Beselidhja e VjeterLigji i Përtërirë: Dhjetë urdhërimet
- 1 Moisiu e bashkoi mbarë Izraelin dhe u tha:Dëgjoji, o Izrael, urdhërimet dhe ligjet, që po i shpall sot para jush: mësoni dhe vini në veprim!
- 2 Zoti, Hyji ynë, bëri me ne besëlidhje në Horeb.
- 3 Këtë besëlidhje Zoti nuk e lidhi me etërit tanë, por me ne, që jemi sot këtu, me të gjithë ne që jemi gjallë.
- 4 Zoti ka folur me ju faqefaqas në mal prej mjedisit të zjarrit.
- 5 Unë qëndrova ndërmjet jush dhe Zotit asokohe që t`jua shpallja fjalët e tija, sepse ju e kishit frikë zjarrin dhe nuk u ngjitët në mal.Ai tha:
- 6 `Unë jam Zoti, Hyji yt, që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë.
- 7 Mos ki tjetër zot pos meje!
- 8 Mos bëj idhull as figurë të gjërave që janë lart në qiell, as poshtë në tokë, as të atyre që janë në ujë nën dhe!
- 9 Mos i adhuro ato as mos u shërbe: sepse vetëm unë jam Zoti, Hyji yt, unë jam Hyj ziliqar, që e ndëshkoj fajin e etërve;të atyre që më urrejnë;në fëmijë deri në të tretin e të katërtin brez,
- 10 por edhe që nuk kursej mëshirë në mijëra brezni ndaj atyre që më duan e që i zbatojnë urdhërimet e mia.
- 11 Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sëpse Zoti nuk do ta lërë të pandëshkuar atë që merr nëpër gojë emrin e tij për punë të kota.
- 12 Mbaje ditën e shtunë dhe shenjtëroje ashtu siç të ka urdhëruar Zoti, Hyji yt.
- 13 Puno gjashtë ditë dhe kryeji të gjitha punët e tua.
- 14 Por e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd. Atë ditë mos bëj asnjë punë as ti, as djali yt, as vajza jote, as shërbëtori, as shërbëtorja, as kau as gomari dhe asnjë bagëti jotja, as i ardhuri yt që e ndryn dera jote: le të pushojë shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote sikurse edhe ti.
- 15 Të të bjerë ndër mend se edhe ti ke qenë skllav në Egjipt dhe se prej andej të ka nxjerrë me dorë të fuqishme e me krah të tendur Zoti, Hyji yt: dhe kjo është arsyeja që të urdhëroi ta mbash ditën e shtunë.
- 16 Nderoje babain tënd dhe nënën, sikurse të urdhëroi Zoti, Hyji yt, që ta kesh jetën të gjatë e të kalosh mirë përmbi tokën, që Zoti, Hyji yt, do të ta japë.
- 17 Mos vra!
- 18 Mos bëj kurorëshkelje!
- 19 Mos vidh!
- 20 Mos dëshmo rrejshëm kundër të afërmit tënd!
- 21 Mos i lakmo për të keq gruas së të afërmit tënd.Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd, as arës, as shërbëtorit, as shërbëtores, as kaut, as gomarit dhe asnjë sendi që i përket atij.`
- 22 Këto janë fjalët që jua ka drejtuar Zoti juve e të gjithëve kur ishit të tubuar në mbledhje në mal. Ai ju foli prej zjarrit në re e në errësirë me një zë të lartë. Ai nuk shtoi asgjë tjetër, por i shkroi në dy rrasa të gurta që m`i dha mua.Ndërmjetësimi i Moisiut
- 23 Porse ju, pasi e dëgjuat zërin nga errësira dhe pasi e patë malin se si digjej, u afruat tek unë të gjithë ju prijësit e fiseve dhe krerët
- 24 dhe më thatë: `Ja, na e dëftoi Zoti, Hyji ynë, madhërinë dhe madhorinë e vet: prej mesit të zjarrit e dëgjuam zërin e tij dhe sot e sprovuam se Zoti mundka të flasë me njerëz e njeriu të mos vdesë.
- 25 Porse tani, përse të vdesim të përpirë nga zjarri? Sepse, qebesa, po e dëgjuam edhe herë të tjera zërin e Zotit, Hyjit tonë, do të vdesim!
- 26 Sepse ç`është njeriu, cilido qoftë, që të dëgjojë zërin e Hyjit të gjallë se si flet prej mjedisit të zjarrit, siç e dëgjuam ne, e të mund të mbesë gjallë?
- 27 Kështu, pra, afrohu ti për t`i dëgjuar të gjitha fjalët e Zotit, Hyjit tonë, dhe atëherë na trego ti gjithçka të ketë thënë Zoti, Hyji ynë, dhe ne do të dëgjojmë e do t`i vëmë në zbatim.`
- 28 Kur i dëgjoi Zoti fjalët tuaja, më tha:`I dëgjova të gjitha fjalët që ky popull t`i drejtoi: kanë folur krejt mirë.
- 29 Oh, sikur ta kishin vërtet atë mendje: të më kishin frikë e t`i zbatonin të gjitha urdhërimet e mia gjithherë! Të lumë do të ishin ata dhe bijtë e tyre për jetë të jetës!
- 30 Shko e thuaju: Kthehuni në tendat tuaja!
- 31 Kurse ti qëndro këtu me mua dhe do të t`i tregoj të gjitha urdhërimet, ligjet e rregulloret që t`ua mësosh atyre për t`i zbatuar në tokën që do t`ua jap për pronë. `Dashuria e Hyjit, thelbi i Ligjit
- 32 Mbani, pra, e zbatoni të gjitha ato që jua ka urdhëruar Zoti, Hyji juaj. Mos e shmangni rrugën as djathtas as majtas,
- 33 por ecni drejt udhës që jua ka urdhëruar Zoti, Hyji juaj, që të jetoni e të kaloni mirë e të shumohen ditët e jetës suaj në tokën e trashëgimit tuaj.