Beselidhja e Re2 e Pjetrit: Profetët dhe mësuesit e rrejshëm
- 1 Ka pasur profetë të rrejshëm edhe në e Izraelit, sikurse edhe ndër ju do të ketë mësues të rrejshëm, që fshehurazi do të shtien herezi të dëmshme, do ta mohojnë edhe Zotëruesin që i shpërbleu dhe mbi vete do të sjellin dënimin që nuk do të vonojë.
- 2 Shumë do t`i ndjekin epshet e ulëta të tyre dhe për shkak të tyre do të shahet udha e së vërtetës.
- 3 Ata në lakmimin e vet do t`iu shfrytëzojnë ju me fjalë gënjyese, porse dënimi i tyre është tanimë në veprim dhe shkatërrimi i tyre nuk vonon.
- 4 Dhe vërtet, nëse Hyji nuk i kurseu engjëjt që mëkatuan, por i plandosi në Tartar dhe i dorëzoi në humnerat e errëta të ruhen për Gjyq;
- 5 nëse nuk e kurseu as botën e vjetër - shpëtoi vetëm Noehin vetë të tetin, lajmëtarin e drejtësisë - por lëshoi përmbytjen mbi botën e të patenzonëve;
- 6 nëse qytetet: Sodomën e Gomorrën i bëri hi: i dënoi dhe i la shembull për të patenzonë të ardhshëm;
- 7 nëse e liroi Lotin e drejtë që s`mund ta duronte më sjelljen e poshtër të të këqijve
- 8 - e njëmend, këtij të drejti që jetonte në mesin e tyre i helmohej shpirti dita-ditës duke shikuar dhe dëgjuar veprat e poshtra të tyre -
- 9 domethënë se Zoti di t`i lirojë besimtarët nga prova, por edhe të mbrapshtët do t`i ruajë për t`i ndëshkuar Ditën e Gjyqit,
- 10 sidomos ata që në veset e veta shkojnë pas prirjeve të ndyta të mishit dhe të gjakut dhe përbuzin Madhërinë hyjnore.Krenarë, arrogantë, që nuk tremben të vënë gojë mbi qenie të lavdishmie,
- 11 ndërsa engjëjt, më të mëdhenj se ata për kah forca e për kah pushteti, nuk sjellin para Zotit kundër tyre gjyq poshtërues.
- 12 Kurse këta, shtazë të paarsyeshme të lindura prej natyrës për gjah e për shfarosje, shajnë çka nuk njohin. Do të mbarojnë siç mbarojnë shtazët:
- 13 do të marrin shpërblimin e padrejtësisë. Çmojnë kënaqësi të bëjnë shfreni në pikë e ditës! Ndyrësi dhe turpësi! Kënaqen me gënjeshtrat e veta ndërsa gostiten bashkë me ju!
- 14 Sytë e tyre gjithmonë të ngulur në ndonjë lavire, kurrë nuk ngihen me mëkat; ngashënjejnë shpirtra të lëkundshëm, zemrat i kanë të stërvitura në lakmime, bij mallkimi!
- 15 E lanë udhën e vërtetë, shkuan pas Balaamit, birit të Bosorit, i cili e mori pagën e padrejtësisë,
- 16 por mori edhe qortimin për veprën e vet të keqe: si njeri foli shtaza e pagojë dhe e pengoi marrëzinë e profetit.
- 17 Këta njerëz janë gurra pa ujë, re që i mbart era. Për ta ruhet terri i zi.
- 18 Me fjalë të mëdha e të kota i ngashënjejnë me ëndjet e ulëta të mishit e të gjakut ata që posa u larguan nga ata që jetojnë në gabim.
- 19 U premtojnë lirinë e vetë janë skllevër të paudhësisë. E njëmend, gjithkush është skllavi i atij që e mundi.
- 20 Vërtet, nëse ia dolën njëherë të ikin nga ndyrësitë e botës me anën e njohjes së Zotit dhe Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit, por prapë rishtas ngatërrohen në to dhe munden nga ato, gjendja e tyre e fundit bëhet më e keqe se e para.
- 21 Këndej, më mirë do të kishte qenë për ta të mos e kishin njohur kurrë udhën e drjetësisë se sa, pasi e njohën një herë, t`ia sjellin shpinën urdhrit të shenjtë që u qe dhënë.
- 22 U ndodhi çka thotë fjala e urtë: >>Qeni u kthye në të vjellat e veta<<. dhe: >>Derri i larë u kthye të zhgërryhet në llom<<.