Beselidhja e ReMateu: Shëmbëlltyra e dhjetë vajzave
- 1 Atëherë Mbretëria e qiellit do t`u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit.
- 2 Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura.
- 3 Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin.
- 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.
- 5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi.
- 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: `Ja, dhëndri! Dilini përpara!`
- 7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta.
- 8 Atëherë marroqet u thanë të urtave: `Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.`
- 9 Të mençurat u përgjigjën: ` Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!`
- 10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera.
- 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: `Zotëri, o zotëri, na e çel derën!`
- 12 Por ai iu përgjigj: `Pëjëmend po ju them: nuk ju njoh!`
- 13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!Shëmbëlltyra e talentave(Lk 19, 11-27)
- 14 Sepse do të vijë sikurse ai njeriu që, kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta.
- 15 Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij e u nis për udhëtim.
- 16 Menjëherë ai që mori pesë talenta u çua dhe i futi në punë e me ta fitoi edhe pesë të tjerë.
- 17 Po ashtu, edhe ai që mori dy talenta, fitoi edhe dy tjerë.
- 18 Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehu paranë e zotërisë së vet.
- 19 Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre.
- 20 E si doli para ai që kishte marrë pesë talenta, i nxori para edhe pesë të tjerë e tha: `Zotëri, ti më pate dhënë pesë talenta, ja, edhe pesë të tjerë që i fitova.`
- 21 Iu përgjigj zotëria i tij: Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në gjëra të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!`
- 22 U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talenta e tha: `Zotëri, ti më pate dhënë dy talenta, ja, edhe dy të tjerë që i fitova!`
- 23 Iu përgjigj zotëria i tij: `Të lumtë, shërbëtor i mirë, e besnik! Pse u dëftove besnik në gjëra të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!`
- 24 Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: `Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe,
- 25 u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja, tani gjënë tënde!`
- 26 Zotëria i tij iu përgjigj me këto fjalë: `Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s`mbolla, mbledh ku nuk hodha,
- 27 prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë.
- 28 Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talenta!
- 29 Sepse, atij që ka do t`i jepet më e do të ketë me shumicë, e atij që s`ka, do t`i merret edhe ajo pakicë që ka!
- 30 E shërbëtorin e pavlefshëm nxirreni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh!`Gjyqi i fundit i mbarë botës
- 31 E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm.
- 32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t`i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve.
- 33 Delet do t`i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.
- 34 Atëherë Mbreti do t`u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: `Ejani të bekuarit e Atit tim! Meri në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës!
- 35 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët,
- 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.`
- 37 Të drejtët atëherë do t`i përgjigjen: `Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish?
- 38 Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm?
- 39 Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?`
- 40 Mbreti do të përgjigjet: `Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.`
- 41 Pastaj do t`u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: `Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij!
- 42 Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët,
- 43 isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.`
- 44 Atëherë edhe ata do t`i përgjigjen: `Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, në burg e nuk t`u gjetëm në nevojë?`
- 45 E ai do t`u përgjigjet: `Për të vërtetë po ju them: çkado s`bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.`
- 46 Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.