Beselidhja e VjeterJona: Jona kundër dërgimit të vet
- 1 Fjala e Zotit i qe drejtuar Jonës, birit të Amatit, e i tha:
- 2 Çohu e shko në qytetin e madh të Ninivës e prediko në të se fajësia e tyre ka arritur deri tek unë.
- 3 Jona u çua për të ikur në Tarsis, larg prej Zotit. Zbriti në Jope, gjeti një anije që udhëtonte për Tarsis, pagoi çmimin e udhëtimit e hyri në të për të shkuar me ta në Tarsis, larg prej Zotit.
- 4 Por Zoti çoi në det një erë të madhe dhe në det u çua një stuhi e madhe sa që anija ishte në rrezik të copëtohej.
- 5 Detarët i kapi frika e secili e thirrte në ndihmë zotin e vet dhe, për ta lehtësuar anijen, i hodhën barrët në det. Ndërkaq Jona ishte ulur në fund të anijes, kishte rënë e po flinte me gjumë të rëndë.
- 6 Kapiteni i anijes iu afrua e i tha: Çka? Ti po vdes në gjumë!? Çohu, thirre në ndihmë Hyjin tënd! Ndoshta Hyji mendon për ne e nuk mbytemi.
- 7 Atëherë i thanë njëri-tjetrit: Ejani të hedhim short e të dimë pse na gjeti kjo e keqe. Hodhën short e shorti ra mbi Jonën.
- 8 Atëherë i thanë: Na trego për ç`shkak na erdhi kjo e keqe.Cila është thirrja jote? Nga po vjen? Cili është vendi yt? Cilit popull i përket?
- 9 Ai iu përgjigj: Unë jam hebre, adhuroj Zotin, Hyjin e qiellit, i cili krijoi detin e tokën.
- 10 Njerëzit i kapi frikë e madhe e i thanë: Pse bëre kështu! E kishin marrë vesh se po ikte larg prej Zotit, madje edhe vetë u tregoi.
- 11 Ata e pyetën: Çfarë të bëjmë me ty që të qetësohet deti? Sepse deti vinte e trazohej gjithnjë e më tepër.
- 12 Ai u tha: Më kapni e më hidhni në det e deti do të qetësohet. Sepse e di mirë se kjo stuhi e madhe u çua kundër jush për shkakun tim.
- 13 Njerëzit u jepnin rremave për t`u kthyer në terik, por s`mundnin sepse deti tërbohej edhe më fort.
- 14 Atëherë iu lutën Zotit e thanë: Ah, o Zot, mos lejo të vdesim për shkak të jetës së këtij njeriu dhe mos na e ngarko gjakun e pafajshëm, sepse ti, o Zot, ke vepruar sikurse ke dashur!
- 15 E kapën Jonën dhe e hodhën në det. Deti e qetësoi furinë e vet.
- 16 Njerëzit i pushtoi një frikë e madhe nga Zoti; i paraqitën fli dhe i bënë kushte Zotit.