Beselidhja e VjeterDanieli: Vegimi i njeriut të veshur me petk liri
- 1 Në vitin e tretë të Cirit, mbretit të persianëve, Danielit të mbiquajtur Baltazar, i qe zbuluar një fjalë: fjalë e vërtetë, luftë e madhe. Ai e mori vesh fjalën, kuptimi i qe dhënë në vegim.
- 2 Ndër ato ditë, unë, Danieli po bëja një agjërim tri javësh:
- 3 nuk hëngra ushqime të shijshme, mish as verë nuk shtieva në gojën time, por as me erëra të mira nuk u lyeva derisa morën fund këto tri javë ditë.
- 4 Të njëzetekatërtën ditë të muajit të parë, ndodhesha në brigjet e lumit të madh, Tigrit.
- 5 I çova sytë për të shikuar, dhe ja, pashë një njeri të veshur me petka të linjta, të ngjeshur ijësh me brez prej ari të Ofirit.
- 6 Trupi i tij i përngjante krizolitit, fytyra e tij porsi rrufeja e sytë e tij porsi vravashka e ndezur flakë, krahët e këmbët e tij porsi dukja e bronzit të skuqur e zëri i të folurit të tij porsi zëri i shumicës.
- 7 Vetëm unë Danieli e vrojtoja këtë vegim. Njerëzit që ndodheshin me mua, nuk e panë këtë vegim, por i pushtoi një tmerr i madh dhe ikën për t`u fshehur.
- 8 Unë mbeta vetëm dhe po e vrojtoja këtë pamje të madhërueshme. Pikë fuqie s`më mbeti, deri edhe fytyra m`u zbeh, u shemtova e mbeta pa fuqi fare.Dukja e engjëllit
- 9 E dëgjova zërin e fjalëve të tij. Duke dëgjuar zërin e fjalëve të tij u paka e rashë me fytyrë përdhe: fytyra m`u ngjesh përdhe.
- 10 Dhe ja, një dorë më preku e më ndreqi në gjunjë e mbi shuplakat e duarve të mia.
- 11 Atëherë më tha: Daniel, njeri tejet i dashur, vëru vesh fjalëve që do t`i them! Çohu në këmbë të tua, sepse, ja, jam i dërguar te ti. Kur m`i tha këto fjalë, u çova në këmbë e dridhesha.
- 12 Ai vazhdoi e më tha: Daniel, mos u tremb, sepse që prej ditës së parë kur bëre çmos që të kuptosh duke e përvujtëruar vetveten para Hyjit tënd, u vështruan fjalët e tua dhe unë erdha në saje të fjalëve të tua.
- 13 Princi i mbretërisë persiane më kundërshtoi njëzet e një ditë; por, ja, më erdhi në ndihmë Mikaeli, njëri nga prijësit e parë; unë mbeta aty pranë mbretit të persianëve.
- 14 Por erdha të të mësoj çfarë do t`i ndodhë popullit tënd në ditët e fundit, sepse është edhe një vegim për ato ditë.Engjëlli i jep guxim Danielit
- 15 Ndërsa po m`i fliste këto fjalë, rashë me fytyrë përdhe e heshta.
- 16 Dhe, ja, dikush me fytyrë si njeri, i preku buzët e mia. Unë nisa të flas e i thashë atij që më qëndronte përballë: Imzot, ky vegim po më zë ngushtë e fije trimërie nuk më mbeti.
- 17 E si atëherë do të mund të bisedojë një shërbëtor i Imzotit sikurse unë, me Zotërinë tim? Në mua s`ka mbetur asnjë shkëndijë trimërie dhe mbeta pa frymë.
- 18 Atëherë përsëri ai që dukej si njeri më preku e ma përtëriu fuqinë.
- 19 Më tha: Mos u tremb, njeri tejet i dashur! Paqja me ty! Merr fuqi! Ji i fortë! Ndërsa po fliste me mua, mora zemër e thashë: Fol, Imzot, sepse më trimërove!Lajmërimi profetik
- 20 Tha: A e di pse kam ardhur te ti? Tani do të kthehem për të luftuar me princin e Persisë. Posa të kem kryer, do të vijë princi i Greqisë.
- 21 Pëjëmend do të të lajmëroj çfarë shkruan në Librin e së vërtetës. Askush nuk më ndihmon kundër këtyre përveç Mikaelit, princit tuaj.