Beselidhja e Re2 e Timoteut: Ushtari i mirë i Krishtit
- 1 Ti, pra, o biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus,
- 2 dhe çka dëgjove prej meje në praninë e shumë dëshmitarëve, ato mësojua njerëzve besimtarë, atyre që do të jenë të aftë t`i mësojnë edhe të tjerët.
- 3 Vuaj edhe ti bashkë me mua porsi ushtari i mirë i Krishtit Jezus.
- 4 Askush veç, që merr mbi vete detyrën e ushtarit, nuk ngatërrohet me punët e jetës së rëndomtë që t`i pëlqejë atij që e mori në ushtri.
- 5 Gjithashtu edhe në garën sportive, atleti nuk e merr kurorën nëse nuk ka luftuar sipas rregullave.
- 6 Bujku që punon, duhet i pari ta marrë pjesën e vet të prodhimit.
- 7 Merre vesh çka dua të të them. Patjetër, vetë Zoti do të ta japë mundësinë t`i kuptosh të gjitha këto.
- 8 Kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit sipas Ungjillit që unë predikoj,
- 9 për shkak të të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur të isha keqbërës. Por fjala e Hyjit nuk është në pranga!
- 10 Këndej edhe duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme.
- 11 E vërtetë është kjo fjalë: >>Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë.
- 12 Nëse durojmë në qëndresë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit.
- 13 Nëse ne nuk jemi besnikë Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten<<.Punëtori i mirë
- 14 Kujtoji këto gjëra duke u përbetuar para Hyjit se nuk duhen bërë rragatje fjalësh: ato akujt s`i vlejnë gjë. Janë vetëm për rrënim të atyre që dëgjojnë.
- 15 Mundohu t`i dalësh para Hyjit si punëtori i sprovuar që nuk ka për çka të turpërohet, që flet e pret, pra, drejt fjalën e së vërtetës.
- 16 Fjalëve të kota të shekullit ikju, sepse atyre që merren me to gjithnjë e më tepër do t`u shtohet mbrapshtia.
- 17 Fjala e tyre do të brejë si qimja. Ndër ta janë Himeneu dhe Fileti,
- 18 të cilët e lanë rrugën e së vërtetës duke pohuar se ngjallja tashmë ka ndodhur dhe kështu e prishin fenë e disave.
- 19 Megjithatë, themeli i fortë i vënë prej Hyjit qëndron i palëkundshëm është nën këtë vulë: >>Hyji i njeh ata që janë të tijtë<<.dhe:>>Secili që e përmend Emrin e Zotit, le t`i largohet të keqes!<<
- 20 Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë ari dhe argjendi, por ka edhe druri dhe argjile; disa janë për përdorim bujar, kurse disa për përdorim jo bujar.
- 21 Ai që pastrohet prej këtyre ndyrësive do të jetë enë bujare, e shenjtëruar, e dobishme për Zotërinë, e përshtatshme për çdo vepër të mirë.
- 22 Lakmimeve plot zjarr të rinisë, iku! Përkundrazi, jepu me gjithë afsh të zemrës pas drejtësisë, fesë, dashurisë, paqes bashkë me të gjithë ata që e thërrasin në ndihmë me zemër të pastër Zotin.
- 23 Rragatjet e marra dhe të parregullta refuzoji, duke e ditur se shkaktojnë grindjen.
- 24 Sepse, shërbëtori i Zotit nuk duhet të jetë grindavec, por duhet të jetë i sjellshëm me gjithkënd, i aftë të mësojë, i durueshëm në fyerje,
- 25 i ëmbël në qortim të kundërshtarëve me shpresë se Hyji u jep dhuratën e kthimit që ta njohin të vërtetën,
- 26 dhe të vijnë në vetë për t`u çliruar nga nga laku i djallit, në të cilin i ka zënë robër të vullnetit të vet.