Beselidhja e Re2 e Korintasve: Dhurata me zemërgjerësi
- 1 Tani, o vëllezër, dëshirojmë t'ju tregojmë hirin e Hyjit që u qe dhënë kishave të Maqedonisë:
- 2 si me gjithë vështirësitë e shumta e nevojat, gëzimi i tyre është i madh dhe si varfëria e tyre e tepërt erdhën e u zbrazën në visarin e fisnikërisë.
- 3 Them të vërtetën: ata vullnetarisht sipas mundësisë, dhe madje përtej mundësisë,
- 4 na u lutën me gjithë shpirt ta kenë hirin të marrin pjesë në këtë shërbesë në dobi të shenjtërve.
- 5 Madje, jo ashtu si shpresuam, por më së pari veten ia falën Zotit e, pastaj, edhe neve, sipas vullnetit të Hyjit.
- 6 Atëherë i bëmë lutje Titit që, sikurse filloi, ta kryejë ndër ju këtë vepër bujarie.
- 7 Prandaj, sikurse edhe në çdo gjë tjetër dalloheni në shenjë; në fe, në fjalë, në dije e në çdo kujdes, në dashurinë tuaj ndaj nesh; dallohuni edhe në këtë bujari!
- 8 Nuk po ju urdhëroj, por, duke ju treguar kujdesin e të tjerëve, ju jap mundësinë ta tregoni vërtetësinë e dashurisë suaj.
- 9 Sepse, ju e njihni bujarinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij.
- 10 Me kaq vetëm po ju këshilloj: vërtet ju ka hije juve, të cilët vitin e shkuar filluat të parët, jo vetëm ta realizoni, por edhe të kërkoni që të bëhet.
- 11 Tani, pra, çojeni deri në fund këtë vepër që, sikurse qetë gati ta propozoni, ashtu edhe ta plotësoni sipas mundësisë.
- 12 Sepse, në qoftë vullneti i gatshëm, është i pëlqyeshëm për aq sa ka, e nuk merret parasysh për çka s'ka.
- 13 Porse, merret vesh se jo ju të ngushtoheni e të tjerëve t'u lehtësohet, por; për një lloj barazimi.
- 14 Në këtë rast; çka ju keni më tepër, të plotësojë sa atyre u mungon, kështu që, një ditë, teprica e tyre ta plotësojë mungesën tuaj; që të bëhet barazi,
- 15 siç thotë Shkrimi i shenjtë:'Asgjë nuk i teproi atij që bashkoi shumë, dhe asgjë nuk i mungoi atij që bashkoi pak.'Titi dhe shokët e tij
- 16 Faleminderit Hyjit që ia dha Titit në zemër gjithë atë kujdes për ju!
- 17 Ai e pranoi lutjen tonë e, ngaqë ishte shumë i zellshëm, erdhi vullnetarisht te ju.
- 18 Me të dërguam edhe vëllain, të cilin për shkak të Ungjillit e nderojnë të gjitha kishat.
- 19 Madje ai qe zgjedhur prej anës së kishave të jetë shoku ynë në këtë veprimtari bujarie, të cilës po i shërbejmë në lavdi të [vetë] Zotit tonë dhe për të çuar në vend qëllimin tonë të mirë,
- 20 që të mund t'u shpëtojmë kritikave rreth këtyre ndihmave të mëdha,
- 21 sepse na duhet të kujdesemi jo vetëm për atë që është e mirë para Hyjit, por edhe para njerëzve.
- 22 Me ta po e dërgojmë edhe vëllain tonë, zellin e të cilit e kemi sprovuar në shumë raste, e tani po e dëfton edhe shumë më të madh për arsye të shpresës së madhe që ka në ju.
- 23 Për sa i përket Titit, ai është shoku im dhe bashkëpunëtori im ndër ju. Për sa i përket vëllezërve, ata janë të dërguarit e kishave; nderi i Krishtit.
- 24 Tregojuani pra, atyre dëshminë e dashurisë suaj faqe kishave, si edhe se ne me të drejtë mburremi për ju.