Beselidhja e VjeterLigji i Përtërirë: Pushtimi i mbretërisë së Ogut
- 1 Atëherë u kthyem dhe morëm udhën drejt Basanit. Në Edrai na doli para për të luftuar Ogu, mbreti i Basanit, me mbarë popullin e vet.
- 2 Atëherë Zoti më tha: `Mos e druaj aspak, sepse ta lëshova në dorën tënde me mbarë popullin dhe me tokën e tij. Bëj me të siç bëre me Sehonin, mbretin e amorrenjve, që banonte në Hesebon.`
- 3 Kështu, pra, Zoti, Hyji ynë, na e dorëzoi edhe Ogun, mbretin e Basanit, dhe mbarë popullin e tij. I goditëm edhe ata derisa i zhdukëm.
- 4 Asokohe i zaptuam të gjitha qytetet e tija. Asnjë qytet nuk na shpëtoi: pushtuam gjashtëdhjetë qytete, mbarë krahinën Argob, mbretërinë e Ogut në Basan.
- 5 Të gjitha qytetet ishin të mbrojtura me mure të larta, me dyer e me shula. Pa përmendur fshatrat e panumërta që ishin të parrethuara me mure.
- 6 Edhe ato i ngarkuam me mallkim, siç bëmë me Sehonin, mbretin e Hesebonit: i zhdukëm qytetet, trim e grua e fëmijë;
- 7 kurse bagëtitë dhe prenë e atyre qyteteve i rrëmbyem.
- 8 Asokohe e morëm tokën prej duarve të dy mbretërve të amorrenjve, që jetonin në anën e andejme të Jordanit, prej përroit Aon deri në malin Hermon
- 9 sidonët e quajnë Hermonin Sarion, kurse amorrenjtë Sanir
- 10 të gjitha qytetet që janë në rrafsh, mbarë tokën Galaad e Basan deri në Selkë e në Edrai, qytetet e mbretërisë së Ogut në Basan.
- 11 Prej refaitëve kishte mbetur vetëm Ogu, mbreti i Basanit. Mund të shihet shtrati i tij, shtrat hekuri. A nuk është në Rabë të amonëve? Është i gjatë nëntë kute e i gjerë katër kute, me kut të rëndomtë burri.Ndarja e Transjordanisë
- 12 Dhe asokohe e pushtuam edhe këtë tokë, prej Aroerit që është në bregun e përroit Aon, e deri në gjysmën e malit Galaad: qytetet e saja ua dhashë Rubenit e Gadit.
- 13 Pjesën tjetër të Galaadit dhe mbarë Basanin, mbretërinë e Ogut, ia dhashë gjysmës së fisit të Manaseut, mbarë krahinën Argob. Mbarë Basani quhet toka e refaitëve.
- 14 Jairi, biri i Manaseut, e mori për pronë mbarë krahinën e Argobit deri në kufijtë e Gesuriut e të Mahatit. Ai e quajti me emrin e vet Basan Havot Jair /d. m. th. Fshatrat e Jairit/, deri në ditën e sotme.
- 15 Mahirit ia lëshova Galaadin.
- 16 Fiseve të Rubenit e të Gadit ua lëshova prej Galaadit deri në përruan Aon;për kufi gjysma e lumit e deri në lumin Jabok, që është kufi me bijtë e Amonit.
- 17 Si kufi shërbenin Araba e Jordani prej Keneretit e deri në detin e Arabës, që është Deti i Kripur, në rrëzë të malit Fazga në lindje.Udhëzimet e fundit të Moisiut
- 18 Asokohe ju pata urdhëruar: `Zoti, Hyji juaj, jua dha për pronë këtë tokë. Të gjithë trimat, të aftë për luftë të armatosur, le t`u prijnë vëllezërve, bijve të Izraelit.
- 19 Gra e fëmijë e bagëti;e di se keni shumë;le të rrinë në qytetet që jua dhashë,
- 20 derisa Zoti, Hyji juaj, t`u japë paqe edhe vëllezërve tuaj, siç jua dha juve, dhe ta marrin në pronë edhe ata tokën që Zoti, Hyji juaj, do t`ua japë edhe atyre përtej Jordanit. Atëherë lë të kthehet secili në pronën e vet që jua dhashë.
- 21 Asohere edhe Jozuehit i dhashë këtë urdhër:`Ti me sytë e tu pe se çfarë u bëri Zoti, Hyji juaj, këtyre dy mbretërve: kështu do t`ua bëjë të gjitha mbretërive nëpër të cilat do të kalosh.
- 22 Mos i druaj! Për ju do të luftojë Zoti, Hyji juaj!`
- 23 Asohere iu luta Zotit e thashë:
- 24 `O Zot, Hyj, ti fillove t`ia dëftosh shërbëtorit tënd madhërinë tënde dhe dorën e fuqishme! E, në të vërtetë, nuk ka tjetër Hyjni as në qiell as në tokë, që mund t`i bëjë veprat e tua e të krahasohet me fuqinë tënde.
- 25 Më lejo të kaloj matanë Jordanit e ta shoh këtë tokë të mirë, këtë krahinë të mrekullueshme malore dhe Libanin!`
- 26 Po Zoti u hidhërua me mua për shkakun tuaj, nuk ma dëgjoi lutjen, por më tha: `Lëre! As mos fol më për këtë gjë me mua!
- 27 Por, ngjitu në majë të Fazgës dhe lëshoja sytë në perëndim, në veri, në jug e në lindje e merre me sy, sepse Jordanin ti s`do ta kalosh!
- 28 Jepi urdhrat e tua Jozuehut, jepi zemër e guxim, sepse ai do ta kalojë Jordanin e do t`i prijë këtij populli dhe ai do t`ua ndajë këtë tokë që do ta shikosh ti!`
- 29 E kështu zumë vend në luginën përballë Betfegorit.Pabesnikëria e Feorit dhe urtia e vërtetë