Beselidhja e VjeterEzekieli: Historia e pabesisë së Izraelit
- 1 Ndodhi që në të shtatin vit, në të pestin muaj, më dhjetë të muajit, erdhën disa nga pleqtë e Izraelit, për të kërkuar këshillë prej Zotit e u ulën tek unë.
- 2 Asohere më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
- 3 Biri i njeriut, fol me pleqtë e Izraelit e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Vallë, a erdhët për të më pyetur? Pasha jetën time;thotë Zoti Hyj;unë nuk do t`ju jap përgjigje.
- 4 A do t`i gjykosh? A do t`i gjykosh, biri i njeriut? Dëftoju poshtërsitë e etërve të tyre!
- 5 Thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Ditën kur e zgjodha Izraelin, iu përbetova me dorë të lartësuar për farën e shtëpisë së Jakobit dhe iu dëftova në tokën e Egjiptit dhe atyre iu përbetova me dorë të lartësuar e u thashë: Unë jam Zoti, Hyji juaj.
- 6 Atë ditë edhe iu përbetova me dorë të lartësuar se do t`i nxjerr nga toka e Egjiptit në vendin që e kisha paraparë për ta, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë, që është më i bukuri ndër të gjitha vendet.
- 7 Atëherë u thashë: Secili le t`i flakë idhujt që i mban para sysh dhe mos u ndotni me idhujt e Egjiptit: unë jam Zoti Hyji juaj.
- 8 Por ata më hidhëruan e nuk deshën të më dëgjojnë: askush nuk i hoqi neveritë që i mbante para syve të vet as s`i lanë idhujt e Egjiptit. Atëherë thashë: do ta zbraz mbi ta zemërimin tim e do ta çoj në vend hidhërimin tim në tokën e Egjiptit.
- 9 Por, për shkak të emrit tim;që të mos poshtërohej ndër sy të paganëve, në mesin e të cilëve banonin, ndër të cilët edhe u dëftova se do t`i nxjerr nga toka e Egjiptit.
- 10 Kështu, pra, i nxora nga toka e Egjiptit dhe i çova në shkretëtirë.
- 11 U dhashë Ligjin tim dhe ua tregova rregulloret e mia që njeriu duhet t`i mbajë për të pasur jetën.
- 12 Për më tepër, ua dhashë edhe të shtunat e mia që të jenë shenjë ndërmjet meje e tyre e që ta dinë se unë jam Zoti që i shenjtëroj.
- 13 Por shtëpia e Izraelit u çua kundër meje në shkretëtirë: nuk ecën urdhërimeve të mia, rregulloret e mia që njeriu, nëse do të jetojë, duhet t`i mbajë, i flakën e të shtunat e mia i prishën vazhdimisht. Atëherë mendova ta zbraz në shkretëtirë mbi ta furinë time e t`i shfaros,
- 14 por veprova ndryshe për shkak të emrit tim që të mos poshtërohej ndër paganë prej të cilëve i nxora para syve të tyre.
- 15 Pastaj unë u përbetova me dorë të lartësuar në shkretëtirë se s`do t`i shtie në tokën që ua dhurova, tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë, më i bukuri ndër të gjitha vendet,
- 16 sepse ata i kishin përbuzur gjyqet e mia e nuk kishin ecur urdhërimeve të mia, i kishin prishur të shtunat e mia, sepse zemra e tyre ecte pas idhujve.
- 17 Por, syri im pati mëshirë për ta, nuk i vrava as nuk ua treta farën në shkretëtirë.
- 18 Atëherë u thashë fëmijëve të tyre në shkretëtirë: Mos i ndiqni urdhërimet e etërve tuaj, mos i mbani zakonet e tyre as mos u ndotni me idhujt e tyre.
- 19 Unë jam Zoti Hyji juaj. Ecni urdhërimeve të mia, mbani e zbatoni gjyqet e mia,
- 20 shenjtëroni të shtunat e mia që të dihet se unë jam Zoti, Hyji juaj!
- 21 Por edhe të bijtë u çuan kundër meje: nuk ecën urdhërimeve të mia, nuk i mbajtën rregulloret e mia, që duhet të mbahen po qe se njeriu do të jetojë, e i prishën të shtunat e mia. Iu kërcënova se do ta zbrazja zemërimin tim mbi ta dhe se do ta çoja në vend në shkretëtirë hidhërimin tim kundër tyre.
- 22 Por, prapë e ndala dorën time, e këtë e bëra për nder të emrit tim që të mos poshtërohet para paganëve, prej të cilëve i nxora ndër sy të tyre.
- 23 Përsëri u përbetova me dorë të lartësuar në shkretëtirë se do t`i shpëdaj ndër paganë e do t`i tres nëpër vende të ndryshme,
- 24 për arsye se s`i zbatonin ligjet e mia, pse i përbuznin urdhërimet e mia e pse i prishnin të shtunat e mia e sytë e tyre rrinin të ngulur në idhujt e etërve të tyre.
- 25 Atëherë, unë vetë, ua dhashë ligje jo të mira e zakone që kush i mban, nuk jeton;
- 26 e bëra të bëhen të papastër në kushtet e tyre, i bëra të flijojnë të gjithë të parëlindurit e tyre, për t`i tmerruar e që ta dinë se unë jam Zoti.
- 27 Për këtë arsye, foli shtëpisë së Izraelit, biri i njeriut, e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Madje edhe në këtë blasfemuan kundër meje etërit tuaj, sepse duke më përbuzur, më urryen.
- 28 Megjithatë, unë i futa në tokën, të cilën ua kisha premtuar me përbetim se do t`ua dhuroja. Ata panë çdo kodër të lartësuar e çdo pemë të gjelbër: aty kushtuan flitë e veta e paraqitën kushtet e veta ngacmuese; vinin erëra të erëndshme e njomnin njomjet e veta.
- 29 Atëherë u thashë: `Çka është kjo lartësirë në të cilën po ngjiteni?` Kështu i mbeti emri Lartësirë` deri në ditën e sotme.
- 30 Prandaj thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: E mirë, ju fëlliqeni sipas sjelljes së etërve tuaj, bëni lavirësi me turpësitë e tyre!
- 31 Kur ju sillnit dhuratat tuaja, kur i kalonit fëmijët tuaj nëpër zjarr, ju jeni të ndotur me të gjithë idhujt tuaj deri në ditën e sotme! E unë të lejoj të këshilloheni me mua, shtëpia e Izraelit?! Pasha jetën time;është fjala e Zotit Hyj;assesi s`do t`ju përgjigjem!
- 32 E as çka djerroni në zemrat tuaja nuk do të ndodhë! Ju mendoni: `Duam të jemi porsi paganët, porsi fiset e të tjera vendeve: do të adhurojmë dru e gur.`
- 33 Pasha jetën time;thotë Zoti Hyj;unë do të mbretëroj mbi ju me dorë të fortë, me krah të shtrirë me zemërim të ndezur flakë!
- 34 Unë do t`ju mbledh nga popujt e do t`ju bashkoj nga vendet ku jeni të shpëdarë, me dorë të fuqishme, me krah të shtrirë e me zemërim të ndezur flakë.
- 35 Do t`ju çoj në shkretëtirën e popujve dhe atje faqe-faqas do t`ju gjykoj!
- 36 Siç i gjykova etërit tuaj në shkretëtirën e Egjiptit, po ashtu do t`ju gjykoj edhe ju;thotë Zoti Hyj.
- 37 Do t`ju bëj të kaloni nën shkopin tim e do t`ju lidh në hekurat e besëlidhjes!
- 38 Do t`i ndaj prej jush ata që iu shmangën ligjit e të paudhët: do t`i nxjerr nga vendi ku banojnë si të huaj, por në tokën e Izraelit s`do të hyjnë e do ta dini se unë jam Zoti.
- 39 Sa për ju, o shtëpia e Izraelit, kështu thotë Zoti Hyj: Ani shkoni e shërbejini secili idhullit të vet! Por do të vijë dita kur do të shohim palu00e8 a do të më dëgjoni! Atëherë s`do ta përdhosni më emrin tim të shenjtë me dhuratat tuaja e me idhujt tuaj!
- 40 Vërtet, në malin tim të shenjtë, në malin e lartë të Izraelit;thotë Zoti Hyj;aty do të më shërbejë mbarë shtëpia e Izraelit: e tërë e bashkuar në vendin, në të cilin do të më pëlqejnë, po them; aty do t`i marr e do t`i pranoj dhuratat tuaja dhe kushtimin e fryteve tuaja të para, të të gjitha gjërave që do të kushtoni.
- 41 Do të më pëlqeni porsi era e erëndshme kur t`ju kem nxjerrë nga popujt e t`ju kem bashkuar nga vendet ku ju qetë shpëdarë. Përmes jush do t`ua dëftoj paganëve shenjtërinë time.
- 42 Do ta dini se unë jam Zoti, kur t`ju kem kthyer në tokën e Izraelit, në tokën, për të cilën u përbetova se do t`ua jap etërve tuaj.
- 43 Atje do t`ju bjerë ndërmend sjellja juaj e të gjitha veprat tuaja të këqija me të cilat e fëlliqët veten: vetvetja do t`ju ndyhet për shkak të të gjitha veprave tuaja të këqija që keni bërë.
- 44 E do ta dini se unë jam Zoti, kur t`ju bëj mirë për dashuri të emrit tim, e jo për shkak të sjelljes suaj të keqe, as për shkak të veprave tuaja tejet të ulta, shtëpia e Izraelit!;thotë Zoti Hyj.