Beselidhja e VjeterLigji i Përtërirë: Ligji u shkrua. Ceremonitë e kultit
- 1 Atëherë Moisiu dhe pleqtë e Izraelit i urdhëruan popullit me këto fjalë: Mbani çdo urdhërim që unë po ju jap sot.
- 2 Kur ta kaloni Jordanin në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë ty, merr gurë të mëdhenj, dhe lyeji me gëlqere.
- 3 Në ta shkruaj të gjitha fjalët e këtij Ligji kur ta kesh kaluar Jordanin për të hyrë në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë, në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, siç të ka thënë Zoti, Hyji i etërve të tu.
- 4 Kur ta kaloni, pra, Jordanin, atëherë këta gurë, sipas urdhrit që unë po ju jap sot, ndreqni në malin Hebal dhe lyeni me gëlqere.
- 5 Aty ndërtoje për nder të Zotit, Hyjit tënd, një lter gurësh të paprekur nga hekuri,
- 6 të palatuar dhe aty kushtoja Zotit, Hyjit tënd, flitë e shkurmbimit.
- 7 Kushto edhe fli paqeje, ha aty e gostitu në praninë e Zotit, Hyjit tënd.
- 8 Shkruaj mirë e qartë mbi gurë të gjitha fjalët e këtij Ligji.
- 9 Moisiu dhe priftërinjtë levitë i thanë mbarë Izraelit:Dëgjo me vëmendje, o Izrael! Sot je bërë populli i Zotit, Hyjit tënd!
- 10 Dëgjoje zërin e tij dhe zbatoji urdhërimet e ligjet e tija, që unë sot po t'i urdhëroj.
- 11 Atë ditë Moisiu i urdhëroi popullit e i tha:
- 12 Këta le të qëndrojnë mbi malin Garizim pasi ta keni kaluar Jordanin për ta bekuar: Simoni, Levi, Juda, Isahari, Jozefi e Beniamini.
- 13 Dhe ja, këta le të qëndrojnë mbi malin Hebal për të mallkuar: Rubeni, Gadi, Aseri, Zabuloni, Dani, dhe Neftaliu.
- 14 Kurse levitët, me zë të lartë, le t'u bëjnë këtë shpallje mbarë burrave të Izraelit:
- 15 'Mallkuar qoftë ai njeri që punon idhull të gdhendur ose metali të shkrirë; gjë që i neveritet Zotit; që s'është por vepër e dorës së mjeshtrit, qoftë edhe ta mbajë fshehur!E mbarë populli le të përgjigjet e të thotë: 'Amen!'
- 16 'Qoftë mallkuar ai që përbuz babain e nënën e vet!'Mbarë populli le të thotë: 'Amen!'
- 17 'Qoftë mallkuar ai që ia shtyn të afërmit kufirin!'Mbarë populli le të thotë: 'Amen!'
- 18 'Mallkuar qoftë ai që e bën të verbëtin ta humbasë rrugën!'E mbarë populli le të përgjigjet: 'Amen!'
- 19 'Qoftë mallkuar ai që i shkel të drejtën ardhacakut, bonjakut e vejushës!'E mbarë populli le të thotë: 'Amen!'
- 20 Qoftë mallkuar kush fle me gruan e babait të vet, sepse zbulon mbulesën e shtrojës së tij!'E mbarë populli le të thotë:'Amen!'
- 21 'Qoftë mallkuar kushdo fle me çfarëdo kafshe!'E mbarë populli le të thotë:'Amen!'
- 22 'Qoftë mallkuar kush fle me motrën e vet, qoftë ajo bijë e babait, qoftë ajo bijë e nënës!'E mbarë populli le të thotë: 'Amen!'
- 23 'Qoftë mallkuar kush fle me vjehrrën e vet!'E mbarë populli le të thotë: 'Amen!'
- 24 'Qoftë mallkuar kush vret të afërmin e vet në moh!'E mbarë populli le të thotë: 'Amen!'
- 25 'Qoftë mallkuar ai që për para vret gjakun e pafajshëm!'E mbarë populli le të thotë: 'Amen!'
- 26 'Qoftë mallkuar kush s'do t'i mbajë fjalët e këtij Ligji dhe ai që s'do t'i vërë në zbatim!'E mbarë populli le të thotë:'Amen!'