Beselidhja e VjeterEzekieli: Kundër Gogut, mbretit të Magogut
- 1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
- 2 Biri i njeriut, sillu me fytyrë kah Gogu, në tokën e Magogut, prijësit kryeparë të Mosokut e të Tubalit, e profetizo kundër tij.
- 3 Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po sulem kundër teje, o Gog, prijësi i parë i Mosokut e i Tubalit!
- 4 Unë do të të rrethoj e do t`i mbërthej grremçat në nofullat e tua. Do të të nxjerr ty dhe mbarë ushtrinë tënde;kuaj e kalorës, të gjithë të veshur në mënyrë të përsosur, një shumicë të madhe me mburoja e shqyta që ngjeshin shpatën.
- 5 Me ta edhe persianët, kusët e futët, të gjithë me shqyta e me përkrenare.
- 6 Gomerin e të gjithë ushtrinë e tij, shtëpinë Togorma nga skaji i Veriut e tërë ushtrinë e tij;popuj të shumtë me ty.
- 7 Bëhu gati e rreshtohu me mbarë shumicën tënde që u bashkua rreth teje, ji gati për të më shërbyer!
- 8 Pas shumë ditësh do të marrësh urdhrin: rreth mbarimit të viteve do të sulesh kundër një vendi që shpëtoi nga shpata e është kthyer nga popuj të shumtë në malet e Izraelit, të cilat për një kohë të gjatë mbetën të shkreta. Këta u riatdhesuan dhe tashti jetojnë në qetësi.
- 9 Do të vish, do të sulesh porsi stuhia, porsi thellimi, për ta mbuluar tokën, ti dhe ushtria jote e me ty popuj të shumtë.
- 10 Kështu thotë Zoti Hyj: Atë ditë do të të vlojnë në kokë mendime të ndryshme e do të sendërtosh synime të këqija
- 11 e do të thuash: `Do ta sulmoj vendin e pambrojtur, po i sulmoj njerëzit që jetojnë të qetë! Të gjithë jetojnë pa mure rrethuese; s`kanë shula në dyer as dyer!`;
- 12 me qëllim që të rrëm tani besh plaçka e të bësh pre, të vësh dorë mbi rrënojat tani të ripopulluara e mbi popullin që u bashkua nga popujt e shtoi bagëti e pasuri e banon në kërthizën e dheut.
- 13 Seba, Dedani e tregtarët e Tarsisit me prijësit e tij do të të pyesin: `Vallë, a po sulmon për të bërë pre? Vallë, a për të plaçkitur e bashkove ushtrinë tënde, për të rrëmbyer ar e argjend, për të rrëmbyer bagëti e pasuri, për të grabitur pre të pamasë?
- 14 Prandaj, profetizo, biri i njeriut, e thuaj Gogut: Kështu thotë Zoti Hyj: Vallë, a atë ditë kur populli im Izraeli do të jetojë në qetësi të sigurt, do të nisesh kundër tij?
- 15 Do të nisesh prej vendit tënd, nga veriu i skajshëm, ti e popuj të shumtë me ty, të gjithë kalorës;shumicë e madhe e ushtri e tmerrshme.
- 16 Do të sulmosh popullin tim Izraelin porsi reja për ta mbuluar tokën. Por, në ditën e fundit, do të të çoj në tokën time që popujt të më njohin mua, kur unë ta kem dëftuar mbi ty shenjtërinë time ndër sy të tyre, o Gog!
- 17 Kështu thotë Zoti Hyj: Ti pra, je ai, për të cilin kam thënë në ditët e dikurshme me gojë të shërbëtorëve të mi, profetëve të Izraelit, të cilët vjet me radhë profetizuan në ato ditë se do të të çoj ty kundër tyre.
- 18 Atë ditë, ditën kur Gogu të sulet kundër tokës së Izraelit;thotë Zoti Hyj;do të zbrazet zemërimi im në furinë time.
- 19 Në mendjen e zezë timen e në flakën e zemërimit tim, vendosa: atë ditë do të jetë trandje e madhe në tokën e Izraelit,
- 20 do të dridhen para fytyrës sime peshqit e detit, shpendët e qiellit, egërsirat e fushës, zvarranikët e çdo lloji që lëvizin mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë përmbi sipërfaqe të dheut. Do të kapërdihen malet, do të pëlcasin qetat e çdo mur do të rrëzohet përdhe!
- 21 Do të thërras kundër tij shpatën në të gjitha malet e mia;është fjala e Zotit Hyj;shpata e secilit do të drejtohet kundër vëllait të vet.
- 22 Do ta dënoj me murtajë e me gjak! Me shi të tmerrshëm e me gurë breshëri! Do të derdh mbi të porsi shiun zjarr e sulfur, mbi të e mbi ushtrinë e tij dhe mbi popuj të shumtë që janë me të:
- 23 do të madhërohem, do të shenjtërohem e do të bëhem i njohur ndër sy të popujve të panumërt: atëherë do ta dinë se unë jam Zoti!