Beselidhja e ReZbulesa: Dy Egërsirat
- 1 Atëherë pashë: një Egërsirë po dilte prej detit. Kishte dhjetë brirë e shtatë kokë. Në brirë kishte dhjetë kurorë, kurse mbi kokë një emër blasfemues.
- 2 Egërsira që unë pashë i ngjante leopardit; këmbët i kishte si të ariut, kurse goja si gojë luani.Dragoi ia dha fuqinë e vet, fronin e vet dhe një forcë të madhe.
- 3 Njërën ndër kokat e kishte të plagosur për vdekje, porse plaga vdekje prurëse iu shërua. Mbarë toka, e mrekulluar, e ndiqte Egërsirën,
- 4 dhe të gjithë e adhuruan Dragoin që i dha Egërsirës një pushtet të tillë. E adhuruan edhe Egërsirën dhe thoshin: >>Kush është si Egërsira!? Kush do të ketë guxim të luftojë kundër saj?<<
- 5 Dhe iu dha goja të flasë fjalë të mëdha e blasfemi dhe iu dha pushteti ta bëjë këtë gjë për dyzet e dy muaj.
- 6 Ajo e hapi gojën e vet për ta blasfemuar Hyjin, për të blasfemuar Emrin e tij, Tendën e tij dhe ata që banojnë në qiell.
- 7 Iu dha pushteti të bëjë luftë kundër shenjtërve dhe t`i mundë.Iu dha pushtet mbi çdo fis, popull gjuhë dhe komb,
- 8 që ta adhurojnë të gjithë banorët e tokës, ata, emrat e të cilëve nuk u shkruan që prejkrijimit të rruzullit në librin e jetës të Qengjit të flijuar.
- 9 Kush ka veshë, le të dëgjojë!
- 10 >>Kush të jetë për robëri do të bjerë në robëri; kush të jetë për t`u prerë me shpatë, me shpatë do të pritet!<
- 11 Atëherë pashë: një tjetër Egërsirë po dilte nga toka. Kishte dy brirë porsi qengji, por fliste porsi Dragoi.
- 12 Ajo ushtron tërë pushtetin e Egërsirës së parë në praninë e saj. Ajo bën tokën dhe të gjithë banorët e saj ta adhurojnë përdhuni Egërsirën e parë, të cilës iu shërua plaga vdekjeprurëse.
- 13 Ajo bën shenja të mëdha: deri edhe zjarrin e bën të ulet nga qielli përmbi tokë ndër sy të njerëzve.
- 14 Gënjen banorët e tokës me shenja që iu dha pushteti t`i bëjë në prani të Egërsirës, i nxit banorët e tokës të punojnë një trupore në nder të Egërsirës të plagosur me shpatë, por që shpëtoi.
- 15 Iu dha edhe ta fryjë frymën në truporen e Egërsirës, kështu që ajo trupore të flasë e të vriten të gjithë ata që nuk e adhurojnë truporen e Egërsirës.
- 16 Bën që të gjithëve - të vegjëlve e të mëdhenjve, të pasurve e skamnorëve, të lirëve e skllevërve - t`u vihet vula në dorën e djathtë ose në ballë,
- 17 që askush të mos mund të blejë as të shesë përveç atij që mbart mban vulën me emrin e Egërsirës ose me numrin e emrit të saj.
- 18 Këtu duhet dije! Kush ka mend, le ta llogarisë numrin e Egërsirës! Ai numër është i një njeriu e numri është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë!