Beselidhja e VjeterEzekieli: Paralajmërim se do të rrethohet
- 1 E ti, biri i njeriut, merre një tullë, vëre para vetes e vizatoje në të qytetin e Jerusalemit.
- 2 Përreth tij vëre rrethimin, ndërtoje përballë tij një fortesë, punoje llogoren, vendose kundër tij ushtrinë e renditi rreth e rreth deshtë.
- 3 Merre fulteren e hekurt e vëre në murin e hekurt ndërmjet teje e qytetit, sille fytyrën drejt tij dhe qyteti do të jetë i rrethuar, dhe bëji rrethim. Kjo do të jetë shenjë për shtëpinë e Izraelit.
- 4 Atëherë bjer në krahun tënd të majtë dhe vëri fajësitë e shtëpisë së Izraelit mbi të: sa ditë do të rrish shtrirë ashtu, aq ditë do t`i mbartësh mëkatet e tyre.
- 5 Po të caktoj një ditë për vjetët e fajësisë së tyre: për treqind e nëntëdhjetë ditë do ta mbartësh fajësinë e shtëpisë së Izraelit.
- 6 Kur t`i kesh kryer këto, shtrihu në anën e djathtë të dytën herë dhe do t`i marrësh mbi vete fajet e shtëpisë së Judës për dyzet ditë: një ditë për një vit, një ditë për një vit, mbaje mend, po të caktoj.
- 7 Atëherë sille fytyrën tënde në drejtim të Jerusalemit të rrethuar, krahu yt le të jetë i zhveshur dhe profetizo kundër tij.
- 8 Dhe ja, unë do të të lidh me litarë e mos u sill nga një krah në tjetrin derisa t`i kesh kryer ditët e rrethimit tënd.
- 9 Merr grurë, elb, bathë, thjerrë, mel, tepë dhe qiti të gjitha në një enë dhe përgatit prej tyre bukë për vete për aq ditë sa të rrish mbi krahun tënd: dhe haji gjatë treqind e nëntëdhjetë ditëve.
- 10 Ushqimi yt do të jetë me peshë njëzet siklash në ditë; dhe haje në një kohë të caktuar.
- 11 Edhe ujin pije me masë: të gjashtën pjesë të hinit; pije në kohë të caktuar.
- 12 Dhe haje si bukën e elbit të pjekur në hi dhe piqe ndër sy të tyre në zjarr të përftuar nga tretjet që dalin nga njeriu.
- 13 Pastaj Zoti shtoi: Kështu bijtë e Izraelit do ta hanë bukën e vet të ndyrë ndër paganë ku unë do t`i tres.
- 14 Atëherë unë i thashë: Heu, o Zot Hyj, shpirti im nuk është i ndyrë! Që prejfëmijërisë sime e deri më sot kurrë nuk hëngra cofëtinë as kafshë të copëtuar nga egërsira, kurrë s`hyri në gojën time mish i papastër!
- 15 Atëherë më tha: Ja, po të jap në vend të tretjeve të njerëzve bajgën e lopëve: piqe me bajga bukën tënde!
- 16 Dhe më shtoi: Biri i njeriut, ja unë po e sos kursimin e fundit të bukës në Jerusalem: do ta hanë bukën e peshuar imtësisht e me kujdes, edhe ujin do ta pijnë me masë e me mangësi,
- 17 kështu që, duke munguar buka e uji, do të meken të gjithë së bashku e do të sharrojnë në fajësinë e vet.