Beselidhja e VjeterDanieli: Djelmoshat e Judës në oborrin e Nabukodonozorit
- 1 Në të tretin vit të mbretërimit të Joakimit, mbretit të Judës, erdhi Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, në Jerusalem dhe e rrethoi.
- 2 Zoti ia la në dorë Joakimin, mbretin e Judës, dhe një pjesë të enëve të Shtëpisë së Hyjit. Ky i mbarti ato në tokën Senaar, në tempullin e hyjnive të veta dhe i vendosi në thesaret e shtëpisë së hyjnive të veta.
- 3 Mbreti e urdhëroi Asfanazin, kryetarin e oborrtarëve të vet, që t`i sjellë prej bijve të Izraelit, nga dera mbretërore e bujarë
- 4 disa djelmosha pa të meta, të hijshëm për kah pashia e të pajisur me të gjitha dijet, të mësuar mirë e të edukuar mirë: të tillë që të mund të qëndrojnë në pallatin e mbretit me qëllim që të mësonin shkrimin dhe gjuhën e kaldenjve.
- 5 Mbreti u caktoi sasinë ushqimore për çdo ditë nga ushqimet e vera që pinte vetë. Do të edukoheshin për tre vjet e pastaj do të kishin për të dalë para mbretit.
- 6 Ndër ta nga bijtë e Judës ishin: Danieli, Anania, Mizaeli dhe Azaria.
- 7 Kryetari i oborrtarëve ua ngjiti emrat: Danielit Baltazar, Ananisë Sedrak, Mizaelit Mizak dhe Azarisë Abdenago.Besnikëria e Danielit ndaj Ligjit
- 8 Por Danieli vendosi në zemrën e vet të mos përdhoset me ushqime nga tryeza e mbretit as me verë të pijeve të tij dhe me lutje iu drejtua kryetarit të oborrtarëve që të mos ndotej.
- 9 Zoti bëri që Danieli të gjente hir e mëshirë në sytë e kryetarit të oborrtarëve
- 10 dhe atëherë kryetari i oborrtarëve i tha Danielit: E kam frikë zotërinë tim, mbretin, i cili iu caktoi ushqimin dhe pijen e në qoftë se e heton se jeni më të thatë në fytyrë se djelmoshat e tjerë të moshës suaj, atëherë ju do të jeni shkaku i dënimit tim para mbretit.
- 11 Por Danieli i tha rojtarit që kryetari i oborrtarëve ua kishte caktuar Danielit, Ananisë, Mizaelit e Azarisë:
- 12 Na vër në provë, po të lutem, ne shërbëtorët e tu, për dhjetë ditë e na jepni për ushqim barishte e për pije ujë,
- 13 atëherë shiko fytyrat tona e fytyrat e djelmoshave që ushqehen me ushqime të mbretit dhe bëj me shërbëtorët e tu sipas asaj që të kesh parë.
- 14 Ai e pranoi këtë kërkesë dhe i vuri në provë për dhjetë ditë.
- 15 Pas dhjetë ditësh fytyra e tyre ishte më e mirë dhe më e plotë se e të gjithë djelmoshave që ushqeheshin me shujtën mbretërore.
- 16 Që atë ditë rojtari ua hoqi ushqimet dhe verën për pije të tyre dhe u jepte perime.Në shërbim të mbretit
- 17 Këtyre katër djelmoshave Hyji u dhuroi dije e kuptim në çdo shkrim dhe dituri, kurse Danielit i dhuroi edhe dijen e të gjitha vegimeve e të ëndrrave.
- 18 Si u plotësuan ditët e caktuara prej mbretit, pas të cilave djelmoshat duheshin të nxirreshin para mbretit, kryetari i oborrtarëve i paraqiti para Nabukodonozorit.
- 19 Pasi mbreti foli me ta, prej të gjithëve nuk u gjetën të tillë si Danieli, Anania, Mizaeli e Azaria: të cilët mbetën në shërbimin e mbretit.
- 20 Në çdo çështje urtie e dijeje, për të cilat u bëri pyetje, mbreti gjeti se ata ishin dhjetë herë më të aftë se të gjithë magjistarët e astrologët që ishin në mbarë mbretërinë e tij.
- 21 Danieli qëndroi aty deri në vitin e parë të mbretit Cir.