Beselidhja e ReZbulesa: Martesa mistike e Qengjit
- 1 Pastaj dëgjova diçka si zë të fortë të një shumice të madhe që brohoriste në qiell: "Aleluja! Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë,
- 2 sepse gjyqet e tij janë të vërteta dhe të drejta! Sepse e dënoi Laviren e madhe që e prishi tokën me fëlligështinë e vet, dhe në të e mori gjakun e shërbëtorëve të vet!"
- 3 Përsëri thanë: "Aleluja! Tymi i saj buçet në jetë të jetës!"
- 4 Atëherë njëzet e katër udhëheqësit dhe katër Gjallesat ranë përmbys dhe e adhuruan Hyjin që rri në fron e thanë: "Amen, Aleluja!"Martesa mistike e Qengjit
- 5 Pastaj nga froni jehoi zëri që tha: " Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij [edhe] të gjithë ju që e druani - të vegjël e të mëdhenj!"
- 6 Ndërkaq dëgjova, si zërin e një shumice së madhe njerëzish, si ushtimën e ujërave të mëdha, bumullimë rrufesh të forta: "Aleluja! Mbretëroi Zoti, Hyji [ynë], i Gjithëpushtetshmi!
- 7 Le të galdojë e të brohorasim dhe ti japim lavdi Atij, sepse erdhi Dasma e Qengjit! Gati është Nusja e tij!
- 8 Iu dha të vishet me li të hollë, të shkëlqyeshëm dhe të pastër!" Petku i lirit shembullon veprat e drejta të shenjtërve.
- 9 Atëherë më tha: "Shkruaj! Të lumët ata që janë të grishur në gostinë e dasmës së Qengjit!" Dhe shtoi: "Këto janë fjalë të vërteta të Hyjit".
- 10 Atëherë rashë para këmbëve të tij për ta adhuruar, por ai më tha: "Prite Zot! Edhe unë jam shërbëtor si ti dhe si vëllezërit e tu që dëshmuan Jezusin! Adhuro vetëm Hyjin!"Vërtet, dëshmia e Jezusit është shpirti i profecisë.Kalorësit në kalë të bardhë
- 11 Atëherë pashë: Qiellin e hapur dhe ja, një kalë i bardhë, dhe në të Ai [që është], "Besniku", i "Vërteti", Ai që gjykon e lufton me drejtësi.
- 12 Sytë i ka [si] flakë zjarri, mbi kokë shumë kurorë, mban Emrin e shkruar që askush s'e di përveç Atij vetë.
- 13 Është i mbështjellë me mantel të ngjyer në gjak dhe për emër quhet: Fjala e Hyjit.
- 14 E shoqërojnë Armatat qiellore, në kuaj të bardhë, të veshura me petk liri të hollë dhe të pastër.
- 15 Nga goja i del shpata e mprehtë për të prerë paganët: "Do të sundojë mbi ta me skeptër hekuri". Ai e shkel vozgën e verës së zemërimit e të hidhërimit të Hyjit të Gjithëpushtetshëm.
- 16 Mbi mantel dhe në ijë e ka të shkruar Emrin: "Mbreti i mbretërve dhe Zotëruesi i zotëruesve!"
- 17 Atëherë pashë një engjëll që qëndronte në diell. Ai me një zë të fortë u bërtiste të gjthë shpendëve që fluturojnë nëpër qiell: "Ejani! Bashkohuni në gostinë e madhe të Hyjit
- 18 për të ngrënë mish mbretërish, mish krerësh, mish princash, mish kuajsh dhe kalorësish të tyre edhe mish gjithfarë njerëzish - të lirësh dhe skllevërish, të vegjëlish dhe të mëdhenjsh!"
- 19 Atëherë pashë Egërsirën e mbretërit e dheut dhe ushtritë e tyre, të bashkuara për të filluar luftën me Atë që rrinte në kalë dhe me ushtrinë e tij.
- 20 Egërsira u zu rob dhe bashkë me të edhe Profeti i rrejshëm që në praninë e saj bënte shenja të mrekullueshme me të cilat gënjente ata që morën vulën e Egërsirës dhe adhuruan truporen e saj. Të dy gjallë u hodhën në liqenin e zjarrtë që digjet me sulfur.
- 21 Të tjerët u prenë me shpatën që dilte nga goja e Kalorësit.Të gjithë shpendët u nginë me mishrat e tyre!