Beselidhja e ReHebrenjve: Jezusi është më i madh se Moisiu
- 1 Këndej, o vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vëreni mirë të Dërguarin dhe Kryepriftin e fesë sonë - Jezusin.
- 2 Ai është i besuari i Atij që e bëri Kryeprift siç ishte edhe Moisiu në tërë shtëpinë e Hyjit.
- 3 Por në krahasim me Moisiun, Jezusi është patjetër për një lavdi më të madhe, aq sa nderi i ndërtuesit e tejkalon nderin e vetë shtëpisë.
- 4 Dhe njëmend, çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt; ndërsa ai që e ka ndërtuar gjithçka është Hyji.
- 5 Tashti edhe Moisiu qe i besuar në tërë shtëpinë e Hyjit, por vetëm si shërbëtor, për të qenë dëshmitar i të gjitha atyre që duheshin thënë prej Hyjit,
- 6 kurse Krishti është ai Bir mbi mbarë shtëpinë e Hyjit: shtëpia e tij jemi ne, në qoftë se e ruajmë sigurinë e plotë dhe mburrjen e shpresës.Teprica e popullit të Hyjit
- 7 Prandaj, siç thotë Shpirti Shenjt: "Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,
- 8 mos jini zemërgurë si në ditën e Kryengritjes, si në ditën e vënies në provë në shkretëtirë,
- 9 ku më ngacmuan etërit tuaj dhe më vunë në provë edhe pse i panë veprat e mia
- 10 gjatë dyzet vjetëve. Prandaj m'u ndye ajo brezni dhe thashë: 'Gjithmonë gënjehet zemra e tyre, e nuk i marrin vesh udhët e mia'.
- 11 Kështu u përbetova në zemërimin tim: "Kurrë s'do të hyjnë në pushimin tim!"
- 12 Kini kujdes, o vëllezër, që ndonjëri prej jush të mos e ketë zemrën e keqe, të pafe që të shkëputet nga Hyji i gjallë,
- 13 por nxiteni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo: "Sot", që të mos "ngurohet" ndokush prej jush i ngashnyer prej mëkatit.
- 14 Sepse jemi bërë pjesëtarë të Krishtit - merret vesh - në qoftë se qëndrojmë të palëkundshëm në shpresë deri në fund ashtu si filluam.
- 15 Kur thuhet: "Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgurë si në ditën e Kryengritjes".
- 16 kush janë, pra, ata që, pasi e dëgjuan, u çuan në kryengritje? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?
- 17 Po kush thua, qenë ata që 'ia mërzitën për dyzet vjet?' Vallë a jo ata që mëkatuan, 'kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë?
- 18 Ne e shohim se nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit.