Beselidhja e VjeterJeremia: Shpartallimi i Jerusalemit dhe nderi i bërë Joakinit
- 1 Sedecia ishte njëzet e një vjeç kur u bë mbret e mbretëroi në Jerusalem njëmbëdhjetë vjet. Emri i së ëmës ishte Amital, bija e Jeremisë nga Lobna.
- 2 Bëri çka s`i pëlqente Zotit krejt si kishte bërë Joakini.
- 3 Kështu i ndodhi Jerusalemit e Judës për shkak të zemërimit të Zotit, aq sa edhe i flaku larg pranisë së vet.Sedecia u ngrit kundër mbretit të Babilonisë.
- 4 Të nëntin vit të mbretërimit të tij, më dhjetë të të dhjetit muaj, erdhi Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, ai vetë me mbarë ushtrinë e tij kundër Jerusalemit. E rrethuan dhe ndërtuan llogore kundër tij gjithkund përreth.
- 5 Qyteti mbeti i rrethuar deri të njëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Sedecisë.
- 6 Të nëntën ditë të të katërtit muaj, ndërsa në qytet mbretëronte uria e madhe dhe për popullin e vendit nuk kishte më ushqime,
- 7 u thye qyteti. Të gjithë luftëtarët ikën dhe natën dolën nga qyteti nëpër derën që është në mes të dy mureve dhe shpie në kopshtin e mbretit. Kaldenjtë e mbanin gjithkund përreth qytetin e rrethuar, e ata ikën udhës që çon në Arabë.
- 8 Por mbretit iu vu në shpinë ushtria e kaldenjve dhe e zunë Sedecinë në rrafshnaltën e Jerikut, ku e gjithë përcjellja ushtarake e tij iku dhe u arratis.
- 9 Kur e kapën mbretin, e çuan te mbreti i Babilonisë në Reblë, që është në tokën e Ematit. Ky ia preu gjyqin.
- 10 Mbreti i Babilonisë ndër sy të Sedecisë ia preu të bijtë, i preu edhe të gjithë princat e Judës në Reblë.
- 11 Atëherë Sedecisë ia nxori sytë, e lidhi në pranga dhe mbreti i Babilonisë e shpuri në Babiloni, ku e futi në burg deri ditën e vdekjes së tij.
- 12 Pastaj në muajin e pestë, të dhjetën ditë të muajit, d. m. th. të nëntëmbëdhjetin vit të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, njëri nga oborrtarët më të afërt të mbretit të Babilonisë, erdhi në Jerusalem.
- 13 E dogji Shtëpinë e Zotit dhe pallatin e mbretit. Flakë i dogji edhe të gjitha shtëpitë e Jerusalemit e sidomos shtëpitë e parisë.
- 14 Atëherë mbarë ushtria e kaldenjve, që ishte me kryekoman dantin e rojës trupore, e rrëzoi krejt murin rrethues të Jerusalemit.
- 15 Nabuzardani kryekomandanti i rojës trupore, mori në mërgim një pjesë të popullit të varfër, popullin tjetër që kishte qëndruar në qytet, si dhe prej atyre që kishin pasë ikur te mbreti i Babilonisë, dhe sa kishin mbetur prej mjeshtrave.
- 16 Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, e la një pjesë të vegjëlisë si vreshtarë e bujq.
- 17 Kaldenjtë i thyen shtyllat e bronzta, që ishin në Shtëpinë e Zotit, bazat dhe detin e bronztë, që ishte në Shtëpinë e Zotit: tërë bronzin e tyre e çuan në Babiloni.
- 18 Morën edhe kusitë, kacitë, thikat, kupat e stërpikjes, shterat dhe të gjitha enët e bronzta që përdoreshin për nevojat e liturgjisë.
- 19 Kryekomandanti i rojës trupore mori legenat, kemoret, kupat e stërpikjes, kusitë, shandanat, shterat, potirët: gjithçka ishte prej ari e gjithçka ishte prej argjendi;
- 20 Nuk ishte e mundur të llogaritej sa ishte pesha e bronzit e të gjitha këtyre enëve.
- 21 Njëra shtyllë ishte tetëmbëdhjetë kutë e lartë e duhej një pe dymbëdhjetë kutësh për ta pushtuar, kurse trashësia e saj ishte katër gishtërinj, ndërsa përbrenda ishte e zbrazët.
- 22 Ishin edhe kapitelat e bronzta mbi të dyja shtyllat: lartësia e njërit kapitel ishte pesë kute kutë. Ishin edhe gërshetat e shegat e bronzta gjithkund përreth mbi kapitel; po ashtu edhe në shtyllën e dytë.
- 23 Nëntëdhjetë e gjashtë shega vareshin lirisht. Në degët e gërshetuara përreth ishin njëqind shega.
- 24 Kryekomandanti i rojës trupore mori me vete Sarajën, kryetarin e priftërinjve, dhe Sofoninë, priftin e dytë edhe tri rojet e pragut.
- 25 Nga qyteti mori një oborrtar, që ishte i pari i ushtrisë dhe shtatë burra nga shoqëruesit e mbretit që ndodheshin në qytet, edhe shkruesin e kryetarit të ushtrisë që ishte i ngarkuar të mblidhte rishtarinë e ushtrisë, edhe gjashtë;dhjetë burra nga vegjëlia që u ndodhën në qytet.
- 26 Këta njerëz Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, i mori me vete dhe i çoi në Reblë te mbreti i Babilonisë.
- 27 Në Reblë, në tokën e Ematit, i dënoi me vdekje dhe ua preu kokën. Kështu populli i Judës qe tretur larg atdheut të vet.
- 28 Ja numri i njerëzve të tretur nga Nabukodonozori: të shtatin vit: tre mijë e njëzet e tre judenj;
- 29 të tetëmbëdhjetin vit: të Nabukodonozorit: nga Jerusalemi tetëqind e tridhjetë e dy vetë;
- 30 në vitin e njëzet e tretë të Nabukodonozorit, i treti Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore: shtatëqind e dyzet e pesë judenj.Kështu, pra, të gjithë të treturit nga atdheu ishin: katër mijë e gjashtëqind vetë.
- 31 Të tridhjeteshtatin vit të shpëguljes së Joakinit, mbretit të Judës, të dymbëdhjetin muaj, të njëzetepestën ditë të muajit, Evilmerodaku, mbreti i Babilonisë, po atë vit që u bë mbret, e fali Joakinin, mbretin e Judës, dhe e nxori nga burgu.
- 32 Fliste me të miqësisht. Ndenjësen e tij e vuri më lart se ndenjëset e mbretërve të tjerë, që ishin me të në Babiloni.
- 33 Joakini i hoqi petkat e veta të burgut dhe për sa qe gjallë, gjithmonë hëngri bukë në tryezën e mbretit.
- 34 Gjithçka i duhej për jetesë, ushqimin e përditshëm, ia siguroi vazhdimisht mbreti i Babilonisë, si një ditë për ditë, sa qe gjallë, deri ditën e vdekjes së tij.