Beselidhja e ReLuka: Pendohuni ose sharruat
- 1 Pikërisht atëherë ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre.
- 2 Jezusi iu përgjigj:A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë?
- 3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!
- 4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit?
- 5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!Shëmbëlltyra e fikut të pafryt
- 6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti.
- 7 Atëherë i tha vreshtarit: `Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?`
- 8 Ai iu përgjigj: `Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t`i qes pleh.
- 9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte... Po qe se jo, atëherë do ta presësh!`Jezusi shëron të shtunën një grua të kërrusur
- 10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë.
- 11 Dhe, ja, një grua që kishte tash tetëmbëdhjetë vjet në trup djallin;shkaktarin e sëmundjes: ishte e kërrusur dhe s`mund të drejtohej drejt assesi.
- 12 Kur Jezusi e pa, e thirri afër vetes dhe i tha:Fisnike, ja, u shërove prej sëmundjes sate!
- 13 I vuri duart mbi të, ajo pëjëherë u drejtua dhe zuri të lavdërojë Hyjin.
- 14 Kryetari i sinagogës, i zemëruar pse Jezusi e shëroi ditën e shtunë, i tha popullit:Janë gjashtë ditë, në të cilat duhet të punohet. Pra, në ato ditë ejani të shëroheni e jo të shtunave!
- 15 Shtiracakë!;iu përgjigj Zotëria;A nuk e zgjidh secili nga ju prej grazhdit kaun e gomarin e vet të shtunave e nuk e çon në ujë?
- 16 E kjo bijë e Abrahamit, të cilën Satani e mbajti lidhur që tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej nga këto pranga ditën e shtunë?!
- 17 Si tha kështu, të gjithë kundërshtarëve të tij u ra hije e zezë, ndërsa mbarë populli gufonte prej gëzimit, për të gjitha mrekullitë që bëri.Shëmbëlltyra e farës së sinapit dhe e tharmit(Mt 13, 31-33; Mk 4, 30-32)
- 18 Atëherë u tha:Me çka është e ngjashme Mbretëria e Hyjit? Me çka ta krahasoj?
- 19 Është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në kopsht të vet. Ajo me kohë u zhvillua e u bë pemë dhe shpendët e qiellit bënë çerdhe në degët e saj.
- 20 Dhe vijoi:Me çka tjetër ta krahasoj Mbretërinë e Hyjit?
- 21 Ajo i përngjan tharmit, të cilin e mori gruaja, e përzjeu me tri masë miell, derisa u mbrua krejt.Dera e ngushtë(Mt 7, 13-14; 21-23)
- 22 Në udhëtim për Jerusalem kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra.
- 23 Një njeri e pyeti:Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?Ai u tha:
- 24 Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.
- 25 Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: `Zotëri, na e hap derën!` e ai do t`ju përgjigjet: `S`di nga jeni!`
- 26 Atëherë do të vijoni të thoni: `Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshet tona!`
- 27 Por ai do të përgjigjet: `Unë nuk di nga jeni [ju]! M`u hiqnu sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!`
- 28 Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t`i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta.
- 29 E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit.
- 30 Po se, ka të prapëm që do të jenë të parët e të parë që do të jenë të prapëm!Vajtimi mbi Jerusalem(Mt 23, 37-39)
- 31 Po në atë moment iu afruan disa farisenj dhe i thanë:Dil e ik së këndejmi se Herodi do të të vrasë!
- 32 Ai iu përgjigj:Shkoni e thuajini asaj dhelpre: Ja, sot e nesër po dëboj djaj e po shëroj, të tretën ditë i jap fund.
- 33 Porse sot, nesër e pasnesër më duhet ta vazhdoj rrugën, sepse nuk ka hije që profeti të vdesë jashtë Jerusalemit.
- 34 Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e me gurë i mbyt ata që të dërgohen! Sa herë desha t`i bashkoj fëmijët e tu sikurse klluka i bashkon nën krahë zogjtë e vet ... e ju nuk deshët!
- 35 Mirë, pra, `shtëpia juaj do t`ju lihet juve!` Jo po, unë po ju them: nuk do të më shihni më deri [që të vijë dita] të thoni:`Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit`!