Beselidhja e VjeterEzekieli: Kundër profetëve të rremë
- 1 Kështu thotë Zoti Hyj: Mjerë profetët e rremë që ndjekin mendjen e vet pa pasur vegime!
- 2 Porsi dhelprat ndër rrënoja janë bërë profetët e tu, o Izrael!
- 3 Ju as s'u ngjitët në të çarat e murit as s'e bëtë një pëllëmbë mur në mbrojtje të Izraelit që të mund të qëndroni në luftim në ditën e Zotit.
- 4 Shohin gjëra të kota dhe parakallëzojnë gënjeshtra e thonë: 'Thotë Zoti!', e Zoti as që i ka dërguar! Madje edhe presin që Zoti t'ua përforcojë fjalën!
- 5 Po a nuk patë vegim të kotë e nuk treguat parashikim të rremë e megjithatë thoni: 'Thotë Zoti', ndërsa unë nuk kam folur?
- 6 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Pasi keni folur punë të kota e vegimi juaj ka qenë i rremë, prandaj pritmëni se në shpinë më keni, thotë Zoti Hyj.
- 7 Dora ime do të jetë kundër profetëve që shohin punë të kota e parakallëzojnë rrena: në kuvendin e popullit tim s'do të kenë pjesë, nuk do të shkruhen në librin e popullit të Izraelit as nuk do të hyjnë në tokën e Izraelit; atëherë do ta dini se unë jam Zoti Hyj.
- 8 Pasi e gënjejnë popullin tim duke thënë: 'Paqe', e paqe s'ka; ndërsa ai e ndërtonte murin, këta duan vetëm të lyhet me llaç.
- 9 Thuaju këtyre që vetëm vënë lugë, se muri do të rrëzohet: do të bjerë shi me rrëshekë; do të lëshoj përmbi të breshër porsi gurë dhe stuhinë e thellimit rrënues!
- 10 Dhe, ja, muri ra! Vallë a nuk do t'ju thonë: 'Ku është luga që dhatë?'
- 11 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Do ta çoj në zemërimin tim një stuhi të tmerrshme, në zemërimin tim një shi vërshues, në hidhërimin tim do ta çoj një breshër si gurë për të shkatërruar gjithçka!
- 12 Do ta rrënoj murin që e lyet me llaç e do ta bëj rrafsh me tokë, jashtë do t'i dalë themeli e do të shembet! Edhe ju do të sharroni nën të e atëherë do ta dini se unë jam Zoti.
- 13 Kur ta kem çuar në vend zemërimin tim kundër murit e kundër atyre që i dhanë lugë, atëherë do t'ju them: S'ka më mur, e patën edhe ata që i dhanë lugë!
- 14 Sharruan profetët e Izraelit që i profetizojnë Jerusalemit e që kanë vegime paqeje kur paqe s'ka; thotë Zoti Hyj.Kundër profeteshave të rreme
- 15 E ti, o biri i njeriut, sillu drejt bijave të popullit tënd, që profetizojnë sipas mendjes së vet dhe profetizo kundër tyre
- 16 e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Të mjerat ato që qepin jetulla për të gjitha nyjat e dorës e punojnë vela për kokë të çdo mase për t'i hedhur shpirtrat në lak! A mendoni t'i zini në lak të gjithë shpirtrat e popullit tim e shpirtrat tuaj t'i ruani në jetë? Ju jeni ato që më dhunuat mua para popullit tim për një grusht elb e për një copë bukë duke vrarë nga ata njerëz që nuk duhej të vdisnin e duke i kursyer ata që nuk duhej të jetonin duke e rrejtur popullin tim që kënaqet duke dëgjuar rrenat tuaja.
- 17 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po sulem kundër jetullave tuaja, me të cilat po i kapni njerëzit porsi shpendët! Copë do t'i bëj nga duart tuaja e do t'i çliroj njerëzit që me to i kapët sikur të ishin zogj!
- 18 Do t'i shqyej velat tuaj e do ta çliroj popullin tim nga duart tuaja dhe më nuk do të jenë pre në duart tuaja: atëherë do ta dini se unë jam Zoti.
- 19 E për atë që e copëtuan në trishtim zemrën e të drejtit me rrenat tuaja, atë që unë e trishtova e i ripërtëritët në fuqi duart e të patenzonit, me qëllim që të mos kthehet nga udha e vet e keqe e të jetojë,
- 20 këndej më nuk do të shihni kotësi dhe më s'do të parakallëzoni rrena: unë do ta shpëtoj popullin tim nga dora juaj dhe atëherë do ta dini se unë jam Zoti.