Beselidhja e Vjeter Dalja: Lindja e Moisiut
- 1 Një burrë prej familjes së Levit shkoi e mori për grua një nga fisi i vet.
- 2 Ajo ngjizi dhe lindi djalë. E pa se fëmija ishte i bukur dhe e fshehi për tre muaj.
- 3 Pasi s'mundi ta mbante më të fshehur, mori një shportë papirusi, e leu me bitum e me peshkve, brenda e futi fëmijën dhe e la në kallamishte, në breg të lumit.
- 4 Motra e fëmijës rrinte dhe vërente prej së largu çka do të ndodhë.
- 5 Dhe ja, bija e faraonit erdhi dhe hyri të lahet në lumë, ndërsa shërbëtoret e saja shëtisnin bregut të lumit. Bija e faraonit, kur e pa shportën në kallamishte, e dërgoi shërbëtoren e vet për ta sjellë.
- 6 Kur e hapi, pa në të një djalë që po qante. Pati dhimbje për të dhe tha: Qenka një fëmijë hebrenjsh!
- 7 Atëherë i tha motra e fëmijës: A të shkoj e ta thërras një grua hebrenje që të mund ta ushqejë foshnjën?
- 8 iu përgjigj: Shko! Vajza u lëshua vrap dhe e thirri t'ëmën e foshnjës.
- 9 Kësaj bija e faraonit i tha: Merre këtë foshnjë dhe ma ushqe! Unë do të të paguaj! Gruaja e mori fëmijën, e ushqeu e, kur u rrit, ia dorëzoi bijës së faraonit.
- 10 Kjo ia ngjiti emrin Moisi. Tha: Sepse e nxorra prej ujit.Moisiu ikën në Madian
- 11 Ndër ato ditë, Moisiu, si u rrit, shkoi te vëllezërit e vet. Pa se si po vuanin e pa edhe një egjiptian duke e rrahur një hebre; prej vëllezërve të tij.
- 12 Pasi shikoi këndej e andej e nuk pa kë, e vrau egjiptianin dhe e fshehi në rërë.
- 13 Doli të nesërmen dhe i pa dy hebrenj që po grindeshin. I tha atij që po e rrihte shokun: Përse po e rrah të afërmin tënd?
- 14 Ai iu përgjigj: Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? A mos po do të më vrasësh, siç e vrave egjiptianin?Moisiun e kapi frika dhe tha: Po si doli kjo gjë në dritë?
- 15 Kur i shkoi kjo ngjarje në vesh faraonit, ai deshi ta vrasë Moisiun. Moisiu iku prej tij dhe shkoi në dheun e Madianit e u ndal të pushojë përbri një pusi.
- 16 Tashti, prifti i Madianit kishte shtatë vajza. Këto erdhën të nxjerrin ujë. Këto i mbushën lugjet me ujë e donin t'u jipnin ujë grigjave të t'et.
- 17 Por arritën barinjtë dhe i dëbuan ato. Mirëpo, Moisiu u ngrit, i mbrojti vajzat dhe u dha ujë deleve të tyre.
- 18 Këto u kthyen tek i ati, Ragueli dhe ai u tha: Përse u kthyet më shpejt se zakonisht?
- 19 Ato përgjigjën: Një burrë egjiptian na shpëtoi prej barinjve. Për më tepër, nxori ujë për ne dhe u dha edhe berreve tona.
- 20 Por ai u tha: Ku është ai njeri? Përse e latë të shkojë? Thirreni të hajë bukë!
- 21 Kështu Moisiu pranoi të jetojë tek ai njeri dhe e mori për grua Seforën, bijën e tij.
- 22 Ajo i lindi një djalë, të cilin e quajti Gersam. Tha: Jam i ardhur në dhe të huaj!THIRRJA E MOISIUTHyjit i bie ndër mend për Izraelin
- 23 Mirëpo, pas një kohe të gjatë, vdiq mbreti i Egjiptit. Izraelitët ende dënesnin në skllavëri. Klithnin të mjerët prej vuajtjeve të robërisë, dhe klithjet e tyre për ndihmë arritën te Hyji.
- 24 Hyji i dëgjoi klithjet e tyre dhe iu kujtua besëlidhja që e lidhi me Abrahamin, me Izakun e me Jakobin.
- 25 Zoti i pa izraelitët dhe u kujdesua për ta. Ai iu dëftua atyre.