Beselidhja e VjeterDanieli: Gostia e Baltazarit
- 1 Mbreti Baltazar u bëri një gosti të madhe një mijë bujarëve të vet e bashkë me ta u dha të pijë verë.
- 2 Baltazari i dehur dha urdhër të sillen enët e arta e të argjendta, që i kishte marrë babai i tij Nabukodonozori prej Tempullit të Jerusalemit që të pinte me to mbreti, bujarët e tij, gratë dhe shemrat e tij.
- 3 Atëherë i sollën enët e arta që kishin qenë marrë nga Tempulli i Jerusalemit. Pinë me to mbreti, bujarët e tij, gratë e shemrat e tij:
- 4 pinin verë e lavdëronin zotat e vet të artë, të argjendtë, të bronztë, të hekurt, të drunjtë e të gurtë.
- 5 Atëherë u dukën gishtat e dorës së njeriut dhe shkruan përballë pishtarit të madh në mur të pallatit të mbretit. Mbreti i shihte mirë gishtat e dorës së shkruesit.
- 6 Mbretit iu zverdh fytyra, mendimet e trazuan, gjymtyrët e ijëve të tij e lëshuan e gjunjët filluan t`i përplasen për njëri-tjetrin.
- 7 Atëherë mbreti lëshoi një ulërimë të madhe e kërkoi të sillen magjistarë, kaldenj e dijetarë. Mbreti mori fjalën e u tha dijetarëve të Babilonisë: Atë që do ta lexojë këtë shkrim e të mund ta shpjegojë, me purpur do ta vesh, me rreth ari do t`i rrethohet qafa dhe do të jetë i treti me pushtet në mbretërinë time.
- 8 Atëherë hynë të gjithë dijetarët e mbretit, por nuk ditën ta lexojnë shkrimin as t`ia shpjegojnë mbretit.
- 9 Kjo bëri që mbreti Baltazar të shqetësohej edhe më tepër dhe krejtësisht u përçudnua në fytyrë. U tmerruan bashkë me të edhe të gjithë bujarët e tij.Këshilla e mbretëreshës
- 10 Mbretëresha, pasi dëgjoi fjalën e mbretit e të bujarëve, hyri në sallën e gostisë. Ajo tha: Rrofsh sa malet, o mbret! Të mos të të trazohen mendimet e tua dhe mos u zverdh në fytyrë!
- 11 Në mbretërinë tënde është një njeri që ka në vetvete shpirtin e zotave të shenjtë. Edhe në ditët e babait tënd në të u gjend dije, kuptim e urti në përngjasim të dijes së zotave. Këndej edhe yt atë Nabukodonozori mbret e bëri prijësin e magjistarëve, të shituesve, të kaldenjve e të dijetarëve. Yt atë, o mbret,
- 12 sepse u gjend në të, në Danielin, të cilin mbreti e quajti Baltazar, një shpirt i aftë jashtëzakonisht, mençuri, kuptim, shtjellim ëndrrash, zbulim fshehtësish e shpjegim gjëegjëzash. Prandaj, le të thirret Danieli e ta tregojë domethënien!Danieli para mbretit
- 13 Kështu, pra, e futën Danielin te mbreti. Mbreti i tha Danielit: A je ti ai Danieli nga bijtë e shpëgulur të Judës, të cilin e solli im atë nga Juda?
- 14 Dëgjova se ti ke shpirtin e zotave dhe se është gjetur në ty një dije, kuptim e urti e madhe.
- 15 Tani m`i sollën këtu në praninë time të dijshmit, magjistarët për ta lexuar këtë shkrim, por nuk mundën ta lexojnë as të ma shtjellojnë vështrimin.
- 16 E unë dëgjova për ty se mundesh t`i shtjellosh të fshehtat e t`i zhvillosh gjëegjëzat: nëse, pra, mundesh ta lexosh shkrimin e të ma dëftosh vështrimin e tij, do të vishesh me purpur e rreth qafe do të të vë një varg të artë dhe do të jesh princi i tretë në mbretërinë time.
- 17 Danieli iu përgjigj mbretit e i tha: Dhuratat e tua lëri për vete e dhuntitë e tua jepja një tjetri. Unë shkrimin do ta lexoj, o mbret, dhe do ta dëftoj vështrimin e tij.
- 18 O mbret, Hyji i Tejetlartë i dha babait tënd Nabukodonozorit mbretërinë, madhërinë, lavdinë e nderin.
- 19 Në saje të madhërisë që ia kishte dhuruar, të gjithë popujt, fiset e gjuhët e nderonin dhe e druanin. Ata që donte i vriste, kë donte e godiste, kë donte e lartësonte e kë donte e përulte.
- 20 Por, kur iu rrit mendja e kur shpirti i tij u përforcua në krenari, qe hedhur nga froni i mbretërisë së vet dhe qe lënë pa farë nderimi,
- 21 qe dëbuar nga rrethi i njerëzve, zemra iu bë si zemër bagëtie, iu desh të banojë me gomarë të egjër, hëngri bar porsi lopët dhe trupi i tij qe lagur nga vesa e qiellit derisa ia doli ta kuptojë se Hyji i Tejetlartë ka pushtet mbi mbretërinë e njerëzve dhe e vë në kokë të saj atë që Ai do.
- 22 Po edhe ti, o Baltazar, biri i tij, megjithëse i dije të gjitha këto, nuk e përvujtërove mendjen tënde,
- 23 por e lartësove vetveten përmbi Hyjin e Qiellit, urdhërove të sillen te ti enët e Tempullit të tij dhe ti e bujarët e tu, gratë e tua e shemrat e tua, pitë verë me to, madje ju edhe i lavdëruat edhe hyjnitë e argjendta, të arta, të bronzta, të hekurta, të drunjta e të gurta që s`shohin as s`dëgjojnë as s`kanë ndjenja, kurse nuk i dhatë lavdi Hyjit që në dorën e vet e ka frymën tënde dhe të gjitha udhët e tua.
- 24 Ai, pra, e dërgoi këtë dorë që e shkroi këtë shkrim.
- 25 Dhe, ja, çka shkruan: mane, thecel, upharsin.
- 26 Ky është veshtrimi i fjalëve: mane;Hyji e ka peshuar mbretërinë tënde dhe i dha fund;
- 27 thecel;u peshove në peshore dhe u gjete i papeshë;
- 28 fares;u nda mbretëria jote dhe iu dha medëve e persianëve.
- 29 Atëherë Baltazari dha urdhër të vishet Danieli me purpur, t`i vihet rreth qafës vargu i artë dhe të shpallet me zëdhënës se është i treti me pushtet në mbretërinë e tij.
- 30 Po atë natë qe vrarë Baltazari, mbreti i kaldenjve.