Beselidhja e VjeterEzekieli: Gogu
- 1 E ti, o biri i njeriut, profetizo kundër Gogut e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, në shpinë më ke, o Gog, prijësi kryeparë i Mosokut e i Tubalit!
- 2 Do të të tërheq, do të të josh, do të të bëj të vish nga Veriu i skajshëm dhe do të të sjell në malet e Izraelit.
- 3 Do ta hedh përtokë harkun prej dorës sate të majtë e do t`i flak shigjetat e tua prej të djathtës sate!
- 4 Do të vritesh mbi malet e Izraelit, ti dhe mbarë çetat e tua edhe popujt që janë me ty! Të dhashë për ushqim shpendëve grabitqarë, të gjithë fluturakëve dhe egërsirave të tokës.
- 5 Do të biesh në fushë të hapët, sepse kështu e kam thënë unë;është fjala e Zotit Hyj!
- 6 Do të çoj zjarr mbi Magog dhe mbi ata që të qetë banojnë në ishuj dhe do ta dinë se unë jam Zoti.
- 7 Të njohur do ta bëj emrin tim të shenjtë në mes të popullit tim Izraelit e nuk do të lejoj të përlyhet Emri im i shenjtë! Paganët do ta dinë se unë jam Zoti, Shenjti në Izrael!
- 8 Ja, erdhi, u bë;thotë Zoti Hyj;kjo është dita për të cilën kam folur!
- 9 Banorët do të dalin prej qyteteve të Izraelit e do t`i ndezin e do t`i djegin armët: mburojë e shqyt, hark e shigjetë, heshtë, çumak e mëzdrak;do t`i djegin për shtatë vjet!
- 10 Nuk do të mbartin dru nga arat as nuk do të presin në pyje, sepse zjarr do të bëjnë me armë. Do t`i rrëmbejnë ata që i kanë rrëmbyer, do t`i bëjnë pre ata që i patën bërë pre;thotë Zoti Hyj.
- 11 Atë ditë do t`ia jap Gogut për varresë vendin e përmendur në Izrael: Luginën e udhëtarëve në lindje të detit, që ua mbyll udhën kalimtarëve. Aty do të varroset Gogu dhe mbarë ushtria e tij. Ajo do të quhet Lugina e Shumicës së Gogut.
- 12 Do t`i rëmojnë izraelitët për shtatë muaj për ta pastruar vendin.
- 13 Do t`i varrosë mbarë populli i vendit e kjo ditë do të jetë e përmendur për ta, sepse këtë ditë unë i dhashë lavdi vetvetes;thotë Zoti Hyj.
- 14 Do të caktojnë njerëzit, të cilët do ta përshkojnë vendin për t`i varrosur ata që kanë mbetur mbi dhe, për ta bërë vendin të pastër. Por edhe pas shtatë muajve,
- 15 do të vazhdojnë t`i kërkojnë e do ta përshkojnë vendin, e, nëse gjejnë eshtra njeriu, do të ngulin përgjatë tyre shenjën që varrtarët t`i varrosin në Luginën e Shumicës së Gogut.
- 16 Qyteti quhet Amonë. Kështu do ta pastrojnë vendin.
- 17 Ti, pra, o biri i njeriut: Kështu thotë Zoti Hyj: Thuaji çdo fluturaku, të gjithë shpendëve e të gjitha egërsirave të fushës: Bashkohuni, ejani shpejt, mblidhuni nga çdo anë në flinë time, që unë po jua bëj gati! Në flinë e madhe mbi malet e Izraelit që të hani mish e të pini gjak!
- 18 Hani mish trimash e pini gjak princash të tokës: desh, qengja, cjep e mëzetër të majmë, të gjithë nga Basani.
- 19 Do të hani e do të ngiheni me dhjamë e do të pini derisa të deheni me gjak të flisë që unë po e ther për ju.
- 20 Do të ngiheni në tryezën time me mish kuajsh shale e karroce, me mish trimash dhe luftëtarësh;thotë Zoti Hyj!Përfundimi
- 21 Kështu do ta dëftoj lavdinë time ndër popuj e të gjithë popujt do ta shohin gjyqin që do ta bëj dhe dorën që do ta rëndoj mbi ta.
- 22 E shtëpia e Izraelit do ta dijë se unë jam Zoti, Hyji i tyre, prej asaj dite e përgjithmonë.
- 23 Por do ta marrin vesh edhe paganët se shtëpia e Izraelit ka qenë tretur në skllavëri për shkak të fajësisë së vet, sepse më patën lënë mua. Këndej e fsheha fytyrën time prej tyre, i lashë në duart e armiqve të tyre që të sharrojnë prej shpatës.
- 24 U solla me ta sipas papastërtisë së tyre e fajësisë së tyre dhe prej tyre e fsheha fytyrën time.
- 25 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Tani do t`ia kthej fatin e mirë Jakobit, do ta përdëllej mbarë shtëpinë e Izraelit e do të dëftohem i zellshëm për nder të emrit tim të shenjtë.
- 26 Do t`ua fal çdo turpësi dhe pabesnikëri që ma bënë ndërsa ende jetonin të qetë në vendin e vet, kur nuk kishin nga kush të druanin.
- 27 E kur t`i kem riatdhesuar nga popujt e t`i kem bashkuar nga vendet e armiqve të tyre e ta kem dëftuar shenjtërinë time në ta në sy të popujve të panumërt,
- 28 atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, Hyji i tyre, që i pata humbur ndër popuj, por edhe që i bashkova në vendin e vet duke mos lënë atje asnjë.
- 29 Më nuk do ta fsheh fytyrën time para tyre, sepse do ta zbraz shpirtin tim mbi shtëpinë e Izraelit;thotë Zoti Hyj.