Beselidhja e ReZbulesa: Qengji dhe 144.000
- 1 Pastaj pashë: Qengji qëndronte mbi malin Sion e me Të njëqind e dyzet e katër mijë që mbanin të shkruar mbi ballin e vet Emrin e tij dhe Emrin e Atit të tij.
- 2 Dëgjova një zë që vinte nga qielli porsi ushtima e ujërave të mëdha dhe si gjëma e bumullimës së madhe. Zëri që dëgjova ishte porsi zëri i harpëtarëve që u bien harpave të veta.
- 3 Këndonin [si] një këngë të re para fronit, para katër Gjallesave dhe para udhëheqësve. Askush s`mund ta mësonte atë këngë përveç atyre njëqind e dyzet e katër mijë të shpërblyerve nga toka.
- 4 Këta janë ata që nuk u përlyen me gra: vërtet janë të virgjër!Këta e shoqërojnë Qengjin kudo shkon. Ndër njerëz këta qenë shpërblyer si fryti i parë për Hyjin dhe Qengjin.
- 5 Në gojën e tyre nuk u gjet gënjeshtër: janë të patëmetë.Mesazhi i tre engjëjve
- 6 Atëherë pashë një engjëll tjetër që po fluturonte përmes qiellit.Kishte për t`u kumtuar Ungjillin e amshuar banorëve të tokës: të çdo kombi, të çdo fisi, të çdo gjuhe dhe të çdo populli.
- 7 Ai thoshte me zë të madh: >>Druajeni Hyjin dhe jepini Atij lavdi, sepse arriti ora e Gjyqit të tij! Adhurojeni Krijuesin e qiellit e të tokës, të detit dhe të buriveve të ujërave!<<
- 8 Pastaj e ndoqi një tjetër engjëll duke thënë: >>Ra, ra Babilonia e madhe, që i dehu mbarë kombet me verën e zemërimit dhe të lavirësisë së vet!<<
- 9 Një tjetër engjëll - i treti - i ndoqi ata e bërtiste me zë të madh: >>Kushdo e adhuron Egërsirën dhe truporen e saj dhe e merr vulën në ballë apo në dorë,
- 10 do të pijë verën e zemërimit të Hyjit të pazbutur, të ndikuar në gotën e zemërimit të tij dhe do të hidhet në mundime në zjarr dhe në sulfur ndër sy të engjëjve të shenjtë dhe të Qengjit.
- 11 Tymi i mundimeve të tyre nuk do të pushojë së ngrituri në shekuj të shekujve, dhe nuk kanë pushim as ditë as natë ata që e adhurojnë Egërsirën dhe truporen e saj dhe kushdo e merr vulën e emrit të saj.
- 12 Në këtë gjë themelohet qëndresa e shenjtërve që i mbajnë urdhërimet e Hyjit dhe fenë e Jezusit<<.
- 13 Dëgjova edhe një zë nga qielli që thoshte: >>Shkruaj! Që tani, të lumët ata që vdesin në Zotin! Po - thotë Shpirti Shenjt - le të pushojnë prej mundit të tyre!Sepse i shoqërojnë veprat e tyre!<
- 14 Atëherë pata këtë vegim: Një re e bardhë dhe mbi re rrinte Dikush si Biri i njeriut. Në kokë kishte një kezë ari e në dorë një drapër të mprehtë.
- 15 Ndërkaq nga tempulli doli një engjëll tjetër dhe me zë të fortë i thërriste Atij që rri mbi re: >>Godit me drapër dhe korr! Sepse erdhi koha e të korrave: të korrat e tokës u poqën!<<
- 16 Atëherë Ai që rrinte mbi re e hodhi draprin e vet mbi tokë dhe toka u korr.
- 17 Po edhe një tjetër engjëll doli nga tempulli i qiellit.Edhe ai kishte një drapër të mprehtë.
- 18 Pastaj edhe nga lteri doli një tjetër engjëll. Ky kishte pushtet mbi zjarrin dhe i bërtiti me zë të madh atij që kishte draprin e mprehtë: >>Godit me drapër tënd të mprehtë dhe vjeli vilet në vreshtin e tokës, sepse rrushi u poq!<<
- 19 Engjëlli e hodhi draprin e vet në tokë dhe voli vreshtin e tokës. Të vjelat i qiti në vozgën e madhe të zemërimit të Hyjit.
- 20 Rrushi në vozgë qe shtrydhur përjashta qytetit e nga vozga rrodhi gjaku deri në fre të kuajve, një mijë e gjashtëqind stadje rreth e rreth.