Beselidhja e VjeterZakaria: Lufta eskatologjike: shkëlqimi i Jerusalemit
- 1 Ja, po vjen një ditë për Zotin: do tëndahen plaçkat e tua në mesin tënd!
- 2 Tok do t`i bashkoj të gjitha kombet për të luftuar kundër Jerusalemit. Qyteti do të merret, shtëpitë do të shkretohen e gratë do të dhunohen! Gjysma e qytetit do të shkojë në skllavëri, pjesa tjetër nuk do të nxirret nga qyteti.
- 3 Atëherë Zoti do të dalë e do të luftojë kundër këtyre kombeve si di Ai të luftojë në ditën e luftimit.
- 4 Këmbët e tija atë ditë do të qëndrojnë mbi Malin e Ullinjve që është përballë Jerusalemit në lindje. Mali i Ullinjve do të ndahet dysh: një pjesë në lindje e një pjesë në perëndim. Do të trajtohet një luginë e thellë shumë: njëra pjesë do të mbajë në veri e tjetra në jug.
- 5 Ju do të ikni në luginën e këtyre maleve, sepse lugina e maleve do të arrijë deri në Jasol; do të ikni sikurse ikët nga tërmeti në ditët e Ozisë, mbretit të Judës. Atëherë do të vijë Zoti, Hyji im, e me të të gjithë shenjtërit.
- 6 Do të ndodhë: atë ditë nuk do të ketë dritë, por të ftohtë e akull.
- 7 E do të jetë një ditë e veçuar;këtë e di Zoti;as ditë as natë; në mbrëmje do të ndriçojë drita!
- 8 Do të ndodhë: atë ditë do të pëlcasin ujërat e gjalla në Jerusalem: gjysma e tyre do të derdhen në Detin e Lindjes e gjysma e tyre në Detin e Perëndimit: kështu do të jetë verës e dimrit!
- 9 Atëherë Zoti do të jetë Mbreti i mbarë tokës: atë ditë do të jetë një Zot i vetëm e një i vetëm do të jetë Emri i tij!
- 10 Mbarë toka do të bëhet e shkretë prej Gabës e deri në Remon, në jug të Jerusalemit, i cili do të ngallitë e do të banohet në vendin e vet që prejDerës së Beniamit deri te Dera e Parë, deri te Dera e Këndeve, atëherë prej qytezës Hananeel deri në Shtrydhësit e mbretit.
- 11 Do të banohet në të e nuk do të ketë më mallkim, e Jerusalemi do të banohet në qetësi.
- 12 Dhe, ja, varra, me të cilën do t`i goditë Zoti të gjithë popujt që do të luftojnë kundër Jerusalemit: secilit do t`i kalbet mishi, ndërsa ende do të qëndrojnë në këmbë të veta; sytë do t`u kalben në birat e syve, në gojë do t`u kalbet gjuha.
- 13 Atë ditë Zoti do ta çojë një kryengritje të madhe ndër ta: njëri do t`ia kapë tjetrit dorën, njëri kundër tjetrit do të çojë dorë.
- 14 Edhe Juda do të luftojë në Jerusalem. Pasuritë e të gjitha kombeve përreth do të bashkohen: ar, argjend e petka në një sasi tejet të madhe.
- 15 Me plagë të tillë do të goditen kuajt, mushqit, gamilet, gomarët dhe të gjitha kafshët që do të gjenden në fushime.
- 16 Po edhe të gjithë që do të mbesin gjallë prej atyre kombeve që erdhën të luftojnë kundër Jerusalemit, vit për vit do të ngjiten për ta adhuruar Mbretin, Zotin e Ushtrive e për të festuar të kremten e Tendave.
- 17 E do të ndodhë: në qoftë se ndonjë fis i tokës nuk do të ngjitet në Jerusalem për ta adhuruar Mbretin, Zotin e Ushtrive, shi mbi ta s`do të bjerë.
- 18 Po në qoftë se as fisi i Egjiptit nuk do të ngjitet e nuk do të vijë, do ta gjejë po ai frushkull me të cilin Zoti do t`i godasë kombet që nuk do të ngjiten për ta kremtuar festën e Tendave.
- 19 I tillë do të jetë ndëshkimi për Egjiptin e për të gjithë popujt që nuk do të ngjiten për ta kremtuar festën e Tendave.
- 20 Atë ditë do të jetë mbi cingaret e kuajve e shkruar:`I kushtuar Zotit`; e në Shtëpinë e Zotit do të jenë kusi porsi kupat e flijimit para lterit.
- 21 Madje çdo kusi në Jerusalem e në Judë do të jetë e kushtuar Zotit të Ushtrive. Të gjithë ata që do të duan të kushtojnë do të vijnë e do të marrin sosh e do të zijnë në to. Atë ditë nuk do të ketë më tregtar në Shtëpinë e Zotit të Ushtrive.