Beselidhja e ReZbulesa: Vulat
- 1 Atëherë pashë: kur Qengji e hapi të parën nga shtatë vulat, dëgjova njërin nga të katër Gjallesat duke bërtitur me zë si zë bumullime: >>Eja!<<
- 2 Shikova dhe pashë: Ja, një kalë i bardhë! Ai që i rrinte në shpinë mbante në dorë harkun. I qe dhuruar një kurorë dhe, si ngadhënjyes, u nis për të ngadhënjyer më tutje.
- 3 Kur Qengji e hapi vulën e dytë, dëgjova Gjallesën e dytë duke thënë: >>Eja!<<
- 4 Dhe doli një kalë tjetër, i kuq si gjaku. Atij që i kërceu në shpinë iu dha pushteti të heqë paqen nga toka, kështu që njerëzit të vrisnin njëri-tjetrin. Atij iu dha një shpatë të madhe.
- 5 Kur Qengji e hapi vulën e tretë, dëgjova Gjallesën e tretë duke thënë: >>Eja!<
- 6 Atëherë dëgjova një zë para katër Gjallesave që thoshte: >>Masa e grurit një denar e tri masa elbi një denar, vajin dhe verën as mos e prek!<<
- 7 Kur Qengji e hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e Gjallesës së katërt duke thënë: >>Eja!<<
- 8 Shikova e pashë: dhe ja, një kalë verdhuk e ai që ishte në të quhej >>Vdekje<< dhe e shoqëronte bota e të vdekurve.Atyre u qe dhënë pushteti mbi të katërtën e tokës: të vrasin me shpatë, me uri, me vdekje dhe me egërsira të dheut.
- 9 Kur Qengji hapi vulën e pestë, pashë nën lter shpirtrat e vrarë për shkak të fjalës së Hyjit dhe për shkak të dëshmisë që kishin bërë.
- 10 Ata bërtisnin me zë të fortë dhe thoshin: >>Deri kur, o Zotërues i shenjtë e i drejtë, do të vonosh të bësh drejtësi e ta shpaguash gjakun tonë mbi banorët e tokës?<<
- 11 Atëherë secilit prej tyre i qe dhënë nga një petk i bardhë dhe u qe thënë të durojnë edhe pak kohë derisa të plotësohej numri i shokëve të tyre të shërbesës dhe i vëllezërve që do të vriteshin si ata.
- 12 E pashë: kur Qengji e hapi vulën e gjashtë, u bë tërmet i madh, dielli u bë i zi porsi thesi i leshit të dhisë dhe e tërë hëna u bë si gjak.
- 13 Yjet e qiellit ranë mbi tokë, sikurse fiku i hedh kokrrat e veta të papjekura kur e tund era e madhe.
- 14 Qielli u mbështoll porsi libri kur mbështillet dhe çdo mal e ishull ndërroi vend.
- 15 Mbretërit e tokës, njerëzit e mëdhenj, prijësit e ushtrive, të pasurit dhe të fuqishmit, - dhe çdo njeri: skllav dhe i lirë - të gjithë u fshehën në shpellat e qetat e maleve
- 16 e u thoshin maleve dhe qetave: >>Bini mbi ne e na mbuloni nga fytyra e Atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit,
- 17 sepse arriti Dita e madhe e zemërimit të tyre! Kush mund të qëndrojë përballë?<<