Beselidhja e Vjeter 1 i Samuelit: Arka u sjell vështirësi filistenjve
- 1 Filistenjtë e morën Arkën e Hyjit dhe e çuan prej Abenezerit në Azot.
- 2 Filistenjtë e morën Arkën e Hyjit, e futën në tempullin e Dagonit dhe e vendosën përkrah Dagonit.
- 3 Të nesërmen kur u ngritën azotianët, kur, ç'të shohësh?- ja Dagoni përmbys me fytyrë përdhe para Arkës së Zotit! E kapën Dagonin dhe e vendosën prapë në vendin e vet.
- 4 Por përsëri të nesërmen në mëngjes shkuan dhe e gjetën Dagonin të shtrirë përtokë me fytyrë përdhe para Arkës së Zotit. Por koka e Dagonit dhe të dy duart e tija, të prera, ishin në prak të derës:
- 5 në vend ishte vetëm trupi i Dagonit. Për këtë arsye priftërinjtë e Dagonit dhe të gjithë ata që hyjnë në tempullin e tij, nuk e shkelin pragun e Dagonit në Azot atë ditë e sot.
- 6 Atëherë erdhi e u rëndua dora e Zotit mbi azotianë, i dërrmoi dhe i goditi me çibanë Azotin e rrethet e tija.
- 7 Me të parë këtë plagë, azotianët thanë: Të mos qëndrojë ndër ne Arka e Hyjit të Izraelit, sepse është e rëndë dora e tij mbi ne dhe mbi Dagonin, zotin tonë.
- 8 Ata çuan e thirrën të gjithë princat filistenj e thanë: Çfarë do të bëjmë me Arkën e Hyjit të Izraelit? Ata u përgjigjën: Le të çohet në Get Arka e Hyjit të Izraelit. Dhe e shpunë Arkën e Hyjit të Izraelit.
- 9 Por, pasi e çuan Arkën atje, dora e Zotit u rëndua mbi qytet. Ata i kapi frikë tejet e madhe; i goditi njerëzit e qytetit, prej të voglit e deri në të madhin dhe u mbuluan nga çibanët.
- 10 Këta e çuan Arkën e Hyjit në Akaron.Por kur arriti Arka e Hyjit në Akaron, bërtitën akaronasit e thanë: E sollën tek ne Arkën e Hyjit të Izraelit që të na mbysë ne dhe popullin tonë!
- 11 Prandaj i bashkuan të gjithë princat e filistenjve e u thanë: Lëshojeni Arkën e Hyjit të Izraelit e të shkojë në vendin e vet që të mos na vrasë ne dhe popullin tonë.
- 12 Sepse në mbarë qytetin mbretëronte frika e vdekjes, aq fort ishte rënduar aty dora e Hyjit. Njerëzit që ende nuk kishin vdekur, ngarkoheshin me çibanë dhe dënesja e ulurima e qytetit arrinte në qiell.