Beselidhja e VjeterEzekieli: Profeci mbi malet e Izraelit
- 1 Tashti, biri i njeriut, profetizo mbibjeshkët e Izraelit e thuaj: Bjeshkët e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit.
- 2 Kështu thotë Zoti Hyj: Meqenëse tha armiku juaj për ju: `Ah! Ah! Bjeshkët e amshueshme u bënë prona jonë`!
- 3 Prandaj profetizo e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Pasi keni qenë shpartalluar e pëdjekur prej fqinjëve tuaj për t`u bërë pronë e popujve të tjerë e pasi u bëtë përralla e gjuhëve shpifëse e shenjë turpi për popullin,
- 4 prandaj, o malet e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit: Kështu u thotë Zoti Hyj maleve, kodrave, përrenjve e vërrive, vendeve të shkretuara e qyteteve të mbetura shkretë, që u shpopulluan e u bënë shenjë përqeshjeje për popujt e tjerë përreth.
- 5 Mirë, pra, kështu thotë Zoti Hyj: Me zemërim të ndezur flakë po përbetohem kundër popujve të tjerë e kundër mbarë Idumit, që e morën tokën time për pronë të vetën, me gëzim e me gjithë zemër e me gjithë shpirt të lig që t`i përmbysin kullotat e tij.
- 6 Prandaj, parafol për tokën e Izraelit e thuaju maleve, kodrave, përrenjve e luginave: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, po përbetohem me xhelozi e me zemërim: pse ju desh të duroni poshtërim e përbuzje prej paganëve,
- 7 prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: unë e ngrita dorën time në përbetim: popujt që janë përreth jush ata vetë do ta mbartin turpin e vet.
- 8 E ju, o bjeshkët e Izraelit, lëshoni shatorr gemat tuaj e bëni fryte për popullin tim Izraelin, sepse është afër, po vjen!
- 9 Ja, unë po vij tek ju, kah ju po sillem! Do të lëvroheni e do të mbilleni.
- 10 Do t`ju shtoj me njerëz;mbarë shtëpinë e Izraelit, qytetet do të mbushen me banorë e rrënojat do të përtërihen.
- 11 Do t`ju mbush me njerëz e me bagëti: do të shtohen e do të shumohen. Do të bëj të keni banorë si më parë, do t`ju bëj të mira më tepër se më parë e ju do ta dini se unë jam Zoti.
- 12 Do t`i sjell te ju njerëzit;popullin tim Izraelin e do të bëhesh prona e tyre, trashëgimi i tyre e më nuk do t`ua shuash fëmijët.
- 13 Kështu thotë Zoti Hyj: Pasi thonë për ju: `Është toka që i përpin njerëzit dhe që popullit ia shuan farën`,
- 14 ja, pra, ti më s`do t`i përpish njerëzit dhe më nuk do t`ia tretësh farën popullit tënd;është fjala e Zotit Hyj.
- 15 S`do të lejoj më kurrë që ta dëgjoj poshtërimin e paganëve mbi ty, kurrë më nuk do ta mbartësh turpin e popujve kundër teje dhe popullin tënd kurrë më nuk do ta lësh pa fëmijë;thotë Zoti Hyj.
- 16 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha:
- 17 Biri i njeriut, kur shtëpia e Izraelit banonte në tokën e vet, e pati përdhosur atë me sjelljen e vet e me veprat e veta: sjellja e tyre ishte para syve të mi porsi papastërtia e gruas së papastër.
- 18 Unë atëherë e zbraza zemërimin tim mbi ta për shkak të gjakut që derdhën përmbi tokë dhe për shkak të idhujve, me të cilët e ndotën.
- 19 I shpëdava ndër paganë dhe i treta në vende të ndryshme: i dënova sipas sjelljes së tyre dhe sipas veprave të tyre.
- 20 Por edhe në popujt, ndër të cilët u shpëdanë, te të cilët shkuan, e përdhosën emrin tim të shenjtë, sepse flitej për ta: `Ky është populli i Zotit e iu desh të dalë prej tokës së tij!`
- 21 Por unë pata nderim për emrin tim të shenjtë që e çnderoi shtëpia e Izraelit në popujt ndër të cilët shkoi.
- 22 Prandaj, kështu thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: S`e bëj këtë për ju, o shtëpia e Izraelit, por për shkak të emrit tim të shenjtë, që u çnderua në popujt te të cilët shkuat.
- 23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madhërueshëm, të cilin ju e çnderuat ndër popuj, e ndotët në mesin e tyre, që paganët ta dinë se unë jam Zoti;thotë Zoti Hyj, kur të dëftohem i shenjtë ndër ju e para syve të tyre.
- 24 Do t`ju heq prej paganëve e do t`ju bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t`ju sjell në vendin tuaj.
- 25 Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t`ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj!
- 26 Unë do t`ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t`ju jap një zemër mishi.
- 27 Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t`i zbatoni e t`i vini në veprim gjyqet e mia.
- 28 Do të banoni në tokën që ua dhurova etërve tuaj: ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj.
- 29 Unë do t`ju pastroj nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do ta thërras grurin e do të bëj të bëhet me shumicë e më s`do t`ju ngarkoj me uri!
- 30 Do ta shumoj frytin e pemëve e prodhimet e arave, që të mos e pësoni më ndër popuj marren e urisë.
- 31 Atëherë do t`ju bjerë ndër mend sjellja juaj tejet e keqe e veprat tuaja jo të mira e do t`ju bëjnë neveri paudhësitë tuaja e poshtërsitë tuaja.
- 32 Mirë dijeni, nuk e bëj këtë për hatër tuaj;thotë Zoti Hyj;duhet t`ju vijë turp e të skuqeni, shtëpia e Izraelit, për sjelljen tuaj!
- 33 Kështu thotë Zoti Hyj: Ditën kur t`ju kem pastruar nga të gjitha ndyrësitë tuaja e të kem bërë të banohen qytetet e të ripërtëriten rrënojat,
- 34 e kur toka e lënë djerr të jetë punuar, toka që dikur qe lënë e shkretë në sy të të gjithë kalimtarëve,
- 35 do të thonë: `Toka e mbetur shkretë u bë kopsht i Edenit, po banohen qytetet e mbetura shkretë, të rrënuara e të rrafshuarat po rindërtohen`.
- 36 Popujt do ta dinë, të gjithë ata që do të mbesin rreth jush, se unë Zoti i rindërtova të rrënuarat dhe i mbolla djerret. Thashë unë Zoti dhe ashtu do të bëj!
- 37 Kështu thotë Zoti Hyj: Edhe në këtë gjë do të lejoj t`i vështrohet prej meje popullit të Izraelit kërkesa në të mirën e tij: Do t`ia shtoj njerëzit porsi grigjat,
- 38 porsi grigjë të shuguruar, porsi grigjën e Jerusalemit në festimet e tij. Kështu qytetet e rrënuara do të mbushen plot e përplot me njerëz dhe do ta dinë se unë jam Zoti.