"Bibla Sot" është dizajnuar për të udhëhequr përmes gjithë Shkrimeve të Biblës në një vit të plotë. Ky plan i
strukturuar ofron lexime të përditshme që do të të ndihmojnë të krijosh një zakon të qëndrueshëm, të thellosh
kuptimin tënd ndaj Zotit, dhe të rritesh shpirtërisht.
Danieli, kapitulli 12:
Ngjallja dhe shpërblimi
1 Në atë kohë do të ngritet Mikaeli, Princi i Madh, që i mbron bijtë e popullit tënd. Kjo do të jetë një kohë ngushtice të madhe. E tillë nuk qe që kur filluan të jetojnë popujt e deri në atë kohë! Në këtë kohë populli yt do të shpëtojë: secili që do të gjendet i shkruar në Libër.
2 Një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm.
3 Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumë njerëzve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm.Profecia e vulosur
4 Ti, o Daniel, ndryji këto fjalë e vulose librin deri në kohën e Mbarimit! Do të enden shumë e dija do të jetë e shumëfishtë.
5 Unë Danieli po shikoja, dhe ja, dy të tjerë po qëndronin në këmbë: njëri këndej, mbi bregun e lumit, tjetri andej, në anën tjetër, në bregun e lumit.
6 Njëri i tha njeriut të veshur me petka të linjta e qëndronte përmbi ujin e lumit: Kur do të marrin fund këto gjëra të mrekullueshme?
7 E dëgjova njeriun që ishte i veshur me të linjta e që qëndronte përmbi ujët e lumit, i cili, lartësuar dorën e djathtë dhe dorën e majtë drejt qiellit, u përbetua me Atë që jeton përgjithmonë: Pas një kohe, kohëve e pas gjysmë kohe; kur të vijë mbarimi i shpartallimit të fuqisë së popullit të shenjtë; do të përmbushen të gjitha këto.
8 Unë e dëgjova, por gjë s'mora vesh e thashë: Imzot, si do të marrin fund këto?
9 Tha: Shko, Daniel! Këto janë fjalë të fshehta e të vulosura deri në kohën e Mbarimit.
10 Shumë do të pastrohen, do të zbardhohen e do të vihen në provë. Të paudhët do të bëjnë paudhësi; të paudhët gjë nuk do të kuptojnë. Dijetarët do të marrin vesh.
11 Prej kohës kur do të këputet flia e përditshme e dot'i vihet turpi shkatërruesit: do të kalojnë një mijë e dyqind e nëntëdhjetë ditë.
12 I lumi ai që pret e arrin deri në një mijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë!
13 Ti shko deri në Mbarim. Pusho. Do të ngrihesh ta marrësh shpërblimin tënd në mbarimin e ditëve.
Danieli, kapitulli 13:
Suzana e gjykimi i Danielit
1 Na ishte në Babiloni një njeri që e kishte emrin Joakim.
2 Kishte marrë për grua Suzanën, bijën e Helcisë, që ishte shumë e bukur dhe e druante Zotin.
3 Prindërit e saj, pasi ishin njerëz të drejtë, e edukuan vajzën e vet sipas Ligjit të Moisiut.
4 Joakimi ishte shumë i pasur. Përbri shtëpisë së vet kishte një kopsht. Tek ai tuboheshin judenjtë me shumicë, sepse e çmonin më tepër se të gjithë të tjerët.
5 Atë vit zgjodhën për gjykatës dy pleq nga populli. Ishin nga ata, për të cilët Zoti ka thënë: Paudhësia doli nga Babilonia me anë të pleqve gjykatës që vetëm dukeshin si udhëheqës të popullit.
6 Këta shkonin në shtëpinë e Joakimit e te ta shkonin të gjithë ata që kishin ndonjë çështje gjyqësore.
7 Kur, rreth mesditës, populli shpëdahej, Suzana dilte e shëtiste në kopshtin e burrit të vet.
8 Ata dy pleqtë e shihnin çdo ditë duke hyrë e shëtitur dhe e lakmuan.
9 E humbën dritën e arsyes, sytë e vet më nuk i lartësuan për ta parë Qiellin e për t'i kujtuar gjyqet e drejta.
10 Të dy u goditën nga dëshirimi për të, por s'ia dëftuan njëri-tjetrit epshin e vet,
11 sepse u vinte turp t'ia zbulonin shokut lakmimin që kishin për të,
12 por çdo ditë mundoheshin me shumë dëshirë që ta shikonin. Një ditë i thanë njëri-tjetrit:
13 Po shkojmë në shtëpi se është koha e drekës! Dolën jashtë e u shpëdanë,
14 por u kthyen dhe u gjetën në të njëjtin vend e, duke pyetur njëri-tjetrin pse u kthyen, rrëfyen epshin e vet. Atëherë së bashku caktuan kohën kur Suzanën do ta gjenin vetëm.
15 Kështu ata po prisnin rastin e volitshëm. Një ditë erdhi Suzana, sikurse edhe ditëve më përpara, vetëm me dy shërbëtore e, pasi bënte vapë, deshi të bëjë banjë në kopsht.
16 Aty s'ishte askush tjetër, përveç dy pleqve të fshehur që po e shikonin.
17 Suzana u tha shërbëtoreve: Më sillni vaj e erëra të mira dhe ma mbyllni derën e kopshtit që të lahem.
18 Ato bënë si i urdhëroi. E mbyllën derën e kopshtit dhe dolën nëpër anësore për të sjellë çka kishte kërkuar: e nuk dinin se pleqtë ishin fshehur brenda.
19 Kur shërbëtoret dolën, u çuan dy pleqtë, vrapuan tek ajo e i thanë:
20 Ja, dyert e kopshtit janë të mbyllura e askush nuk na sheh. Ne kemi rënë në dëshirimin tënd: na u dorëzo e të biem me ty!
21 Por, nëse s'dëgjon, do të bëjmë dëshmi kundër teje se ka qenë me ty një djalosh e për këtë arsye i ke nisur shërbëtoret larg teje.
22 Suzana dënesi e tha: Kam rënë gjallë e ngushtë: në qoftë se bëj atë çka kërkoni, më pret vdekja, në qoftë se s'bëj ashtu, s'do të mund të shpëtoj prej duarve tuaja;
23 por më mirë është për mua të bie në duart tuaja pa e pasë bërë këtë të keqe se të mëkatoj para syve të Zotit.
24 Atëherë Suzana lëshoi një britmë të madhe. Bërtitën edhe pleqtë kundër saj
25 dhe njëri prej tyre u lëshua vrap dhe e hapi derën e kopshtit.
26 Kur anëtarët e familjes dëgjuan britmat në kopsht, u lëshuan vrap nëpër derën anësore për të parë se ç'kishte ndodhur.
27 Kur pleqtë i treguan fjalët e veta, shërbëtorëve u ra një hije e zezë, sepse kurrë për Suzanën nuk ishte thënë një fjalë e tillë.
28 Të nesërmen, kur u mblodh populli në kuvend te Joakimi, burri i saj, erdhën edhe dy pleqtë plotësisht të vendosur që ta dënojnë Suzanën me vdekje.
29 Ata thanë para popullit: Silleni Suzanën, bijën e Helcisë, gruan e Joakimit! Ata shkuan për ta sjellë.
30 Ajo erdhi me prindër, me fëmijë e me të gjithë kushërinjtë.
31 Vërtet Suzana ishte shumë e njomë dhe e bukur për kah hijeshia!
32 Ata të paudhë urdhëruan ta hiqte velin, sepse me të ajo e kishte mbuluar fytyrën; për t'u kënaqur me bukurinë e saj.
33 Qanin të gjithë njerëzit e saj dhe të gjithë ata që e shikonin.
34 Dy pleqtë u ngritën mes popullit e ia vunë duart mbi kokë.
35 Ajo, duke qarë, i çoi sytë drejt qiellit: sepse zemra e saj kishte besim në Zotin.
36 Pleqtë thanë: Ndërsa ne po shëtisnim vetëm në kopsht, kjo hyri në kopsht me dy shërbëtore, e mbylli derën e kopshtit e i nisi shërbëtoret.
37 Atëherë iu afrua një djalosh që kishte qenë i fshehur, dhe ra me të.
38 Ne që ndodheshim në një kënd të kopshtit, kur e pamë këtë poshtërsi, vrapuam tek ata e i pamë mirë se ishin bashkuar.
39 Por atë nuk mundëm ta kapnim, sepse ishte më i fuqishëm se ne dhe, si e hapi derën, iku.
40 Këtë e kapëm dhe e pyetëm kush ishte ai djalosh, por nuk deshi të na tregojë. Për këtë gjë ne jemi dëshmitarë!
41 Njerëzit u besuan porsi pleqve të popullit e gjykatësve dhe e dënuan Suzanën me vdekje.Gjyqi i Danielit
42 Suzana lëshoi një britmë të madhe e tha: O Hyj i amshueshëm, ti që i njeh fshehtësitë, ti që di gjithçka para se të ndodhë,
43 ti e di mirë se kundër meje sollën dëshmi të rreme! Ja, unë po vdes, megjithëse nuk bëra asgjë prej atyre që i sendërtoi shpirtligësia e tyre kundër meje!
44 Zoti e dëgjoi lutjen e saj.
45 Ndërsa po e çonin për ta vrarë, Hyji zgjoi shpirtin e shenjtë të një djaloshi të ri, që quhet Daniel.
46 Ai bërtiti me zë të lartë: Unë jam i pafajshëm për gjakun e saj!
47 Mbarë populli u soll prej tij e i tha: Ç'është kjo fjalë që e the?
48 Ai qëndroi mes tyre e tha: Kaq të marrë jeni, bijtë e Izraelit? Pa e pasë pleqëruar të vërtetën e pa e njohur, e dënuat bijën e Izraelit!
49 Kthehuni në gjyq, sepse kanë dhënë dëshmi të rreme kundër saj!
50 Vrik u kthye mbarë populli e të parët i thanë: Eja, ulu mes nesh e na trego, sepse Zoti ta dha nderin e pleqërisë!
51 Atëherë Danieli u tha: Ndajini ata larg njëri-tjetrit e unë do t'i marr në pyetje.
52 Pasi qenë ndarë prej njëri-tjetrit, e thirri njërin prej tyre e i tha: Plakushani i ditëve të zeza, tani po dalin në dritë mëkatet e tua, që më parë i bëje,
53 duke gjykuar gjyqe padrejtësisht: të pafajshmit i dënoje e fajtorët i liroje, e mirë e di se Zoti thotë: 'Mos e vra të pafajshmin e të drejtin!'
54 Tani, pra, nëse e ke parë, thuaj nën cilën pemë i pe duke biseduar?' Ai u përgjigj: Nën xinë.
55 Danieli i tha: Me të drejtë rrejte në dëm të kokës sate! Sepse, ja, posa engjëlli e mori dënimin prej Hyjit, do të të presë përmes!
56 Si e larguan atë, urdhëroi të sillet tjetri e i tha: Pjellë e Kanaanit e jo e Judës, t'i mori mendtë bukuria e lakmia ta prishi zemrën.
57 Kështu ua bënit bijave të Izraelit e ato prej frikës ju lëshoheshin në duar, por bija e Judës nuk e duroi poshtërsinë tuaj.
58 Tani, pra, më thuaj: nën cilën pemë i zure ata duke biseduar? Ai tha: Nën plepin e egër!
59 Atëherë Danieli i tha: Me të drejtë rrejte në dëm të kokës sate edhe ti! Gati është në këmbë engjëlli i Hyjit, me shpatë në dorë për të të prerë përmes e për të të vrarë!
60 Atëherë mbarë kuvendi zuri të bërtasë me zë të lartë e t'i japë lavdi Hyjit, që i shpëton ata që shpresojnë në të.
61 U çuan kundër dy pleqve; të cilët Danieli i shtrëngoi të pohonin me gojën e vet se kishin dhënë dëshmi të rreme; dhe ua bënë atyre ashtu si ata, të shtyrë nga shpirtligësia e vet, kishin sendërtuar t'ia bënin të afërmit,
62 sipas Ligjit të Moisiut i vranë ata. Dhe atë ditë e shpëtuan gjakun e pafajshëm.
63 Helcia e gruaja e tij i dhanë lavdi Hyjit për bijën e vet Suzanën bashkë me Joakimin, burrin e saj, e me të gjithë të afërmit e saj që s'u gjet në të farë turpi.
64 Që prejasaj dite Danieli u bë i përmendur në sy të popullit.
Danieli, kapitulli 14:
Danieli e priftërinjtë e Belit
1 Mbreti Astiagj qe varrosur përbri etërve të vet e Ciri persian ia trashëgoi mbretërinë.
2 Danieli jetonte me mbretin, i cili e çmonte më tepër se çdo mik tjetër.
3 Babilonasit kishin një idhull që quhej Bel. Për çdo ditë shpenzonin për të dymbëdhjetë artabë të më të mirit miell, dyzet dele dhe gjashtë masa verë.
4 Gjithashtu edhe mbreti e nderonte dhe çdo ditë shkonte për ta adhuruar. Danieli adhuronte Hyjin e vet. Mbreti i tha: Pse nuk e adhuron Belin?
5 Danieli iu përgjigj: Unë nuk i adhuroj idhujt e punuar me dorë, por vetëm Hyjin e gjallë, që krijoi qiellin e tokën e që ka pushtet mbi çdo gjallesë.
6 E mbreti i tha: Pse, a nuk të duket se Beli është hyj i gjallë? Pse a nuk sheh sa ha e pi çdo ditë?
7 Danieli iu përgjigj me buzë në gaz: Mos gabo, o mbret, sepse ai përbrenda është prej bote e përjashta është i artë: ai kurrë as s'ka ngrënë as s'ka pirë.
8 Mbreti, i zemëruar, i thirri priftërinjtë e Belit e u tha: Në mos më tregofshi se kush i ha këto ushqime, do t'ju vras!
9 Po në qoftë se ma vërtetoni se këto i ha Beli, do të vdesë Danieli, sepse blasfemoi kundër Belit. Danieli i tha mbretit: U bëftë sipas fjalës sate! Priftërinjtë e Belit ishin shtatëdhjetë pa numëruar gratë dhe fëmijët.
10 Mbreti erdhi me Danielin në tempullin e Belit.
11 Priftërinjtë e Belit i thanë: Ja, ne po dalim jashtë. Ti, o mbret, silli ushqimet e verën e përzier: pastaj mbylle derën e vulose me unazën tënde.
12 Kur të hysh në mëngjes, nëse nuk i gjen të gjitha të ngrëna nga Beli, na vra ne ose Danielin, i cili rrejti kundër nesh.
13 Ata s'e druanin vdekjen, sepse kishin punuar nën tryezë një hyrje të fshehtë e nëpër të hynin çdo ditë e i përlanin ushqimet.Danieli zbuloi dredhinë
14 Pasi ata dolën, mbreti i vendosi ushqimet para Belit. Danieli i urdhëroi shërbëtorët e vet e ata i sollën hi dhe e shpëdanë nëpër mbarë tempullin në prani vetëm të mbretit. Pastaj dolën jashtë, e mbyllën derën, e vulosën me unazën e mbretit dhe shkuan.
15 E priftërinjtë hynë natën, siç e kishin zakon, edhe gratë e fëmijët e tyre, i hëngrën dhe i pinë të gjitha.
16 Po edhe mbreti u ngrit në mëngjes shumë herët, e edhe Danieli bashkë me të.
17 Mbreti e pyeti: Daniel, a janë vulat shëndoshë e mirë?; Shëndoshë e mirë janë, o mbret; iu përgjigj Danieli.
18 Menjëherë, posa e hapi derën, si ia lëshoi hodhi sytë tryezës, mbreti brohoriti me zë të lartë: I madh je, o Bel, e me ty nuk ka kurrfarë dredhie!
19 Danielit i shpërtheu gazi, e mbajti mbretin të mos hynte brenda e tha: Shikoje truallin e mendo gjurmët e kujt janë këto!
20 Mbreti tha: Po shoh gjurmë trimash, grash e fëmijësh. Mbreti u hidhërua.
21 I kapi priftërinjtë, gratë e fëmijët e tyre, kurse ata i treguan hyrjen e fshehtë, nëpër të cilën hynin e hanin së bashku gjithçka ishte në tryezë.
22 Mbreti i vrau ata e Belin ia dha Danielit t'i bëjë atij çka të dojë. Ai e rrënoi atë dhe tempullin e tij.Danieli mbyt gjarprin
23 Ishte një kuçedër e madhe e babilonasit i jepnin nderim.
24 Mbreti i tha Danielit: S'ke si thua se ky nuk është një hyj i gjallë? Pra, adhuroje!
25 Danieli iu përgjigj: Unë adhuroj Zotin, Hyjin tim, sepse ai është Hyj i gjallë.
26 E ti, o mbret, më jep leje e unë do ta vras gjarprin pa shpatë e pa shkop. Mbreti i tha: Lejen e ke.
27 Atëherë Danieli mori peshkve, dhjamë e qime e i zjeu së bashku, bëri me to lëmsha dhe ia futi në gojë gjarprit e, pasi i hëngri, gjarpri plasi. Danieli tha: Shikoni se çka adhuronit!Danieli në shpellën e luanëve
28 Kur morën vesh babilonasit, të zemëruar sa s'ka, u bashkuan kundër mbretit e thanë: Mbreti u bë çifut: e shkatërroi Belin, e mbyti gjarprin e i vrau priftërinjtë!
29 Atëherë shkuan para mbretit e i thanë: Na e dorëzo Danielin, pëdryshe do të të vrasim ty dhe familjen tënde.
30 Pa mbreti se ishin sulur kundër tij me tërbim e, i shtrënguar prej ngushticës, ua dorëzoi Danielin.
31 Ata e hodhën në shpellën e luanëve e ndenji aty gjashtë ditë.
32 Në shpellë ishin shtatë luanë. Për çdo ditë u jepnin dy kufoma e dy dele. Asohere nuk u dhanë asgjë me qëllim që ta përpinin Danielin.
33 Profeti Abakuk ishte në Jude: kishte përgatitur një mëlmesë, në enë kishte përsheshur bukën e po nisej në fushë për t'ua çuar korrtarëve.
34 Por engjëlli i Zotit i tha Abakukut: Sillën që e ke në dorë, çoja Danielit në Babiloni. Është në shpellën e luanëve.
35 Abakuku iu përgjigj: Zotëri, Babiloninë s'e kam parë kurrë e shpella s'di se ku është.
36 Engjëlli e kapi në majë të kokës e, duke e mbartur për floku me fuqinë e shpirtit të vet e lëshoi në Babiloni përmbi shpellë.
37 Abakuku thirri e tha: Daniel, o Daniel, merre drekën që ta dërgoi Hyji.
38 Danieli tha: Të ka rënë ndër mend për mua, o Hyj; ti nuk i lëshon dore ata që të duan.
39 Danieli u çua e hëngri drekë, kurse engjëlli i Hyjit menjëherë e ktheu Abakukun në vendin e vet.
40 Të shtatën ditë mbreti erdhi që ta vajtojë Danielin. Kur arriti te shpella, shikoi brenda, dhe ja, Danieli po rrinte ndenjur.
41 Atëherë mbreti bërtiti me sa zë që kishte e tha: I madh je, o Zot, Hyji i Danielit, përveç teje Zot tjetër nuk ka!
42 Atëherë dha urdhër që ta nxjerrin Danielin nga shpella e i hodhi në shpellë ata që kishin kërkuar vdekjen e tij: luanët menjëherë i përlanë para syve të tij.