Beselidhja e ReZbulesa: Lavirja e madhe dhe Egërsira
- 1 Atëherë njëri nga shtatë engjëjt, që kishin shtatë gotat, m`u afrua dhe më tha: >>Eja e do të të dëftoj Gjyqin kundër Lavires së madhe që rri mbi ujërat e mëdha,
- 2 me të cilën bënë fëlligështi mbretërit e tokës dhe u dehën me verën e fëlligështisë së saj banorët e dheut<<.
- 3 Në vegim më çoi në shkretëtirë. Pashë një Grua që rrinte kaluar mbi Egërsirën e kuqe, që është plot me emra blasfemie, me shtatë kokë dhe me dhjetë brirë.
- 4 Gruaja ishte e veshur me purpur e me petk të kuq si gjaku, e ngrirë në ar, me gur të paçmueshëm e me perla. Në dorë kishte një gotë ari plot me kobësi dhe me ndyrësi të fëlligështisë së vet.
- 5 Në ballë kishte të shkruar emrin - mister: >>Babilonia e madhe, nëna e lavireve dhe e të gjitha kobësive të botës!<<
- 6 Pastaj pashë: Gruaja ishte e dehur me gjak të shenjtërve dhe me gjak të dëshmitarëve të Jezusit. Kur e pashë, mbeta shtang nga habia e madhe.
- 7 Por engjëlli më tha: >>Pse po çuditesh? Unë do të ta tregoj misterin e kësaj Gruaje dhe të Egërsirës që e mbart në shpinë, të Egërsirës që ka shtatë kokë e dhjetë brirë.
- 8 Egërsira që pe, ishte e më nuk është; ajo do të ngrihet nga Humnera dhe do të mbarojë. Dhe do të habiten mbarë banorët e tokës - ata, emrat të cilëve që në krijimin e botës nuk u shkruan në librin e jetës - kur të shohin se Egërsira ishte dhe nuk është më, dhe prapë është aty.
- 9 Këtu lypet mendje e hollë, o ti që ke dijen! Shtatë kokët janë shtatë kodrat ku rri Gruaja; janë gjithashtu edhe shtatë mbretër:
- 10 pesë ranë, njëri është, kurse një tjetër ende s`erdhi, por, kur të vijë, do të qëndrojë pak kohë.
- 11 Po edhe Egërsira që ishte e nuk është, edhe ajo është i teti mbret, është një në numrin e të shtatëve dhe shkon në humbje.
- 12 Po edhe dhjetë brirët që ti pe, janë dhjetë mbretër që ende nuk e kanë marrë mbretërinë, por do ta marrin pushtetin si mbretër vetëm për një orë bashkë me Egërsirën.
- 13 Nuk kanë veçse një qëllim: ta vënë në shërbim të Egërsirës pushtetin e vet dhe fuqinë.
- 14 Ata do të bëjnë luftë me Qengjin - por Qengji do t`i mundë, sepse Ai është Zotëria i zotërinjve dhe Mbreti i mbretërve. Bashkë me Të do të ngadhënjejnë edhe të grishurit, të zgjedhurit, besimtarët<<.
- 15 Pastaj më tha: >>Ujërat që pe, mbi të cilat rri Lavirja, janë popujt, turmat, paganët, gjuhët.
- 16 Kurse dhjetë brirët që pe dhe Egërsira, do ta urrejnë Laviren, do ta shkretojnë dhe do ta zhveshin, do t`ia hanë mishin dhe do ta djegin në zjarr,
- 17 sepse Hyji ua mbushi mendjen ta çojnë në vend synimin e tij, një synim të vetëm: ta vënë mbretërinë e tyre në shërbim të Egërsirës derisa të plotësohen fjalët e Hyjit.
- 18 Gruaja që pe, paraqet qytetin e madh që mbretëron mbi mbretërit e dheut<<.