Beselidhja e Re2 e Korintasve: Shërbesa e Besëlidhjes së re
- 1 A thua përsëri po fillojmë ta porosisim vetveten? A thua kemi nevojë për letra porosie si disa për ju e prej jush?
- 2 Letra jonë jeni ju, e shkruar në zemrat tona, të cilën e njohin dhe e lexojnë të gjithë njerëzit!
- 3 Sepse ju e tregoni se jeni letra e shkruar prej Krishtit, të cilës ne i shërbyem, e shkruar jo me ngjyrë, por me Shpirtin e Hyjit të gjallë, jo në rrasa guri, por në rrasa mishi të zemrës.
- 4 E kemi këtë bindje nëpër Krishtin në Hyjin,
- 5 jo, sikur të ishim vetë prej vetvetes të zotët të mendojmë gjë, por zotësia jonë e ka burimin në Hyjin.
- 6 Ai na bëri të aftë të jemi mbarështues të Besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Shpirtit; sepse shkronja vret e Shpirti jep jetën.
- 7 Tashti, nëse shërbesa e vdekjes e shkruar në rrasë guri, ka qenë aq e lavdishme, sa që bijtë e Izraelit nuk mundën të shikojnë në fytyrën e Moisiut për shkak të shkëlqimit të kalueshëm të fytyrës së tij,
- 8 sa më e lavdishme do të jetë shërbesa e Shpirtit Shenjt?
- 9 E njëmend, nëse shërbesa e dënimit ka qenë e lavdishme, shumë më tepër duhet të jetë e lavdishme shërbesa e drejtësisë.
- 10 E vërtet, nën këtë pikëpamje, çka atëherë ishte e lavdishme, nuk është më, nëse krahasohet me lavdinë më të shkëlqyeshme.
- 11 Sepse, në qoftë se ajo që duhej të kalonte ishte e lavdishme, shumë më tepër duhet të jetë e lavdishme kjo që qëndron për amshim.
- 12 Të fortë, prandaj, prej një shprese të tillë, flasim haptas
- 13 e jo sikurse Moisiu, i cili vinte vel përmbi fytyrë, në mënyrë që izraelitët të mos e shihnin mbarimin e një shkëlqimi të kalueshëm.
- 14 Porse u terratis mendja e tyre! E njëmend, edhe sot e kësaj dite e mbulon ai vel leximin e Besëlidhjes së vjetër: nuk u qe zbuluar se në Krishtin mori fund.
- 15 Por deri më sot, sa herë që lexohet Moisiu, një vel ua mbulon zemrën.
- 16 `Vetëm kur të kthehet Izraeli te Zoti do të hiqet veli.`
- 17 Sepse Zoti është Shpirt e aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria.
- 18 E ne të gjithë, të cilët, me fytyrë të zbuluar, bredhim lavdinë e Zotit, me anë të Shpirtit të Zotit, shndërrohemi në të njëjtën trajtë;nga lavdia në lavdi.