Beselidhja e ReFilemonit: Dashuria dhe feja e Filemonit
- 1 Pali, i burgosuri i Krishtit Jezus dhe vëlla Timoteu: Filemonit, bashkëpunëtorit tonë të dashur,
- 2 motrës Api, bashkëluftëtarit tonë Arhipit, si dhe Kishës që bashkohet në shtëpinë tënde:
- 3 Paçi hir dhe paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot!Dashuria dhe feja e Filemonit
- 4 Gjithmonë e falënderoj Hyjin tim kurdo të kujtoj në lutjet e mia,
- 5 sepse po dëgjoj të flitet mirë për dashurinë tënde dhe për fenë që ke ndaj Zotit Jezus dhe ndaj të gjithë shenjtërve.
- 6 Pjesëmarrja jote në fe u bëftë e frytshme, në mënyrë që të njihet sa të mira të mëdha bëhen ndër ne për dashuri të Krishtit!
- 7 Dashuria jote, vërtet, ka qenë për mua gëzim i madh dhe ngushëllim, o vëlla, sepse i ke përforcuar zemrat e shenjtërve.Pali porosit Onezimin
- 8 Prandaj, edhe pse e kam lirinë e plotë në Krishtin të të urdhëroj çka të duhet të bësh,
- 9 më fort po më pëlqen të të drejtohem me lutje në emër të dashurisë, kështu siç jam, unë Pali, plak dhe tani edhe i burgosuri i Krishtit Jezus.
- 10 Po të lutem për birin tim, të cilin e linda në pranga, për Onezimin,
- 11 që dikur s`kishte farë vlere për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty dhe për mua.
- 12 Po ta dërgoj atë loçkën e zemrës sime.
- 13 Desha ta ndal pranë meje që të më shërbejë në vendin tënd këtu në burg ku gjendem për shkak të Ungjillit,
- 14 por nuk desha të bëj asgjë pa pëlqimin tënd që, vepra e mirë të cilën do ta bësh, mos të të duket se e bëre përdhuni, por vullnetarisht.
- 15 Ndoshta pikërisht për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë që te ti të kthehej për gjithmonë,
- 16 jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur, sidomos për mua dhe aq më tepër për ty, qoftë si njeri dhe qoftë si vëlla në Zotin.
- 17 Në qoftë se, pra, më mban për shok në fe, pranoje porsi mua!
- 18 Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë dëm ose të ka gjë borxh, më detyro mua për të gjitha.
- 19 Po nënshkruhem me dorën time unë Pali: unë do të paguaj... që të mos të të përkujtoj se edhe ti ma ke një borxh pikërisht vetveten!
- 20 Po, o vëlla, ma bëj këtë nder në Zotin! Ma kërthndez zemrën time në Krishtin!
- 21 Duke qenë i bindur për dëgjesën tënde, të shkrova, plotësisht i mbushur mendjeje se do të bësh edhe më tepër se po të kërkoj.
- 22 Njëkohësisht ma bëj gati një banesë sepse, në saje të lutjeve tuaja, shpresoj se do t`ju dhurohem.Përshëndejtet e fundit
- 23 Të bën të fala Epafra, i burgosuri bashkë me mua në Krishtin Jezus,
- 24 Marku, Aristarku, Dema, Luka, bashkëpunëtorët e mi.
- 25 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtin tuaj! n Kapitujt