Beselidhja e Re1 e Pjetrit: Gratë e burrat
- 1 Gjithashtu edhe ju, gra, dëgjojini burrat tuaj në mënyrë që, nëse ndoshta disa nuk e dëgjojnë fjalën e Ungjillit, të mund të fitohen pa nevojën e fjalës me anë të sjelljes së mirë të grave të veta,
- 2 duke vërejtur sjelljen tuaj të pastër e të ndershme.
- 3 Stolia juaj të mos jetë e jashtme - flokë të gërshetuar, stolisje me ar, veshje petkash luksi -
- 4 por mundohuni të stolisni zemrën me shpirt bukurie të pakalueshme, të butë e të ëmbël, që është e çmueshme para Hyjit.
- 5 Sepse kështu dikur u stolisën gratë e shenjta që shpresonin në Hyjin. Ato i dëgjonin burrat e vet.
- 6 Sara aq iu bind Abrahamit sa që e quante >>zotëri<<. Jeni bijat e saja në qoftë se veproni mirë pa u trazuar nga asnjë frikë.
- 7 Kështu, edhe ju burra, bashkëjetoni në mënyrë të njerëzishme me gratë tuaja duke pasur parasysh natyrën më delikate të femrës; kini nderim për to, sepse edhe ato bashkë me ju, do ta trashëgojnë hirin e Jetës, në mënyrë që të mos pengohen lutjet tuaja.Vuajtjet për hir të drejtësisë
- 8 Më në fund, jini të gjithë një mendimi, të dhimbshëm, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm, të përvuajtur.
- 9 Mos e ktheni të keqen me të keqe, as fyerjen me fyerje! Por përkundrazi, bekoni, sepse për këtë edhe u grishët: që të trashëgoni bekimin.
- 10 E njëmend: >>Kush dëshiron ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gjuhën nga e keqja dhe buzët nga fjalët gënjyese,
- 11 t`i ikë të keqes e të bëjë të mirën, ta kërkojë paqen e të shkojë pas saj<<.
- 12 Sepse: >>Sytë e Zotit priren mbi të drejtët dhe veshët e tij dëgjojnë me vëmendje lutjet e tyre, kurse fytyra e Zotit sillet kundër atyre që bëjnë të keqen<<.
- 13 Kush do t`iu bëjë keq nëse do të jeni të zellshëm të bëni të mirën?
- 14 por, edhe nëse ndoshta do t`iu duhet të vuani për shkak të drejtësisë, të lumët ju! Frikësimin e tyre aspak mos e druani as mos u trazoni,
- 15 veçse adhuroni në shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t`i jepni përgjegje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju,
- 16 por me butësi dhe me nderimin e duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, pikërisht në atë pikë, në të cilën juve ju shpifen, të mbesin të turpëruar.
- 17 Pëjëmend është më mirë të hiqni keq - nëse është vullneti i Hyjit - duke bërë mirë se duke bërë keq.
- 18 E njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkate (tona), i Drejti për të padrejtët që t`iu shpiente te Hyji - njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit -
- 19 Në të edhe shkoi t`u predikojë shpritrave në burg,
- 20 që nuk u bindën dikur, kur duresa e Hyjit priste gjatë, në kohën e Noehit ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën pak vetë - vetëm tetë frymë - shpëtuan me ujë.
- 21 Ky ujë - shëmbëllesë e pagëzimit që tani ju shëlbon: ky nuk është pastrim ndyrësie të trupit, por lutje e drejtuar Hyjit - për ndërgjegje të pastër, nëpër ngjalljen e Jezu Krishtit,
- 22 që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit pasi i nënshtroi Engjëjt, Pushtetet dhe Fuqitë.