Beselidhja e ReMateu: Mësimi mbi lëmoshën
- 1 Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t`u parë prej tyre! Pëdryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell.
- 2 Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t`u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim!
- 3 Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë,
- 4 e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.Mësimi mbi lutjen(Lk 11, 2-4)
- 5 Kur të luteni, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t`i shohin njerëzit. Pëjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim!
- 6 Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.
- 7 E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t`u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë.
- 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t`i luteni.
- 9 Prandaj lutuni kështu:Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë Emri yt!
- 10 Ardhtë Mbretëria jote!U bëftë vullneti ytsi në qiell ashtu në tokë!
- 11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot!
- 12 Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë!
- 13 E mos na lër të biem në tundim, por na shpëto nga i Keqi!
- 14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t`jua falë juve;
- 15 por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t`jua falë juve gabimet tuaja.Mësimi mbi agjërimin
- 16 Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t`u treguar njerëzve se agjërojnë: pëjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim!
- 17 Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde,
- 18 që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.Thesari në qiell(Lk 12, 33-34)
- 19 Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin!
- 20 Mblidhni për vete visare në qiell, ku s`brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure as nuk vjedhin.
- 21 Sepse, ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.Drita e trupit(Lk 11, 34-36)
- 22 Syri është dritëza e trupit. Në qoftë, pra, se syri yt është i shëndoshë, i tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar.
- 23 Por në qoftë syri yt i sëmurë, i tërë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë, pra, se drita që është në ty është errësirë, sa terr i madh do të jetë!Hyji dhe mamona(Lk 16, 13)
- 24 Askush s`mund t`u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose do t`i mbështetet njërit e tjetrit do t`ia kthejë shpinën. Nuk mund t`i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.Kujdesi i tepruar ndaj pasurisë dhe brengosja(Lk 12, 22-34)
- 25 Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku?
- 26 Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata?
- 27 E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese që mund të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet?
- 28 E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin!
- 29 E unë po ju them: as vetë Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata!
- 30 Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër hidhet në furrë, vallë, a nuk do t`ju veshë më me ëndje ju, o fepakët?
- 31 Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: `Çka do të hamë?` e `Çka do të pimë?` `Me çka do të vishemi?`
- 32 këto gjëra i kërkojnë paganët;sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto.
- 33 Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t`ju jepen si shtesë!
- 34 Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft mundimi i vet!