Beselidhja e VjeterDanieli: Ngjallja dhe shpërblimi
- 1 Në atë kohë do të ngritet Mikaeli, Princi i Madh, që i mbron bijtë e popullit tënd. Kjo do të jetë një kohë ngushtice të madhe. E tillë nuk qe që kur filluan të jetojnë popujt e deri në atë kohë! Në këtë kohë populli yt do të shpëtojë: secili që do të gjendet i shkruar në Libër.
- 2 Një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm.
- 3 Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumë njerëzve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm.Profecia e vulosur
- 4 Ti, o Daniel, ndryji këto fjalë e vulose librin deri në kohën e Mbarimit! Do të enden shumë e dija do të jetë e shumëfishtë.
- 5 Unë Danieli po shikoja, dhe ja, dy të tjerë po qëndronin në këmbë: njëri këndej, mbi bregun e lumit, tjetri andej, në anën tjetër, në bregun e lumit.
- 6 Njëri i tha njeriut të veshur me petka të linjta e qëndronte përmbi ujin e lumit: Kur do të marrin fund këto gjëra të mrekullueshme?
- 7 E dëgjova njeriun që ishte i veshur me të linjta e që qëndronte përmbi ujët e lumit, i cili, lartësuar dorën e djathtë dhe dorën e majtë drejt qiellit, u përbetua me Atë që jeton përgjithmonë: Pas një kohe, kohëve e pas gjysmë kohe;kur të vijë mbarimi i shpartallimit të fuqisë së popullit të shenjtë;do të përmbushen të gjitha këto.
- 8 Unë e dëgjova, por gjë s`mora vesh e thashë: Imzot, si do të marrin fund këto?
- 9 Tha: Shko, Daniel! Këto janë fjalë të fshehta e të vulosura deri në kohën e Mbarimit.
- 10 Shumë do të pastrohen, do të zbardhohen e do të vihen në provë. Të paudhët do të bëjnë paudhësi; të paudhët gjë nuk do të kuptojnë. Dijetarët do të marrin vesh.
- 11 Prej kohës kur do të këputet flia e përditshme e dot`i vihet turpi shkatërruesit: do të kalojnë një mijë e dyqind e nëntëdhjetë ditë.
- 12 I lumi ai që pret e arrin deri në një mijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë!
- 13 Ti shko deri në Mbarim. Pusho. Do të ngrihesh ta marrësh shpërblimin tënd në mbarimin e ditëve.