe që e punoi mbreti Asë kundër Baasës, mbretit të Izraelit. Liqethin Ismaeli, biri i Natanisë, e mbushi me të vrarë.
- 10 Atëherë Ismaeli e mori me vete tepricën e popullit që ishte në Masfë, bijat e mbretit dhe mbarë popullin që kishte mbetur në Masfë, të cilët Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, ia kishte lënë nën kujdes Godolisë, birit të Ahikamit; Ismaeli, biri i Natanisë, i mori me vete dhe u nis për të kaluar te bijtë e Amonit.
- 11 Por dëgjoi Johanani, biri i Kareesë, dhe të gjithë oficerët që ishin me të për këtë kërdi të madhe që e kishte bërë Ismaeli, biri i Natanisë,
- 12 i morën të gjithë njerëzit e vet, u nisën të luftojnë kundër Ismaelit, birit të Natanisë. E gjetën tek Ujërat e Mëdha që janë në Gabaon.
- 13 Mbarë populli që ishte me Ismaelin, kur e pa Johananin, birin e Kareesë, dhe të gjithë oficerët që ishin me të, u gëzuan shumë.
- 14 Atëherë mbarë populli që Ismaeli e kishte marrë rob në Masfë, u kthye e shkoi te Johanani, biri i Kareesë.
- 15 Por Ismaeli, biri i Natanisë, me tetë vetë iku para syve të Johananit dhe kaloi ndër amonë.
- 16 Atëherë Johanani, biri i Kareesë, e oficerët që ishin me të, i morën tepricat e popullit që i kishte marrë robër Ismaeli, biri i Natanisë, nga Masfa, pasi e pati vrarë Godolinë, birin e Ahikamit: trima, gra, fëmijë e oborrtarë, të cilët u kthyen nga Gabaoni.
- 17 U nisën për rrugë e zunë vend në Gerutkamaam, që është afër Betlehemit. Aty pushuan pak, sepse kishin për qëllim që të vazhdonin udhën për të kaluar në Egjipt
- 18 larg nga kaldenjtë. Vërtet, i druanin kaldenjtë, sepse Ismaeli, biri i Natanisë, e kishte vrarë Godolinë, birin e Ahikamit, të cilin mbreti i Babilonisë e kishte bërë qeveritar të vendit.