Beselidhja e VjeterRuti: Boozi martohet me Rutën
- 1 Boozi doli te dera e qytetit dhe qëndroi. Kur e pa se po kalon i afërmi, për të cilin kishte folur, i tha: Kthehu një herë e rri këtu, duke e thirrur për emër. Ai u kthye dhe u ul.
- 2 Boozi atëherë i mori dhjetë njerëz prej pleqve të qytetit e u tha: Uluni këtu!
- 3 Kur u ulën ata, i tha të afërmit: Noemia e shet tokën e vëllait tonë Elimelekut tani që është kthyer prej dheut të Moabit.
- 4 Desha që ta dish e të ta them ndër sy të të gjithë pleqve të vendit tim që janë këtu ndenjur, nëse do ta trashëgosh në emër të së drejtës së trashëgimit, blije dhe e gëzofsh; por në qoftë se nuk të pëlqen, ma thuaj edhe këtë që të di se ç`më duhet të bëj. Askush nuk është i afërm përveç teje, që je i pari, dhe unë që jam i dyti. Atëherë ai u përgjigj: Tokën do ta blej unë.
- 5 Boozi i tha: Nëse e blen tokën prej dorës së Noemisë, atëherë duhet ta marrësh për grua edhe Rutën, moabite, gruan e të ndjerit, për t`ia mbajtur gjallë emrin e të vdekurit të afërm në trashëgimin e tij.
- 6 Por ai u përgjigj: Tërhiqem nga e drejta e afrisë; s`kam qëllim të shkatërroj pronën e familjes sime. Përdore ti të drejtën time, që po e shpall me vullnet se heq dorë.
- 7 Në Izrael ishte që moti zakon që, si për blerje të trashëgimit, si për shndërrim, për të dëshmuar se hiqte dorë nga e drejta, njeriu zbathte të sandalen e vet e ja jepte të afërmit. Kjo ishte dëshmi se hiqte dorë.
- 8 Atëherë i afërmi i tha Boozit: Blije ti! Dhe e hoqi të sandalen nga këmba.
- 9 Atëherë Boozi u tha pleqve dhe mbarë popullit: Ju jeni dëshmitarë se unë sot mora prej dorës së Noemisë gjithçka që kishin Elimeleku, Kelioni e Mahaloni,
- 10 e marr edhe Rutën moabite, gruan e Mahalonit, për grua që ta ngjall emrin e të ndjerit në trashëgimin e tij, që emri i tij të mos fshihet prej vëllezërve të tij e prej derës së qytetit të tij. Ju, pra, po e përsëris, jeni dëshmitarë sot për këtë gjë.
- 11 U përgjigj mbarë populli që ishte te dera e qytetit dhe pleqtë: Jemi dëshmitarë! E bëftë Zoti këtë grua, që po hyn në shtëpinë tënde, porsi Rakelën e Lien, të cilat që të dyja ndërtuan shtëpinë e Izraelit.U pasurofsh në Efratë, u bëfsh i përmendur në Betlehem!
- 12 Shtëpia jote si shtëpia e Faresitqë Tamara ia lindi Judës, në saje të trashëgimtarëveqë Zoti do t`i japë prej kësaj nuseje!
- 13 Kështu Boozi e mori Rutën dhe ajo u bë gruaja e tij. Ai hyri tek ajo dhe Zoti deshi e ajo ngjizi dhe i lindi një djalë.
- 14 Atëherë gratë i thoshin Noemisë: Qoftë bekuar Zoti që s`lejoi të mbetesh pa të afërm, i cili pranoi ta përjetësojë familjen tënde dhe kështu t`i përmendet emri i tij në Izrael.
- 15 Ai do të ngushëllojë zemrën tënde e do të mbajë pleqërinë tënde. Lindi prej resë sate që të do shumë dhe është për ty shumë më e mirë se t`i kishe shtatë djem.
- 16 Noemia e mori djalin dhe e vuri në prehër dhe ajo u kujdes për të.
- 17 Të afërmet e saj, duke u gëzuar me të, i thoshin: Noemisë i leu djalë! dhe ia ngjitën emrin Obed. Është babai i Isait, i babait të Davidit.
- 18 Këta janë brezat e Faresit: Faresit i lindi Esromi,
- 19 Esromit i lindi Arami, Aramit i lindi Aminadabi,
- 20 Aminadabit i lindi Naasoni, Naasonit i lindi Salma,
- 21 Salmës i lindi Boozi, Boozit i lindi Obedi,
- 22 Obedit i lindi Jeseu, Jeseut i lindi Davidi.