Beselidhja e ReVeprat e Apostujve: Pali në Efes
- 1 Ndërkohë që Apoloni ishte në Korint, Pali, pasi i përshkoi krahinat e epërme, erdhi në Efes. Aty gjeti disa nxënës
- 2 dhe u tha: Kur e pranuat fenë, a e morët Shpirtin Shenjt? Ata iu përgjigjën: Ne as që kemi dëgjuar se ka Shpirt Shenjt.
- 3 Cilin pagëzim atëherë;vazhdoi Pali;keni marrë? Ata u përgjigjën: Pagëzimin e Gjonit.
- 4 Pali u tha: Gjoni ka pagëzuar me pagëzimin e kthimit, duke i predikuar popullit që të besojnë në Atë që do të vijë pas tij, d. m. th. në Jezusin.
- 5 Kur dëgjuan, u pagëzuan në Emër të Jezusit Zot
- 6 e, kur Pali i vuri duart mbi ta, në ta zbriti Shpirti Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme e të profetizojnë.
- 7 Të gjithë së bashku ishin dymbëdhjetë burra.
- 8 Pali atëherë hyri në sinagogë dhe për tre muaj foli plot guxim: diskutonte e mundohej t`ua mbushë mendjen ta pranojnë Mbretërinë e Hyjit.
- 9 Por, pasi disa kokëfortë që s`donin të binden, filluan edhe të flasin keq e ta shajnë Udhën e Zotit para bashkësisë, Pali këputi marrëdhëniet me ta, i ndau nxënësit e filloi të mësojë përditë në shkollën e Tiranit.
- 10 Vazhdoi kështu për dy vjet. Kështu të gjithë banorët e krahinës së Azisë;hebrenj e grekë;e dëgjuan fjalën e Zotit.Bijtë e Shevës
- 11 Hyji, përmes duarve të Palit, bënte mrekulli të jashtëzakonshme,
- 12 aq sa vinin shamia e petka prej trupit të Palit përmbi të sëmurë dhe prej tyre zhdukeshin sëmundjet e dilnin shpirtrat e ndytë.
- 13 Po edhe disa çifutë, që endeshin andej këndej dhe përbenin shpirtrat e ndytë të dilnin, sprovuan ta thërrasin Emrin e Jezusit Zot, përmbi ata që kishin në trup shpirtrat e ndytë. Thoshin. Po ju përbej në Jezusin, të cilin e predikon Pali.
- 14 Këtë e bënin shtatë bijtë e një farë Sheve, kryepriftit çifut.
- 15 Por shpirti i keq ua ktheu: Jezusin e njoh dhe Palin e di, por ju kush jeni?
- 16 Dhe njeriu, në trupin e të cilit ishte djalli, u lëshua në ta, i mundi të gjithë dhe, të zhveshur e të plagosur, ikën prej asaj shtëpie.
- 17 Dëgjuan për këtë ngjarje banorët e Efesit;çifutë e grekë;dhe të gjithë i kapi tmerr i madh dhe madhërohej Emri i Zotërisë Jezus.
- 18 Shumë nga ata që besuan, vinin e rrëfenin ballafaqe dhe i tregonin veprimet e veta të shortisë.
- 19 Shumë prej atyre që kishin ushtruar mjeshtrinë e magjisë, i sillnin librat dhe i digjnin para të gjithëve. Kur e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se vlenin pesëdhjetë mijë drahma argjendi.
- 20 Kështu, me fuqinë e Zotit, fjala shtrihej vazhdimisht e fitonte në fuqi.Rrëmujë në Efes
- 21 Pas këtyre ngjarjeve, Pali vendosi të shkojë nëpër Maqedoni e Akajë për Jerusalem. Tha: Pasi të gjendem atje, do të shkoj ta shoh edhe Romën.
- 22 Atëherë dërgoi në Maqedoni dy ndihmësit e vet, Timoteun e Erastin, kurse ai kaloi edhe disa kohë në Azi.
- 23 Disi në atë kohë ndodhi një rrëmujë jo e vogël kundër Udhës.
- 24 Një argjendar, që quhej Dhimitër, punonte tempuj të vegjël të Artemidës dhe kështu u sillte fitesë jo të vogël mjeshtërve.
- 25 Ky i bashkoi këta dhe të gjithë të tjerët që merreshin me këtë veprimtari dhe u tha: Burra, ju e dini se fitesa jonë varet nga kjo mjeshtëri,
- 26 e po shihni se ky Pali, jo vetëm në Efes, por pothuajse edhe në mbarë Azinë, ia ka mbushur mendjen dhe e ka larguar një shumicë të madhe populli duke mësuar se nuk ka hyjni të punuara me dorë njeriu.
- 27 Kështu, jo vetëm është në rrezik mjeshtëria jonë, por edhe tempulli i Artemidës, hyjneshës së madhe, s`ka për t`u çmuar më dhe do të mbarojë madhëria e asaj, të cilën e nderon krejt Azia dhe bota mbarë.
- 28 Kur e dëgjuan, u hidhëruan dhe zunë të bërtasin: E madhe është Artemida e Efesit!
- 29 Pështjellimi zotëroi mbarë qytetin. Të gjithë së bashku u lëshuan në teatër duke i hequr zvarrë maqedonët, Gajin e Aristarkun, bashkudhëtarët e Palit.
- 30 Pali vetë deshi të parqitej para popullit, por nuk ia lejuan nxënësit.
- 31 Madje edhe disa aziarkë, miq të tij, çuan njerëz tek ai e iu lutën që të mos duket në teatër.
- 32 Ndërkaq, disa bërtitnin një gjë, disa një tjetër: të bashkuarit ishin pështjelluar plotësisht, aq sa shumë prej tyre, as pse kishin shkuar atje s`dinin më.
- 33 Disa prej popullit ia mbushën mendjen të flasë një farë Aleksandri. Këtë hebrenjtë e nxitnin të dalë para mbledhjes. Aleksandri dha shenjë me dorë e deshi të mbrohej para popullit.
- 34 Kur e morën vesh se ishte hebre, të gjithë njëzëri nisën të bërtasin pa pushuar për dy orë: E madhe është Artemida e Efesit!
- 35 Atëherë sekretari ia doli ta qetësojë dhe tha:Burra të Efesit! Cili njeri nuk e di se qyteti i Efesit është rojtari i tempullit të Artemidës së Madhe dhe i trupores së saj që ra nga qielli?
- 36 Pra, pasi kjo gjë s`mund të mohohet, duhet të qetësoheni, në mënyrë që të mos bëni ndonjë vepër për ngut.
- 37 I sollët këta njerëz, që s`janë as vjedhës të gjërave të shenjta e as që e kanë blasfemuar hyjneshën tonë.
- 38 Po qe se Dhimitri e mjeshtrat e tjerë të tij kanë ndonjë ankesë kundër ndokujt, gjyqet punojnë, e këtu janë edhe prokonsujt: le të paditen!
- 39 Nëse kërkoni ndonjë gjë tjetër, do t`i jepet fund në kuvend të rregullt.
- 40 Sepse kështu e vëmë veten në rrezik që të na çmohet kjo ngjarje e sotme si kryengritje, pasi s`kemi kurrfarë arsyeje, me anë të së cilës të mund ta përligjim këtë pështjellim. Posa foli kështu, e shpëdau kuvendin.