Beselidhja e VjeterDanieli: Mbreti i pyet dijetarët e vet
- 1 Në vitin e dytë të mbretërimit të Nabukodonozorit, Nabukodonozori pa një ëndërr. Shpirti iu tmerrua dhe gjumi e la.
- 2 Mbreti dha urdhër që të mblidhen të gjithë dijetarët, magjistarët, shortarët dhe astrologët për t`i shpjeguar mbretit ëndrrat e tij. Ata erdhën dhe qëndruan para mbretit.
- 3 Mbreti u tha: Kam parë një ëndërr e shpirti im është shqetësuar së tepërmi për t`ia ditur shpjegimin.
- 4 Kaldenjtë iu përgjigjën mbretit aramaisht: Rrofsh e qofsh përgjithmonë, o mbret! Tregojua shërbëtorëve të tu ëndrrën e ne do ta shtjellojmë.
- 5 Mbreti u përgjigj e u tha kaldenjve: E kam dhënë fjalën! Nëse nuk do të ma tregoni ëndrrën e nëse nuk do të ma shtjelloni, copë e grimë do t`ju bëj e shtëpitë tuaja do t`i kthej në llomishtë.
- 6 Ndërsa, nëse do të ma tregoni ëndrrën dhe nëse do të ma shpjegoni, çmime, dhurata e nder të madh do të meri prej meje. Pra, ma tregoni ëndrrën dhe domethënien e saj!
- 7 Ata përsëri iu përgjigjën e thanë: Mbreti le t`ua tregojë shërbëtorëve të vet ëndrrën e ne do t`ia tregojmë domethënien e saj.
- 8 U përgjigj mbreti e tha: Unë mirë po shoh se ju dëshironi të fitoni në kohë pasi e dini se kam dhënë fjalën.
- 9 Në qoftë, pra, se nuk do të ma tregoni ëndrrën, ju pret po i njëjti dënim. Ju keni rënë në përkim të thoni para meje ndonjë fjalë të rreme e gënjyese derisa të kalojë koha. Pra, ma tregoni ëndrrën time që ta di sesi do të ma shtjelloni.
- 10 Kaldenjtë u përgjigjën para mbretit e thanë: S`ka njeri mbi tokë që të mund t`ia plotësojë kërkesën mbretit. Prandaj, s`ka mbret aq të madh dhe aq të pushtetshëm që të kërkojë një gjë të tillë prej çdo dijetari, magjistari ose kaldeu.
- 11 Kërkesa që ti, o mbret, e lyp është tepër e rëndë dhe s`gjendet ai që kishte për t`ia zbuluar mbretit, me përjashtim të hyjnive, të cilët nuk banojnë me njerëz.
- 12 Atëherë mbreti i hidhëruar, u ndez në zemërim dhe urdhëroi të vriten të gjithë dijetarët e Babilonisë.Ndërhyrja e Danielit
- 13 Si u shpall urdhri për t`u vrarë të dijshmit, kërkonin që të vrisnin edhe Danielin e shokët e tij.
- 14 Atëherë Danieli, me fjalë të urta e me mençuri, iu drejtua Ariokut, kryetarit të rojës trupore të mbretit, i cili kishte dalë për t`i vrarë të dijshmit e Babilonisë.
- 15 Danieli i tha Ariokut, që kishte marrë pushtetin prej mbretit: Për ç`arsye ka dalë prej mbretit një urdhër kaq i pashpirt?
- 16 Pasi Arioku ia dëftoi arsyen Danielit, Danieli hyri te mbreti dhe iu lut t`i jepte pak kohë dhe ai do t`ia zbulonte mbretit domethënien e ëndrrës.
- 17 Pastaj Danieli shkoi në shtëpi të vet dhe u tregoi shokëve Ananisë, Mizaelit e Azarisë punën
- 18 që të luten e të kërkojnë mëshirë prej Hyjit Qiellor në lidhje me këtë fshehtësi që të mos sharrojnë Danieli e shokët e tij bashkë me dijetarët e Babilonisë.
- 19 Atëherë Danielit në vegim nate i qe zbuluar fshehtësia dhe Danieli e bekoi Hyjin Qiellor
- 20 e Danieli e mori fjalën e tha: Qoftë bekuar Emri i Zotitprej shekullit në shekuj, sepse e tij është urtia e fuqia,
- 21 Ai i ndërron kohët e stinët, i rrëzon dhe i vendon mbretërit, u jep të urtëve urtinë, e të kuptueshëmve dijen.
- 22 Ai i zbulon thellësitë dhe të fshehtat, i njeh gjërat që janë në errësirë, sepse drita në Të e ka banesën.
- 23 Ty, o Hyj i etërve të mi, të madhëroj e të lavdëroj, sepse më dhe urtinë e fuqinëe tani ma zbulove atë që kërkuam prej Teje, sepse na e zbulove kërkesën e mbretit!
- 24 Atëherë Danieli hyri tek Arioku, të cilin mbreti e kishte caktuar t`i vriste të dijshmit e Babilonit, e i tha kështu: Mos i vra të urtët e Babilonit. Më nxjerr mua para mbretit dhe unë do t`ia tregoj mbretit domethënien e ëndrrës.
- 25 Atëherë Arioku vrik e futi Danielin para mbretit e i tha: E gjeta një njeri nga bijtë e shpëgulur të Judës, i cili mbretit do t`ia shpjegojë ëndrrën.
- 26 Mbreti i tha Danielit, të quajtur Baltazar: A vërtet të thotë mendja se mundesh të ma tregosh ëndrrën që kam parë dhe shpjegimin e saj?
- 27 Danieli u përgjigj para mbretit: Fshehtësinë që mbreti kërkon t`i shtjellohet, të urtët, dijetarët, shituesit, nuk janë të zotët t`ia tregojnë mbretit.
- 28 Por është një Hyj i vetëm në qiell, zbulues i fshehtësive, e Ai të tregoi, o mbreti Nabukodonozor, çka do të ndodhë në ditët e fundit. Ja, pra, ëndrra jote dhe vegimet që janë përshkuar nëpër kokën tënde ndërsa flije në shtratin tënd.
- 29 Ti, o mbret, fillove të përbluash me mendjen tënde, në shtratin tënd, çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe Zbuluesi i fshehtësive të zbuloi çfarë do të ndodhë.
- 30 Po edhe mua, jo me fuqi të dijes që është në mua, gjasme më e madhe se në të gjithë të gjallët e tjerë, më qe zbuluar kjo fshehtësi, por që të mund t`i jepet mbretit shtjellimi dhe që të mund t`i njohësh mendimet e zemrës sate.
- 31 Ti, o mbret, pate një vegim. Dhe, ja, një trupore shumë e madhe! Një trupore e madhe, me shtat shumë të lartë qëndronte përballë teje: pamja e saj ishte e tmerrshme.
- 32 Truporja kokën e kishte prej ari të kulluar, parzmën dhe krahët i kishte të argjendtë, kurse barkun e kofshët i kishte bronzi,
- 33 kockat e kërcirit të hekurta, kurse dërrasa e këmbëve një pjesë e hekurt e tjetra bote.
- 34 Ndërsa ti po e shikoje, dhe ja, u shkëput një gur pa dorë të kujt dhe e goditi truporen në këmbë të saj të hekurta e prej bote dhe i copëtoi.
- 35 Atëherë u copëtua gjithashtu edhe hekuri, dheu, bronzi, argjendi dhe ari e gjithçka u bë porsi byku në lëmë verës, i mori era e i treti e më s`u dit vendi i tyre; kurse guri që e goditi truporen, u bë mal i madh fort dhe e mbushi mbarë tokën.
- 36 Kjo ishte ëndrra. Shtjellimin e saj do ta japim para teje, o mbret!Shpjegimi i ëndrrës
- 37 Ti je mbreti i mbretërve dhe Hyji i Qiellit ta dha ty mbretërinë, fuqinë, sundimin e lavdinë
- 38 e të gjitha vendet ku banojnë bijtë e njerëzve, kafshët e fushës e shpendët e ajrit: ai i dha në duart e tua e ty të bëri zotërinë e të gjithave: ti je koka e artë!
- 39 Pas teje do të dalë në shesh një mbretëri më e vogël se jotja e pastaj një mbretëri e tretë e bronztë, që do ta sundojë mbarë tokën.
- 40 Mbretëria e katërt do të jetë e fortë porsi hekuri. Porsi hekuri që thyen e thërmon gjithçka, do t`i thyejë e do t`i copëtojë të gjitha këto.
- 41 Kurse shputat e këmbëve që i pe pjesërisht prej bote e pjesërisht prej hekuri, do të jetë një mbretëri e ndarë: do të ketë njëfarë fuqie, sipas asaj që pe se ishte një pjesë hekuri e përzier me botë.
- 42 Gishtat e këmbëve pjesërisht hekuri e pjesërisht prej bote: mbretëria do të jetë pjesërisht e fortë e pjesërisht e dobët.
- 43 E fakti se pe se hekuri ishte i bashkuar me lloq bote: ato do të bashkohen me farë njerëzore, por nuk do të mund të qëndrojnë së bashku, sikurse edhe hekuri nuk mund të ngjitet me argjilë.
- 44 Në kohën e këtyre mbretërive, Hyji Qiellor do ta ngrejë një Mbretëri që kurrë e për këtë jetë nuk do të shkatërrohet as nuk do t`i lihet në dorë një populli tjetër: do t`i shkatërrojë e do t`i përpijë të gjitha këto mbretëri, kurse ajo do të qëndrojë për amshim.
- 45 E pasi pe se prej malit u shkëput një gur vetiu pa dorë të kujt dhe e copëtoi botën e hekurin, bronzin, argjendin e arin, Hyji i Madh i dëftoi mbretit çfarë do të vijë pastaj. Ëndrra është e vërtetë e shpjegimi i saj është besnik. Nabukodonozori dëshmon besimin në Hyjin
- 46 Atëherë mbreti Nabukodonozor ra me fytyrë përdhe përpara Danielit. Dha urdhër t`i kushtojnë fli e t`i djegin kem.
- 47 Mbreti pastaj mori fjalën e i tha Danielit: Për të vërtetë Hyji juaj është Hyji i hyjnive, Zotëruesi i mbretërve dhe Zbuluesi i mistereve pasi munde ta zbulosh këtë fshehtësi.
- 48 Mbreti i dha Danielit një zyrë të lartë, i dha dhurata të shumta e të mëdha dhe e vuri prijës mbi të gjitha krahinat e Babilonisë, princ mbi të gjithë qeveritarët, kryetar mbi dijetarët e Babilonisë.
- 49 Danieli kërkoi prej mbretit të caktojë për qeveritarë të krahinës së Babilonisë Sedrakun, Misakun dhe Abdenagon, kurse vetë Danieli qëndroi në pallatin e mbretit.