Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Kthimi i Saulit
- 1 Samueli mori enën me vaj, e zbrazi mbi kokë të tij dhe e puthi. I tha: Ja, Zoti të shuguroi për prijës mbi popullin e vet, mbi Izrael. Ti do ta sundosh popullin e Zotit dhe do ta çlirosh prej dorës së armiqve të tij që janë përreth. Dhe, ja, shenja se Hyji të ka shuguruar për prijës mbi trashëgimin e vet:
- 2 pasi të largohesh sot prej meje, do t`i takosh dy njerëz te varri i Rakelës në kufirin e tokës së Beniaminit. Ata do të thonë: Gomaricat që kishe dalë t`i kërkoje, u gjetën; yt atë i ka harruar gomaricat e është bërë shumë marak për ju e thotë: `Çka të bëj tani për djalë`?
- 3 E kur të shkosh prej andej përtej e të mbërrish te Qarri i Taborrit, aty do të të takojnë tre burra që janë nisur të shkojnë tek Hyji në Betel: njëri do të mbartë tre edha, tjetri tri bukë të rrumbullakëta e i treti një rrëshiq me verë.
- 4 Pasi të të kenë përshëndetur, ata do të t`i japin dy bukë dhe ti merri prej dorës së tyre.
- 5 Pastaj do të arrish te Gabaa e Hyjit, ku është roja filistine. Kur të kesh hyrë në qytet, aty do të takosh një turmë profetësh që zbresin prej lartësisë e para tyre harpa, daulle, fyej e cetra e ata duke profetizuar.
- 6 Edhe ty do të të sulmojë shpirti i Zotit e edhe ti do të kalosh në kllapi profetike dhe do të shndërrohesh në një njeri tjetër.
- 7 Kur të shohësh se u përmbushën këto shenja, bëj si të duash, sepse Zoti është me ty.
- 8 Atëherë zbrit para meje në Galgalë. Sepse edhe vetë do të zbres tek ti për të paraqitur kushtin dhe për të flijuar flitë e pajtimit. Prit shtatë ditë derisa të vij tek ti e të të kallëzoj se çfarë duhet të bësh.Kthimi i Saulit
- 9 Kështu, pra, sa i ktheu shpinën Sauli Samuelit për t`u larguar, Hyji ia shndërroi zemrën e të gjitha shenjat iu vërtetuan po atë ditë.
- 10 Prej andej arritën në Gabaa, kur ja, turma e profetëve i doli përpara. Shpirti i Hyjit e pushtoi atë, dhe edhe ai nisi të profetizonte mes tyre.
- 11 Kur panë ata që e kishin njohur më parë, se si edhe ai papritmas u përzie me profetë e po profetizonte, e pyesnin njëri-tjetrin: Ç`i ndodhi djalit të Cisit? Po a mos është edhe Sauli profet?
- 12 Një njeri vendës pyeti: Kush është babai i tyre? Këndej edhe u bë thënia e popullit: Pse, edhe Sauli është një ndër profetët?
- 13 Por Sauli pushoi së profetizuari e erdhi në Gabaa.
- 14 Ungji i Saulit i pyeti atë dhe shërbëtorin e tij: Ku keni qenë? Ai iu përgjigj: Për të kërkuar gomaricat e, pasi nuk i gjetëm, shkuam te Samueli.
- 15 Atëherë i tha ungji i tij: Më trego ç`të ka thënë Samueli?
- 16 Sauli i tha të ungjit: Na tregoi se ishin gjetur gomaricat. Por nuk i tregoi asnjë fjalë lidhur me ç`i tha Samueli për mbretëri.Sauli zgjidhet me short për mbret
- 17 Samueli e thirri popullin te Zoti në Masfë
- 18 dhe u tha bijve të Izraelit: Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: `Unë i nxora bijtë e Izraelit prej Egjiptit dhe ju shpëtova prej dorës së egjiptianëve e prej dorës së të gjitha mbretërive që ju mundonin.
- 19 E ju sot e përbuzët Hyjin tuaj që i vetmi ju shpëtoi prej të gjitha të këqijave dhe vështirësive tuaja e thatë: `Assesi, por na cakto një mbret!` Tani, vëruni në rresht sipas fiseve e sipas barqeve tuaja!
- 20 Samueli i bëri të afroheshin të gjitha fiset e Izraelit. Shorti ra mbi fisin e Beniaminit.
- 21 Bëri të afrohej fisi i Beniaminit e vëllazëritë e tija. Shorti ra në vëllazërinë e Metriut. Shorti i ra Saulit, birit të Cisit. E kërkuan Saulin, por nuk e gjetën.
- 22 Atëherë u këshilluan me Zotin nëse a do të ketë ardhur ai njeri aty ndopak. Zoti u përgjigj: Ja, është fshehur ndër rrobat!
- 23 U lëshuan vrap dhe e morën prej andej. Qëndroi në mes të popullit dhe ngalliste përmbi mbarë popullin që prej krahëve e lart.
- 24 Atëherë Samueli i tha mbarë popullit: A po shihni kë ka zgjedhur Zoti? S`ka shoq në mbarë popullin!Mbarë populli brohoriti: Rroftë mbreti!
- 25 Atëherë Samueli i kumtoi popullit të drejtat e mbretit, i shkroi në libër dhe e vendosi para Zotit. Pastaj Samueli nisi popullin, secilin në shtëpinë e vetë.
- 26 Po ashtu edhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij në Gaba. Me të shkuan edhe trimat e fortë, të cilëve Zoti ua preku zemrën.
- 27 Por disa njerëz të pavlerë, thanë: A thua ky do të mund të na shpëtojë? E përbuzën dhe nuk i çuan dhurata. Ai bëri sikur s`dëgjoi.