Beselidhja e VjeterEzekieli: Mbi kupën qiellore
- 1 Shikova dhe ja, mbi kupën qiellore që ishte përmbi kokë të kerubinëve diçka si gur safiri dhe përmbi ta u duk diçka e ngjashme me një fron.
- 2 Ai i tha njeriut të veshur në të linjta: Hyr ndërmjet rrotave që janë nën kerubinë dhe mbushi grushtat e tu me prush zjarri që është ndërmjet kerubinëve e zbrazi mbi qytet. Ai njeri hyri ndër sy të mi.
- 3 Kerubinët ishin në të djathtën e Tempullit kur njeriu hyri brenda e reja e mbushi oborrin përbrenda.
- 4 Atëherë u ngrit Lavdia e Zotit nga kerubinët drejt pragut të Tempullit dhe Tempulli u mbush me re, kurse oborri u mbush me shkëlqimin e Lavdisë së Zotit.
- 5 Rrahja e krahëve të kerubinëve dëgjohej deri në tremen e jashtme, porsi jehona e zërit të Zotit të gjithëpushtetshëm kur flet.
- 6 E kur ai i dha urdhër njeriut që ishte i veshur me të linjta: Merr zjarr prej mesit të rrotave, ndërmjet kerubinëve, ai njeri hyri dhe zuri vend përbri rrotës.
- 7 Një kerubin e shtriu dorën nga mesi i kerubinëve drejt zjarrit që ishte ndërmjet kerubinëve, mori dhe i qiti në grushtat e atij që ishte i veshur me të linjta. Ky e mori zjarrin e doli.
- 8 Atëherë pashë se kerubinët kishin nën krahët e tyre diçka në përgjasimin e dorës së njeriut.
- 9 Shikova, dhe ja, ishin katër rrota përgjatë kerubinëve, nga një rrotë përgjatë secilit kerubin. Dukja e rrotave ishte e ngjashme me gurin krisolit.
- 10 Të katërtat ishin si njëra;tjetra, thuase njëra rrotë ishte e futur në tjetrën.
- 11 Kur lëviznin, mund të shkonin në të katër drejtimet pa pasur nevojë të sillen, por ecnin drejt vendit ku u printe e para, të tjerat e ndiqnin e nuk silleshin kur lëviznin.
- 12 E mbarë trupi i tyre, shpina, duart e krahët edhe rrotat ishin plot me sy gjithkund përreth, të katërtat.
- 13 Dëgjova se këto rrota u quajtën: Vorbull.
- 14 Secili kerubin kishte katër fytyra: faqja e parë, faqja e kerubinit, faqja e dytë, faqja e njeriut, faqja e tretë, faqja e luanit, faqja e katërt, faqja e shqiponjës.
- 15 Kerubinët u ngritën në ajër: ishte gjallesa që e kisha parë te lumi Kobar.
- 16 Kur niseshin kerubinët, niseshin edhe rrotat përgjatë tyre; kur kerubinët i luanin krahët për t`u ngritur nga toka, rrotat nuk silleshin, por qëndronin përgjatë tyre.
- 17 Kur qëndronin ata, qëndronin, kur ngriheshin ata, ngriheshin; sepse shpirti i gjallesave ishte në to.Lavdia e Zotit largohet nga Tempulli
- 18 Lavdia e Zotit doli nga pragu i Tempullit e zuri vend mbi kerubinë.
- 19 Kerubinët i hapën krahët e vet ndër sy të mi e u ngritën nga toka, e, duke u nisur, me ta shkuan edhe rrotat. U ndal në hyrje të derës së Shtëpisë së Zotit, në lindje. Lavdia e Zotit të Izraelit ishte mbi ta.
- 20 Është kjo po ajo gjallesë që e pashë nën Hyjin e Izraelit bri lumit Kobar dhe e kuptova se ishin kerubinë.
- 21 Secili ishte me katër faqe e me katër krahë edhe secili kishte nën krahë diçka të ngjashme me dorën e njeriut.
- 22 Fytyrat i kishin të njëjta me ato që i pashë bri lumit Kobar. Secili ecte para vetes.