Beselidhja e Vjeter 1 i Mbretërve: Gratë e Salomonit
- 1 Mbreti Salomon dashuroi shumë gra të huaja: përveç bijës së faraonit, edhe moabite, amonite, idumease, sidonite dhe hetease;
- 2 bija popujsh për të cilat u tha Zoti bijve të Izraelit: Mos hyni tek ato as prej tyre të mos hyjnë te bijat tuaja, sepse s'ka dyshim që do t'i kthejnë zemrat tuaja t'i ndiqni zotat e tyre. Me të tilla u lidh Salomoni me dashuri.
- 3 Kishte shtatëqind gra pothuajse mbretëresha e treqind shemra. Gratë ia prishën zemrën.
- 4 Dhe kur Salomoni u plak, gratë e tija ia prishën zemrën e i ndoqi hyjnitë e huaja dhe zemra e tij nuk i përkiste më plotësisht Zotit, Hyjit të tij, sikurse zemra e Davidit, babait të tij.
- 5 Salomoni ndiqte Astartën, hyjneshën e sidonëve e Melkomin, idhullin e amonëve.
- 6 Kështu Salomoni bëri çka nuk i pëlqente Zotit dhe nuk i qe besnik Zotit, sikurse qe Davidi, baba i tij.
- 7 Atëherë Salomoni i ndërtoi një lartësirë Kamosit, idhullit të moabitëve, në malin që është përballë Jerusalemit, dhe Melkomit, idhullit të bijve të Amonit.
- 8 Kështu bëri edhe për të gjitha gratë e veta të huaja, të cilat u kushtonin kem dhe fli hyjnive të veta.
- 9 Prandaj edhe Zoti iu hidhërua Salomonit, sepse e largoi mendjen e vet prej Zotit, Hyjit të Izraelit, i cili iu dëftua dy herë
- 10 dhe i kishte urdhëruar mu këtë: të mos i ndiqte hyjnitë e huaja. Por ai nuk zbatoi çka i kishte urdhëruar Zoti.
- 11 Kështu që edhe Zoti i tha Salomonit: Pasi bëre kështu e nuk e mbajte Besëlidhjen time as urdhërimet e mia që t'i dhashë, unë do ta marr prej teje mbretërinë tënde e do t'ia jap një shërbëtori tënd.
- 12 Megjithatë këtë s'do ta bëj për të gjallë tënd, për dashuri të Davidit, babait tënd; do ta marr prej duarve të djalit tënd.
- 13 Por as prej tij s'do ta marr tërë mbretërinë, birit tënd do t'i jap vetëm një fis për shkak të shërbëtorit tim Davidit e për shkak të Jerusalemit që e kam zgjedhur.Armiqtë e jashtëm të Salomonit
- 14 Por Zoti i ngriti Salomonit një kundër shtar: Adadin idumeas, që ishte nga familja mbretërore e Edomit.
- 15 Kur i kishte mundur Davidi edomasit dhe, kur Joabi, prijësi i ushtrisë, shkoi për t'i varrosur të vrarët, dhe pasi i vrau të gjithë meshkujt në Idume,
- 16 -sepse atje qëndroi për gjashtë muaj Joabi dhe mbarë Izraeli derisa ua humbën farën të gjithë meshkujve në Idume
- 17 Adadi me njerëzit e vet, idumeas, shërbëtorët e t'et, iku për të shkuar në Egjipt. Adadi asohere ishte djalosh shumë i vogël.
- 18 U nisën prej Madianit e arritën në Faran. I morën me vete disa njerëz prej Faranit e shkuan në Egjipt te faraoni, mbreti i Egjiptit, që i dha banesën, i siguroi ushqimin e i dha toka.
- 19 Adadi gjeti përkrahje të madhe te faraoni, aq sa ia dha për grua të motrën e gruas së vet, motrën e Tafnesës, mbretëreshës.
- 20 Motra e Tafnesës i lindi djalë, Genubatin, dhe Tafnesa e rriti djalin në shtëpinë e faraonit. Genubati qëndroi në shtëpinë e faraonit me bijtë e tij.
- 21 Kur dëgjoi Adadi se Davidi kishte pushuar pranë të parëve të tij dhe se Joabi, prijësi i ushtrisë, kishte vdekur, i tha faraonit: Më lejo të shkoj në vendin tim.
- 22 Faraoni i tha: Çfarë po të mungon tek unë që kërkon të shkosh në vendin tënd? Ai iu përgjigj: Asgjë; por, po të lutem, më lër të shkoj.
- 23 Hyji i ngriti Salomonit edhe një kundërshtar tjetër: Razonin, birin e Eliadës, që kishte ikur prej Adadezerit, mbretit të Sobës, zotërisë së vet.
- 24 Ky i bashkoi rreth vetes disa trima dhe u bë kapedan i çetës. Por, meqenëse Davidi i vriste, kishin shkuar në Damask, ngulën aty dhe sunduan Damaskun.
- 25 Ky ishte kundërshtar i Izraelit gjatë tërë jetës së Salomonit; pos kësaj edhe e keqja që ishte Adadi. E urreu Izraelin e mbretëroi në Siri.Kryengritja e Jeroboamit
- 26 Po edhe Jeroboami, biri i Nabatit, një efratas nga Sareda, nëpunës i Salomonit, nëna e të cilit quhej Sarvë e ishte grua e ve, çoi kokë kundër mbretit.
- 27 Dhe ja, shkaku i kryengritjes kundër mbretit: Salomoni po ndërtonte Melon e po rrafshonte humnerën e Qytetit të Davidit, t'et.
- 28 E Jeroboami ishte burrë i fortë e i vyeshëm. Salomoni, duke e parë djaloshin se si punonte, e emëroi mbikëqyrës të të gjithë punonjësve të shtëpisë së Jozefit.
- 29 E ndodhi që asohere Jeroboamin, dalë nga Jerusalemi, ta takojë në rrugë Ahia profet, prej Silos. Ahia ishte mbështjellë me mantel të ri. Ishin quk vetëm në fushë.
- 30 Ahia mori leshnikun e vet të ri, me të cilin ishte i mbështjellë, e shqeu në dymbëdhjetë pjesë
- 31 e i tha Jeroboamit: Merri dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit': Ja, unë do ta heq prej dorës së Salomonit mbretërinë e do të t'i jap ty dhjetë fise.
- 32 Atij do t'i lë vetëm një fis për shkak të Davidit, shërbëtorit tim, e për shkak të qytetit të Jerusalemit që, prej të gjitha fiseve të Izraelit e zgjodha për vete.
- 33 Arsyeja është se më lanë mua e adhuruan Astartën, hyjneshën e sidonëve, Kamosin, hyjin e moabitëve, Melkomin, hyjin e bijve të Amonit dhe nuk ecën udhëve të mia; nuk bëjnë çka është e drejtë para syve të mi, as s'i zbatojnë urdhërimet e ligjet e mia porsi Davidi, baba i tij.
- 34 Nuk do t'ia heq dore mbarë mbretërinë, por do ta lë prijës për të gjithë jetën e tij për shkak të Davidit, shërbëtorit tim, që e kam zgjedhur, dhe i cili i mbajti urdhërimet e ligjet e mia.
- 35 Mbretërinë do ta marr prej dorës së djalit të tij e ty do të t'i jap dhjetë fise,
- 36 kurse djalit të tij do t'i jap vetëm një fis që t'i mbesë shërbëtorit tim Davidit një llambë e ndezur para meje në Jerusalem, qytet që e zgjodha vetë për të banuar aty Emri im.
- 37 Ty do të të marr që të mbretërosh mbi gjithçka të dëshirosh e të jesh mbret mbi Izraelin.
- 38 Nëse do të dëgjosh gjithçka të të urdhëroj, nëse do të ecësh udhëve të mia, nëse do të bësh çka është e drejtë para syve të mi, duke mbajtur urdhërimet e mia e ligjet e mia, siç bëri Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do ta ndërtoj një brez mbretëror të qëndrueshëm, siç ia ndërtova Davidit, e ty do të ta jap Izraelin.
- 39 Me këtë gjë do ta përul farën e Davidit, megjithëse jo për përgjithmonë'.
- 40 Salomoni kërkoi ta vrasë Jeroboamin, por ky u çua e iku në Egjipt të Sesaku, mbreti i Egjiptit. Jeroboami qëndroi në Egjipt deri në vdekjen e Salomonit.Përfundimi i mbretërisë
- 41 Veprat e tjera të Salomonit, gjithçka bëri, dhe urtësia e tij, ja të gjitha janë të shkruara në Librin e Veprave të Salomonit.
- 42 Mbretërimi i Salomonit në Jerusalem mbi mbarë Izraelin zgjati dyzet vjet.
- 43 Salomoni fjeti me etërit e vet dhe qe varrosur në Qytetin e Davidit, babait të tij.Në vend të tij mbretëroi Roboami, i biri.