Beselidhja e VjeterLevitiku: Shenjtëria e Priftërisë
- 1 Zoti i tha Moisiut:Fol me priftërinj, bijtë e Aronit dhe thuaju:Prifti të mos bëhet i papastër duke prekur kufomën e bashkëvendasve;
- 2 përveç të farefisnisë (afërisë) së vet më të ngushtë: d. m. th. t`ëmës së vet, t`et, djalit të vet, vajzës së vet, të vëllait të vet
- 3 edhe të motrës së vet, virgjër, që është edhe ajo e afërme, sepse nuk është e martuar, mund të bëhet i papastër.
- 4 Por le të mos bëhet i papastër si i martuar, duke prekur kufomën e afërisë së vet, që të mos e përdhosë shugurimin.
- 5 Mos ta rruajnë kokën as mjekrrën dhe të mos bëjnë prerje në trup të vet me shkrime.
- 6 Le të jenë të shuguruarit e Hyjit të vet dhe të mos e çnderojnë emrin e tij: ata kushtojnë fli që digjen në nder të Zotit dhe shujtën e Hyjit: prandaj le të jenë të shenjtë.
- 7 Të mos marrin për grua: lavirën, të dhunuarën dhe gruan që e lëshon burri: sepse prifti është i shuguruari i Hyjit të vet.
- 8 Mbaje për të shenjtë, sepse prifti ia kushton Hyjit tënd bukën. Pra, le të jetë për ty shenjt, sepse unë jam shenjt, Zoti, që ju shenjtëroj.
- 9 Bija e priftit, nëse e çnderon veten me lavirësi, çnderon të atin: le të digjet në flakë!B. Kryeprifti
- 10 Prifti, ai më i madhi ndër vëllezërit e vet, mbi kokë të të cilit qe derdhur vaji i shugurimit, duart e të cilit qenë shuguruar, që është veshur me petkat e shenjta, të mos i shprishë flokët e vet as të mos i shqyejë petkat e veta;
- 11 dhe të mos hyjë assesi te kurjë i vdekur e të mos bëhet i papastër as për të atin as për t`ëmën e vet;
- 12 as të mos dalë nga Shenjtërorja që të mos e përdhosë Shenjtëroren e Zotit: është i shuguruar me vajin e lyerjes së Hyjit të vet. Unë jam Zoti.
- 13 Për grua le të marrë vajzë që është ende virgjër.
- 14 Të mos marrë, pra, për grua: as vejushën, as të lëshuarën, as të dhunuarën, as lavirën, por për grua të marrë një vajzë ende virgjër prej popullit të vet;
- 15 kështu nuk do ta çorodisë trashëgiminë e vet në popullin e vet. Unë jam Zoti që e shenjtëroj atë.C. Pengesat që ndalojnë priftërinë
- 16 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 17 Fol me Aronin: asnjë prej pasardhësve të tu, brez pas brezi, nëse ka ndonjë të metë në trupin e vet, të mos afrohet për t`ia kushtuar bukën Hyjit të vet.
- 18 Askush që ka ndonjë të metë, të mos afrohet: i verbëti, i shqepti, hundëshëmtuari ose gjymtyrëshëmtuari,
- 19 duarthyeri ose këmbëthyeri,
- 20 i kërrusuri, shkurtabiqi, sysëmuri, i lijosuri, truppuçërrosuri ose i tredhuri.
- 21 Kështu, pra, askush prej pasardhësve të Aronit prift që ka ndonjë të metë trupore të mos afrohet t`i kushtojë flitë e shkrumbimit Zotit as bukën Hyjit të vet.
- 22 Mund të hajë veç prej flive më të shenjta e të shenjta të Hyjit të vet;
- 23 por të mos hyjë te koltrina, as të mos i afrohet lterit, sepse ka të metë, e nuk guxon t`i përdhosë gjërat e shenjtëruara të miat, sepse unë jam Zoti që i shenjtëroj ato.
- 24 Moisiu ia tregoi këto Aronit, bijve të tij dhe mbarë izraelitëve.