Beselidhja e ReJakobi: Gjuha
- 1 Vëllezërit e mi, mos u bëni shumë mësues, duke e ditur se do të gjykohemi më rëndë.
- 2 Për të vërtetë, të gjithë gabojmë shumë. Në qoftë se ndokush nuk gabon në fjalë, ai është njeri i përsosur, i aftë të sundojë mbarë trupin.
- 3 Nëse kuajve u vëmë frerët në gojë për t`i vënë nën sundim, atëherë mund të drejtojmë mbarë trupin e tyre.
- 4 Ja, edhe anijet: sa të mëdha janë ato dhe sa të forta erërat që i shtyejnë! E pra, një timon i vogël i drejton atje ku do timonieri!
- 5 Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha.Ja, një zjarr i vogël se ç`pyll të madh mund të djegë!
- 6 Po, edhe gjuha është zjarr! Një botë e tërë padrejtësie është gjuha mes gjymtyrëve tona, ajo që e fëlliq të gjithë trupin dhe, e ndezur nga ferri, e bën shkrumb të tërë jetën.
- 7 E njëmend, të gjitha llojet e egërsirave, të shpendëve, të zvarranikëve dhe të kafshëve të detit mund të zbuten, dhe njerëzit i kanë vënë nën sundim,
- 8 kurse gjuhën e keqe e paqetësueshme, plot vrer që sjell vdekjen asnjë njeri nuk mund ta mbizotërojë.
- 9 Me të lavdërojmë Zotin edhe Atin, por me të edhe mallkojmë njerëzit e krijuar në përngjasimin e Hyjit:
- 10 prej të njëjtës gojë del bekimi dhe mallkimi. E pra, vëllezërit e mi, nuk duhet të jetë ashtu!
- 11 A thua burimi nga e njëjta vrimë qet ujë të ëmbël e të hidhur?
- 12 A thua, vëllezërit e mi, fiku mund të prodhojë ullinj? Ose hardhia fiq? As burimi i njelmët nuk mund të qesë ujë të ëmbël.Urtia prej së larti
- 13 A është ndokush ndër ju i urtë dhe i mençur? Me sjellje të bukur le t`i dëftojë veprat e veta të frymëzuara nga butësia me urti.
- 14 Por, në qoftë se në zemrën tuaj keni smirën e hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mbani me të madh dhe mos rreni kundër së vërtetës!
- 15 Kjo urti nuk është ajo që vjen prej së larti, por është tokësore, shqisore, djallëzore.
- 16 Sepse, ku është smira dhe grindja, atje ka pështjellim dhe çdo të keqe.
- 17 Kurse urtia që vjen prej së larti më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e përshtatshme, plot mëshirë dhe vepra të mira, e durueshme dhe jo shtiake.
- 18 Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe.