Beselidhja e Re1 e Gjonit: Shpirti i Hyjit dhe shpirti i Antikrishtit
- 1 Të dashurit e mi! Mos i besoni çdo shpirti, por vërini në provë shpirtrat për t`i vërtetuar a janë të Hyjit, sepse shumë profetë të rrejshëm janë shpëdarë nëpër botë.
- 2 Me këtë mund ta njihni shpirtitn që vjen prej Hyjit: çdo shpirt që dëshmon se Jezu Krishti ka ardhur në trup, është prej Hyjit.
- 3 Kurse çdo shpirt që nuk e dëshmon Jezusin të tillë, nuk është prej Hyjit: është prej Antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se vjen e tani edhe është në botë.
- 4 Ju, o fëmijëzit e mi, jeni prej Hyjit dhe i keni mundur ata, sepse është më i fortë Ai që është në ju se ai që është në botë.
- 5 Ata janë nga bota prandaj edhe flasin me gjuhën e botës, dhe bota i dëgjon.
- 6 Ne jemi prej Hyjit. Kush e njeh Hyjin, ai na dëgjon, kush nuk është prej Hyjit, ai nuk na dëgjon. Me këtë gjë e dallojmë shpirtin e së vërtetës prej shpirtit të gabimit.Hyji është dashuri
- 7 Të dashur, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh.
- 8 Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri.
- 9 Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij.
- 10 Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona.
- 11 Të dashur, në qoftë se Hyji na ka dashur ashtu, edhe neve na duhet ta duam njëri-tjetrin.
- 12 Hyjin askurrë askush nuk e pa. Nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e tij në ne është e përkryer.
- 13 Me këtë gjë e dimë se mbetemi në Të edhe Ai në ne: na e ka dhuruar Shpirtin e vet.
- 14 Ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për Shëlbues të botës.
- 15 Kush dëshmon se Jezusi është Biri i Hyjit, Hyji mbetet në të edhe ai në Hyjin.
- 16 Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka kundrejt nesh dhe i besuam asaj. Hyji është Dashuri, dhe, kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të.
- 17 Në këtë përmbahet përsosmëria e dashurisë ndaj nesh: kemi sigurinë e plotë për Ditën e Gjyqit, sepse, siç është Ai, jemi edhe ne në këtë botë.
- 18 Frikë në dashuri nuk ka, sepse dashuria e përsosur e përjashton frikën, pse frika nënkupton ndëshkimin. Pra, ai që trembet, nuk është i përsosur në dashuri.
- 19 Ne duam sepse Ai na deshi më parë.
- 20 Nëse ndokush thotë: >>E dua Hyjin<<, e këndej e urren vëllain e vet, është gënjeshtar. Sepse kush nuk e do vëllain e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s`mund ta dojë.
- 21 Prej tij e kemi edhe këtë urdhër: Kush e do Hyjin, duhet ta dojë edhe vëllain e vet.