Beselidhja e Re1 e Korintasve: Edukimi i njerëzve për Hyjin
- 1 E vetë, vëllezër, nuk munda t`jupredikoj porsi njerëzve shpirtërorë, por porsi qenieve tokësore, porsi foshnjave në Krishtin.
- 2 Ju dhashë të pini qumësht e jo ushqime të forta, sepse ende nuk mund t`i bluanit. Po, madje as tani s`jeni në gjendje,
- 3 sepse ende jeni tokësorë. Dhe, njëmend, derisa në mes jush të ketë smirë e grindje, a thua nuk jeni tokësorë, a thua nuk silleni në mënyrën e njeriut thjesht lëndor?
- 4 Sepse, kur ndonjëri thotë: Unë jam i Palit e një tjetër: Unë jam i Apolit, a nuk jeni vetëm njerëz thjesht natyrorë?
- 5 Po çka është Apoli? Çka është Pali? Shërbëtorë, me anë të të cilëve ju e pranuat fenë. Secili veproi sipas dhuratave që Hyji i dha:
- 6 Unë mbolla, Apoli lagu, por Hyji bëri që të rritet.
- 7 Kështu: nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet.
- 8 Ai që mbjell e ai që lag janë të barabartë. Secili sipas mundit që të ketë bërë, do ta marrë shpërblimin.
- 9 Sepse ne punojmë së bashku në punën e Hyjit; e ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.
- 10 Sipas hirit që Hyji ma ka dhënë, unë, porsi arkitekt i mirë, vura themelin, një tjetër vazhdon me mur mbi të; por secili t`ia vërë mendjen si ndërton.
- 11 Sepse, askush nuk mund të vërë tjetër themel, përveç atij që është vënë, e ai është Jezu Krishti.
- 12 Kushdo të ndërtojë mbi këtë themel me ar, me argjend, me gur të paçmueshëm, me dru, me sanë, me kashtë
- 13 vepra e secilit do të dalë në dritë. Ajo Ditë do ta tregojë, sepse do të vijë me zjarr, e zjarri do ta provojë cilësinë e veprës të secilit.
- 14 Ai, vepra e të cilit do të qëndrojë, do të marrë shpërblimin.
- 15 Po iu dogj vepra ndokujt, ai do të pësojë dëm; njëmend do të shëlbohet, por si ai që shpëton nëpër zjarr.
- 16 Po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju?
- 17 Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë;e ky Tempull jeni ju!
- 18 Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë.
- 19 Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:`Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.`
- 20 dhe përsëri:`Zoti i njeh mendimet e të mençurve, e di se janë të kota.`
- 21 Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja:
- 22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja,
- 23 ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!