Beselidhja e VjeterEzekieli: Ky është Jerusalemi!
- 1 Biri i njeriut, merre një shpatë të mprehtë që rruan qimet, merre në vend të briskut rrues dhe rruaje kokën e mjekrrën. Merre pastaj peshoren e ndaji qimet e rruara.
- 2 Një të tretën digje në zjarr në mes të qytetit pasi të kenë kaluar ditët e rrethimit; merre edhe një të tretën tjetër dhe preje me shpatë rreth e rreth qytetit e një të tretën tjetër, trete në erë e unë do ta zhvesh shpatën pas tyre.
- 3 Merri pak prej tyre e lidhi në kindin e petkut tënd;
- 4 prapë prej tyre merr edhe pak dhe qiti e digji në zjarr: prej tyre do të dalë zjarri. Atëherë thuaji mbarë shtëpisë së Izraelit:
- 5 Kështu thotë Zoti Hyj: Ky është Jerusalemi! Unë e vendosa mes paganësh dhe të rrethuar nga vendet e huaja.
- 6 Ai i përbuzi gjyqet e mia, saqë u bë më i patenzonë se paganët, i përbuzi urdhërimet e mia më tepër se vendet që i ka përreth: i flakën gjyqet e mia e nuk ecën urdhërimeve të mia.
- 7 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi jeni më kryekëcyer se paganët që janë përreth jush, pasi nuk ecët urdhërimeve të mia, nuk i zbatuat gjyqet e mia, por s`vepruat madje as sipas gjyqeve të paganëve që janë përreth jush,
- 8 prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Pritëm, pra, se më ke në shpinë dhe unë vetë do ta kryejë gjyqin tim mbi ty ndër sy të paganëve,
- 9 e do të bëj në ty çka s`kam bërë kurrë dhe kurrë më s`do ta bëj, për shkak të turpësive të tua!
- 10 Ja pra, në mesin tënd etërit do t`i hanë fëmijët e vet dhe fëmijët do t`i hanë baballarët e vet. Do ta çoj në vend gjyqin tim mbi ty e çka të teprojë prej teje do ta tres në katër anët e botës.
- 11 Prandaj, pasha jetën time;thotë Zoti Hyj;siç është e vërtetë se ti e ke dhunuar Shenjtëroren time me të gjitha fyerjet e tua e me të gjitha turpësitë e tua, ashtu edhe vetë do të rruaj, s`do ta lë të ketë dhimbje syri im e s`do të përdëllej.
- 12 Një e treta jote do të vdesë nga murtaja e do të shqimet nga uria brenda në ty, një e treta pjesë tjetër jotja do të bjerë nga shpata në rrethet e tua, kurse një të tretën pjesën tënde do ta tres në çdo anë dhe do ta nxjerr shpatën pas tyre.
- 13 Atëherë do ta shfrej furinë time, do ta qetësoj zemërimin tim kundër tyre e do të gjej ngushëllim. Atëherë do ta dinë se unë Zoti fola në zemërimin tim kur do ta çoj në vend zemërimin tim kundër tyre.
- 14 Shkretëtirë do të të bëj dhe turp në sytë e paganëve që janë rreth teje, në sy të të gjithë kalimtarëve.
- 15 Do të jesh çnderim, mallkim, shembull e tmerr ndër paganët që janë përreth teje, kur t`i çoj në vend gjyqet e mia kundër teje me furi, me zemërim e me ndëshkim të furishëm.
- 16 Po flas unë, Zoti;kurdo t`i kokërroj kundër jush shigjetat e zeza të urisë, që do të jenë vdekjeprurëse, me të cilat do t`ju gjuaj për t`ju shkatërruar dhe do ta sjell mbi ju urinë;do t`jua zhduk edhe kursimin e fundit të bukës.
- 17 Do të çoj kundër jush urinë dhe bishat e egra e do të të lënë pa fëmijë në vatër: murtaja e gjaku do të kalojnë nëpër ty, shpatën do ta sjell kundër teje. Po flas unë, Zoti.