Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Davidi strehohet në Get
- 1 Davidi tha vetë me vete: Dikur, një ditë a një tjetër, do të bie në duar të Saulit. A nuk është më mirë për mua të iki e të shpëtoj në tokën e filistenjve? Kështu Sauli do të mërzitet e do të pushojë të më kërkojë nëpër krahina të Izraelit. Kështu, pra, do të shpëtoj prej tij.
- 2 U ngrit, pra, Davidi e shkoi ai e njerëzit e tij;gjashtëqind vetë;tek Akisi, biri i Maohut, mbret i Getit.
- 3 Davidi banoi me mbretin Akis në Get, ai dhe njerëzit e tij, secili me familjen e vet; edhe Davidi me dy gratë e veta. Akinoamën prej Jezrahelit e Abigajlën, gruan e Nabalit prej Karmelit.
- 4 E njoftuan Saulin se Davidi kishte ikur në Get dhe nuk e gjurmoi më.Davidi vasal i filistenjve
- 5 Davidi i tha Akisit: Nëse kam gjetur hir para syve të tu, le të më jepet një qytet në këtë vend për të banuar aty. E pse, njëmend, të banojë shërbëtori yt me ty në qytetin mbretëror?
- 6 Akisi po atë ditë ia dha Sicelegun. Për këtë arsye Sicelegu u takon mbretërve të Judës deri në ditën e sotme.
- 7 Davidi qëndroi në tokën e filistenjve një vit e katër muaj.
- 8 Davidi me njerëzit e vet dilte e plaçkiste gjezuritët, gerzitët e amalecitët, sepse këta popuj e banonin tokën prej Telemit në drejtim të Surit deri në Egjipt.
- 9 Davidi shkretëronte mbarë vendin, s`linte gjallë as trim as grua; merrte dele, lopë, gomarë, deve e petka. Kur kthehej, shkonte tek Akisi.
- 10 E Akisi i thoshte: Kë keni sulmuar sot? Davidi i përgjigjej: Sot i ramë Nagebit të Judës, ose: I ramë Nagebit të Jerameelit, ose: I ramë Nagebit të Ceniut.
- 11 Davidi nuk falte as trim as grua dhe nuk i sillte në Get, sepse thoshte: Mund të na padisin e të thonë kundër nesh: `Kështu bëri Davidi`. Këtë sjellje kishte për tërë kohën sa qëndroi në tokën e filistenjve.
- 12 Akisi i besonte Davidit, sepse me vete thoshte: Ka bërë ta urrejë tepër populli i Izraelit, prandaj do të jetë skllavi im përgjithmonë.