Beselidhja e Re1 e Korintasve: Çështje lidhur me martesën
- 1 Tani lidhur me çka më keni shkruar.Është mirë për njeriun të mos e prekë gruan.
- 2 Megjithatë, për arsye të rrezikut të fëlligështisë, secili le ta ketë gruan e vet dhe çdo grua le ta ketë burrin e vet.
- 3 Burri le ta kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.
- 4 Gruaja nuk është pronarja e trupit të vet, por burri. Gjithashtu as burri nuk është pronari i trupit të vet, por gruaja.
- 5 Mos ia mohoni njëri-tjetrit detyrën martesore, përveç me marrëveshje e përkohësisht që t`i kushtoheni lutjes e bashkohuni përsëri që djalli të mos ketë rast t`ju tundojë për shkak të papërmbajtjes suaj.
- 6 Këtë gjë jua them si lejim e jo si urdhër.
- 7 Kisha dashur që të gjithë njerëzit të ishin si unë; porse, secili e ka prej Hyjit dhuratën e vet të veçantë;njëri kështu e tjetri ashtu.
- 8 Të pamartuarve dhe vejushave u them se është mirë për ta nëse qëndrojnë si unë.
- 9 Por, nëse nuk janë të zotët të përmbahen, le të martohen;sepse më mirë është të martohen se të digjen.
- 10 Të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zotëria, që gruaja të mos ndahet prej burrit
- 11 por, po ndodhi që të ndahet, të mos martohet më ose të pajtohet me burrin;e burri të mos e lërë gruan.
- 12 Të tjerëve u them unë, e jo Zoti: në qoftë se ndonjë vëlla e ka gruan të pafe dhe ajo pranon të jetojë me të, të mos e lërë.
- 13 Po ashtu edhe gruaja që e ka burrin të pafe dhe ai pranon të jetojë me të, të mos e lërë burrin.
- 14 Sepse burri i pafe shenjtërohet prej gruas dhe gruaja e pafe shenjtërohet prej burrit të krishterë. Pëdryshe, fëmijët tuaj do të ishin të papastër, kurse kështu;janë shenjtër.
- 15 Po qe se pala jo e krishterë do të ndahet, le të ndahet; i krishteri dhe e krishtera në raste të tilla nuk janë të lidhur: sepse Hyji na thirri në paqe.
- 16 Vërtet, çka di ti, o grua, se do ta shëlbosh burrin? E nga e di ti, o burrë, se do ta shëlbosh gruan? Gjendja e jetës si ta ketë caktuar Zoti
- 17 Sa për të tjerat, secili të jetojë ashtu si ia ka dhënë Zoti, ashtu si ka qenë kur Hyji e thirri. Kështu caktoj në të gjitha kishat.
- 18 A u thirr ndokush si i rrethprerë? Mos të mundohet ta ndreqë rrethprerjen! Një tjetër ishte i parrethprerë? Mos të rrethpritet!
- 19 Nuk është asgjë rrethprerja dhe nuk është asgjë parrethprerja;vlen vetëm zbatimi i urdhërimeve të Hyjit.
- 20 Secili le të rrijë në atë gjendje në të cilën ishte kur u thirr.
- 21 Ishe ti skllav kur u ktheve në fe? Mos u prish, por, edhe nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë përfito prej gjendjes sate.
- 22 Sepse, ai që u thirr si skllav, është i liruari i Zotit. Po ashtu edhe ai që u thirr si i lirë, është skllav i Krishtit.
- 23 Krishti e ka paguar shpërblimin tuaj: mos u bëni skllevër të njerëzve!
- 24 Secili, o vëllezër, le të qëndrojë në Hyjin në atë gjendje, në të cilën ishte kur u kthye në fe.Virgjëria dhe vejëria
- 25 Lidhur me virgjërat nuk kam farë urdhri prej Zotit, por jap këshillë si një njeri që, në saje të mëshirës së Zotit, meriton t`i besohet.
- 26 Pra, mendimi im është se kjo gjendje është e mirë;për shkak të ngushticës së tanishme, mendoj se është mirë për njeriun që të qëndrojë ashtu.
- 27 Je i lidhur me grua? Mos kërko ndarje! Je i lirë nga gruaja? Mos kërko grua!
- 28 Po edhe nëse martohesh, nuk bën mëkat. Po edhe virgjëra, nëse martohet, nuk bën mëkat, por të tillët do të kenë vuajtje në trup, e unë dëshiroj t`ju kursej.
- 29 Ja, ç`dua të them, o vëllezër: koha është e shkurtër. Që tani edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin,
- 30 ata që qajnë, sikurse të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim; ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të vetën;
- 31 ata që e gëzojnë këtë botë, sikurse të mos e gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon.
- 32 E dëshira ime është që të mos keni kokëçarje. I pamartuari kujdeset për punët e Zotit: si t`i pëlqejë Zotit.
- 33 Përkundrazi, i martuari kujdeset për punët e shekullit, si t`i pëlqejë gruas
- 34 dhe është i ndarë. Po edhe gruaja e pamartuar dhe virgjëresha kujdeset për punët e Zotit, që të jetë e shenjtë [e] me trup e me shpirt; kurse e martuara kujdeset për punët e shekullit: si t`i pëlqejë burrit.
- 35 Këto po jua them për të mirën tuaj, jo për t`ju vënë ndonjë lak, por që të jetoni në mënyrën më të përshtatshme;krejtësisht të përqendruar në shërbimin e Zotit.
- 36 Në qoftë se ndokush e sheh veten se nuk mund të qëndrojë i ndershëm kundrejt së fejuarës së vet, e ajo e ka arritur pjekurinë, dhe i duhet të jetë me të, le të bëjë çka ka menduar, nuk mëkaton: le të martohen.
- 37 Por ai që ka marrë në zemër të vet vendim të qëndrueshëm e nuk ka nevojë dhe zotëron me vullnetin e vet e në zemrën e vet e merr vendimin të ketë nderim kundrejt të fejuarës së vet, bën mirë.
- 38 Kështu, pra, ai që martohet me të fejuarën e vet bën mirë;ai që nuk martohet, bën edhe më mirë.
- 39 Gruaja është e lidhur derisa ta ketë burrin gjallë, po i vdiq burri, është e lirë: le të martohet me kë të dëshirojë;veçse me të krishterë.
- 40 Do të ishte veç, më e lumtur;ky është mendimi im;nëse do të qëndronte ashtu si është. Mendoj se edhe unë e kam Shpirtin e Hyjit.